Seanca e Komisionit për çështje të rregullores, mandatit dhe imunitetit, do të mbahet dy ditë para skadimit të afatit kur ish kryeministri dhe ish kryetari i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski, duhet të paraqitet për vuajtjen e dënimit në burgun e Shutkës. Edhe zyrtarisht, seanca për debatin mbi heqjen e mundshme të mandatit të Gruevskit është caktuar për të martën.
Përfundimet nga Komisioni më pas shkojnë për miratim në Kuvend në seancë plenare. Por, për heqjen e mandatit, në plenare, nevojitet shumicë e dy të tretave. Tetë deputetët e VMRO-DPMNE-së që votuan për ndryshimet kushtetuese dhe formuan grup të ri parlamentarë, tashmë u deklaruan se do të votojnë kundër që ish kryetari i tyre partiak të mbetet pa mandatin e deputetit. Nga VMRO-DPMNE-ja thonë se edhe deputetët e tjerë të kësaj partie janë në të njëjtën linjë, se bëhet fjalë për rast të montuar politik.
Me raste që nuk ekzistojnë në të drejtën bëhen përpjekje të shkaktohet një dëm i tillë. Kështu që deputetët nuk e mbështesin këtë dhe grupi parlamentarë i VMRO-DPMNE-së do të votojë kundër heqjes së imunitetit të kryetarit të nderit, zotëri Gruevskit- deklaroi Dimçe Arsovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.
Para debatit në Komisionin amë, nga LSDM-ja nuk deshën të paragjykojnë për prononcimin e deputetëve të tyre.
Komisioni do të debatojë rreth çështjes së mandatit të Gruevskit. Do të hapet debat dhe me kujdes do të shqyrtohen të gjitha aspektet juridike pas çka edhe do të merret vendim. Maqedonia është shtet i së drejtës dhe patjetër të ketë drejtësi për të gjithë- thaKostadin Kostadinov, zëdhënës i LSDM-së.
Për partnerin e koalicionit qeveritarë, BDI, nuk ka dyshim që deputetët e tyre do votonin për heqjen e mandatit Gruevskit. Qëndrime të njëjta kanë edhe partitë opozitare shqiptare. Nga dega e Besës e Bilal Kasamit do ta presin përfundimin e debatit në Komision.
Nëse sipas rregullores dhe Kushtetutës, Komisioni konstaton se janë plotësuar të gjitha kushtet për heqjen e mandatit, atëherë gjithsesi se ne do votojmë “Pro” – tha Fadil Zendeli, Besa.
Nga Besa e Afrim Gashit, nuk morëm përgjigje.
Kryetari i Aleancës për shqiptarët, Zijadin Sela, në një bisedë të shkurtër telefonike për Alsat M tha se për dy deputetët e ASH-së nuk ka dilema se do votojnë për heqjen e mandatit të Gruevskit.
Kuvendi vendos rreth kësaj çështje pasi Gjykata penale informoi se Gruevski është dënuar me dy vite burg për rastin “Tanku” për blerjen e Mercedesit luksoz. Gjykata penale e refuzoi edhe kërkesën e avokatëve mbrojtës për shtyrjen e vuajtjes së dënimit ku Gruevski kërkonte anulimin e dënimit për shkak të angazhimeve si deputet dhe për shkak se është duke shkruar një libër.
Gruevski dhe avokatët e tij paralajmëruan se do t’i shfrytëzojnë të gjitha mekanizmat e mundshëm juridik dhe do të kërkojnë rishqyrtimin e vendimit gjyqësor.
Alsat