Përmes nënshkrimit të një memorandumi, sot Maqedonia dhe Kosova tash e tutje do të shkëmbejnë më lehtë informacione mbi lëvizjen e udhëtarëve dhe mallrave përmes kalimeve kufitare, bashkëpunim në luftën kundër korrupsionit dhe terrorizmit.
Në kuadër të Memorandumit për forcimin e bashkëpunimit në fushën e menaxhimit të integruar të kufijve, koordinatori për menaxhimin e kufijve të Kosovës, Isa Xhemajlaj, vlerësoi lartë bashkëpunimin e deritanishëm të dy shteteve, kurse shtoi se me këtë marrëveshje edhe më shumë do të ndihmohet në luftimin e fenomeneve negative.
“Ky është takimi im i dytë këtu në Shkup dhe tashmë dihet ky takim po rezulton me një marrëveshje të përbashkët. Punët që jemi duke i kryer në kuadër të dy ministrive, por edhe në kuadër të policisë së doganës dhe agjencive të tjera, deri tani kanë dhënë rezultat. Kjo marrëveshje do të avancojë bashkëpunimin, sidomos në luftën kundër krimit të organizuar, por gjithashtu do të ndihmojë qytetarët e dy vendeve që të jenë edhe më afër”,tha koordinatori kombëtar për menaxhimin e kufijve, Isa Xhemajlaj.
“Po shkruajmë memorandum bashkëpunimi, i cili do të ndihmojë në shkëmbim më të shpejtë të informacioneve mes Kosovës dhe Maqedonisë në lëvizjen e udhëtarëve dhe mallrave, luftën kundër korrupsionit dhe terrorizimit. Vlerësojmë se kjo marrëveshje do t’i sjellë shumë përfitime qytetarëve, por edhe komunitetit të biznesit të të dyja palëve”,tha koordinatori kombëtar për menaxhimin e kufirit, Vlladimir Pivovarov.
Dy koordinatorët theksuan se këto marrëveshje konfirmojnë rrugën e të dyja shteteve drejt integrimit euroatlantik, kurse po ashtu nxit edhe shtetet tjera të realizojnë të njëjtën.