Mile Janakievski dhe Kiril Bozhinovski i hedhin poshtë akuzat e Prokurorisë speciale se kanë pasur qëllim të arratisen nga vendi, se për këtë kanë komunikuar me Presidentin Gjorge Ivanov dhe se kanë llogari bankare të hapura në shtete të tjera.
“Dy ish-funksionaret në qeverinë Gruevski, Mile Janakievski dhe Kiril Bozhinovski sot në Gjykatën e Apelit kërkuan qe t’u hiqet masa e paraburgimit e për këtë prezantuan edhe argumentet e tyre. Se çfarë vendimi do të marrë gjykata mbetet për tu parë pas dy ditësh”.
Prokurorja e speciales Lile Stefanova në sallën e gjyqit tha se ish-ministri Janakievski më 13 nëntor të këtij viti është përgatitur për t’u arratisur nga vendi njëjti si ish-kryeministri Nikolla Gruevski dhe se këto informacione i kanë marrë nga drejtoria për siguri dhe kundërzbulim. Por këto plan të DSK-së Janakievski e quajti të shpikur dhe shtoi se as s’ka pasur e as nuk e ka ndër mend të ikë.
“Unë dhe Gruevski nuk jemi i njëjti person. Unë nuk dua të jem viktimë e arratisjes së tij. Edhe diçka, unë jam viktima më e madhe e përgjimeve masive. Jo vetëm telefoni im, por edhe ai i bashkëshortes sime është përgjuar”, tha Mile Janakievski.
Janakievski gjatë mbrojtjes së tij tha se është i gatshëm të bëj burg përjetshëm por vetëm kërkoi që Prokuroria t’i sigurojë dëshmi se ai posedon llogari bankare jashtë vendit. Sa i përket takimit me presidentin Ivanov, Jankievski nuk e mohoi të jetë takuar me kreun e shtetit por shtoi se me të ka folur për ngjarjet e fundit politike dhe s’ka pasur të bëjë me mundësinë e tij për të arratisur.
Edhe i akuzuari tjetër, ish-sekretari gjeneral në qeverinë e kaluar, Kiril Bozhinovski u mbrojt për të njëjtat akuza, se s’ka pasur ndër mend të arratiset, s’ka komunikuar me presidentin, madje as me ndërmjetësues, dhe se nuk asnjë lloj ka llogarie bankare jashtë vendit. Për këtë ai kërkoi që të lirohet nga paraburgimi. Mbrojtja e të dy palëve theksoi se me paraburgimin pa paralajmërim është shkelje e ligjit dhe konventës evropiane për të drejtat e njeriut.
Megjithatë për të dy të akuzuarit, prokurorja Lile Stefanova tha se paraburgimi është bërë në përputhje me ligjet dhe i argumentuar, andaj kërkoi nga gjyqtarët e apelit që të refuzohen kërkesa e të akuzuarve për shfuqizim të masës së paraburgimit.
Mile Janakievski dhe Kiril Bozhinovski, dy ditë pas arratisjes së Nikolla Greuvskit, me kërkesë të prokurorisë speciale u çuan në paraburgim nën dyshimet se kanë plan të arratisen nga vendi për t’i ikur përgjegjësisë penale njëjtë si ish-shefi i tyre Greuvski.
Përgatiti: Besir Arifi