Ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, e ka të vështirë të fitojë të drejtën e azilit politik në një vend të Bashkimit Evropian, siç është edhe Hungaria, konsideron profesori universitar, Nano Ruzhin, pasi, sipas tij, Gruevski nuk ishte i persekutuar dhe as nën presion politik. Madje, në rastin e tij nuk u aplikua as masa e paraburgimit gjatë gjithë kohës kur gjykohej.
“Gruevski ishte nën presionin e drejtësisë për veprat penale që kishte kryer”,- thotë Ruzhin. Prandaj, miqësia me kryeministrin hungarez, Orban, mund t’i shërbejë vetëm për të zgjatur procedurën për azil.
“Është dilemë e madhe nëse do të fitojë azil politik ose jo dhe e vë diplomacinë hungareze para një zgjedhjeje të pakëndshme, pasi ajo duhet të deklarohet mes mbrojtës së një njeriu të dënuar për krim dhe jo për delikte politike, njeri që është kundër vlerave të NATO-s dhe të BE-së dhe nga ana tjetër Hungaria dhe Orban duhet të deklarohen rreth solidaritetit drejt Brukselit dhe ShBA-ve. Kështu që kjo procedurë mund të zgjasë ose mund të refuzohet kërkesa për azil e ish kryeministrit Gruevski”,- u shpreh për MTV2, profesori universitar, Nano Ruzhin.
Sistemi i përbashkët evropian për azil parasheh azil për njerëzit që largohen nga persekutimi ose dëmtime të tjera serioze të lirive dhe të drejtave të njeriut në vendin e tyre dhe për këtë arsye kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare. Profesori Ruzhin nuk përjashton mundësinë që Gruevski të lëvizë nga Hungaria në ndonjë vend tjetër, shtet joanëtar i BE-së, që ndan vlera anti NATO dhe anti BE.
“Ekziston mundësi e tillë që të transitojë në shtet tjetër, pa dashur të numërojë cilat mund të jenë, por është e qartë se kush është ai shtet që nuk është pro-evropian dhe me disponim pro NATO. Shtet i cili tani më është strehë e disa kriminelëve ku me para mund të blini lirinë dhe komoditetin, ku mund të mblidhni familjen dhe të jetoni me paratë e përvetësuara në formë të jashtëligjshme në shtetin tuaj”,- tha profesori universitar, Nano Ruzhin.
Ministria e Drejtësisë ka filluar procedurën për ekstradimin e ish-kryeministrit Gruevski dhe pritet përgjigje nga autoritetet hungareze.