Lajmet e rreme (fake news) gjithnjë e më shumë janë të pranishme si dukuri në Maqedoni.
Ekspertët e mediave thonë se lajmet e rreme shfrytëzohen si mekanizëm për realizimin e interesave të caktuara nga qarqe të ndryshme, përfshirë këtu dhe partitë politike, shkruan REL, përcjell Albinfo.ch.
Nazim Rashiti, gazetar, pjesëmarrës në shumë debate për rritjen e cilësisë së informimit të drejtë, dhe mbrojtjen nga keqinformimi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se nevojiten më shumë iniciativa për ngritjen e vetëdijes dhe mendimit kritik të publikut për informim të saktë, veçanërisht për grupmoshat më të reja.
“E para gjë që duhet të bëhet është që njerëzit të informohen sa më shumë se ekzistojnë faqe të ndryshme interneti, të cilat nuk janë profesionale dhe që nuk merren me gazetari të mirëfilltë. Nga ana tjetër, organizatat profesionale të mediave duhet të ndërmarrin nisma institucionale për të saktësuar ose për të treguar cilat nga këto faqe interneti janë profesionale dhe realisht merren me gazetari”, thotë Rashiti.
Ndërkaq, Aleksandra Temenugova nga Instituti për Studime të Komunikimit thotë se përparimi teknologjik gjithnjë e më shumë rrit rrezikun që lajmet e rreme të jenë të pranishme nëpër media, veçanërisht në rrjetet sociale.
Temenugova thotë për Radion Evropa e Lirë se hulumtimi i realizuar nga Instituti për Studime të Komunikimit, ka nxjerrë në pah se gjeneratat e reja kryesisht informohen përmes rrjeteve sociale kundrejt grup moshave më të vjetra, që vazhdojnë ta konsiderojnë televizionin si burim kryesor të informimit.
Në bazë të këtyre të dhënave, 71 për qind e të anketuarve nga mosha 15 deri në moshën 24-vjeçare informohen vetëm nga mediat on-line.
“Do theksuar se shumë pak nga të rinjtë, të cilët informohet përmes mediave on-line, i verifikojnë informacionet. Popullata më e re, e cila ndjek përmes rrjeteve sociale personalitet e ndryshme publike është alarmante se u beson verbërisht informacioneve që ata i plasojnë on-line”, thotë Temenugova.
Petar Arsovski, ekspert i komunikimit, thotë se mungon mjeti qenësor për mediat, vërtetimi i informatës para se të publikohet, në mënyrë që opinionit t’i servohet një informacion i saktë dhe i vërtetuar.
Arsovski thotë se politikanët madje dhe biznesmenët, siç shprehet ai, e kanë “kidnapuar” gazetarinë dhe se tani e keqpërdorin për nevojat e tyre.
“Lufta për të marrë sa më shumë klikime, apo thënë sipas trendit të kohës për të marrë sa më shumë pëlqime, ka bërë që të prodhohen lajmet e rreme, lajme këto që s`kanë asnjë pikë të përbashkët me realitetin, por synim kanë rritjen e lexueshmërisë ose të njëjtat bëhen në favor të agjendave politike”, konsideron Arsovski.
Punonjësit e mediave thonë se platformat mediatike do të mbeten të vërshuara nga lajmet e rreme përderisa mediat on-line nuk përgjigjen para gjykatave dhe vazhdojnë të ulen standardet profesionale.
Maqedoninë, si shtet, e pret një rrugë e gjatë drejt realizimit të reformave, të cilat kanë mbetur nën hijen e ndryshimeve kushtuese të domosdoshme për zbatimin e marrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit, që duhet të zhbllokojë procesin e integrimit në NATO dhe Bashkimin Evropian.
Megjithatë, ekspertët në këtë lëmi thonë Maqedonia si shtet që synon integrimin në familjen evropiane, duhet të zbatojë me përpikëri rekomandimet e Komisionit Evropian sa i përket rregullativës për detektimin dhe luftimin e informatave të shtrembëruara, gjysmë informacioneve dhe informatave që përhapen on-line, duke krijuar mekanizma funksionalë që qytetarëve t’u servohen informacione të vërtetuara.