Ministrja e Punës dhe politikës sociale Milla Carovska, sot ritheksoi se masa e qeverisë së kaluar për ndarjen e mjeteve mujore për fëmijën e tretë, nuk i ka arritur efektet e duhura. Sipas saj, edhe përkundër mjeteve mujore prej 8000 denarësh për fëmijën e tretë, ka pasur rënie të lindshmërisë, edhe pse janë ndarë 2 miliardë e 600 milionë denarë në nivel vjetor. Sipas saj, kjo masë është demografike, e jo sociale.
“Prandaj e transformojmë si politikë demografike që nuk i diskriminon fëmijët tjerë për dallim nga fëmija i tretë, por themi se kjo do të vlejë edhe për fëmijën e parë, të dytë dhe të tretë. Më e rëndësishmja për të gjithë fëmijët që marrin shtesa për fëmijën e tretë është të thuhet se kjo masë nuk hiqet dhe ato do të vazhdojnë ta realizojnë këtë të drejtë, sipas ligjit aktual, ndërsa do të mund ta realizojnë këtë të drejtë edhe në 10 muajt e ardhshëm, që të përfshihen edhe lindjet brenda këtyre 10 muajve”, tha Mila Carovska, Ministre e Punës dhe politikës sociale.
Nga ana tjetër, Aleanca për Shqiptarët, Besa dhe BDI janë kundër vendimit të ministres së Punës dhe politikës sociale.
Nga BDI thonë se propozimi për heqjen e ndihmës sociale për fëmijën e tretë duhet të rishikohet.
“Bashkimi Demokratik për Integrim konsideron se politikat janë të qëndrueshme kur janë konsensuale dhe plotësojnë pritjet e qytetarëve. Ne angazhohemi për formimin e familjeve të shëndosha dhe krijimin e kushteve për jetesë, në veçanti për të rinjtë që ta gjejne perspektivën e tyre në këtë vend, e jo tjetërkund. Prandaj vlerësojmë se kjo propozim-masë duhet të rishikohet, të analizohet dhe të avancohet”, tha Artan Grubi, BDI.
Elmi Aziri nga Aleanca për Shqiptarët, theksoi se ky ligj ka pasur efekt pozitiv në ekonominë e familjeve që kanë shfrytëzuar ketë ndihmë.
“Nuk qëndrojnë informacionet se në këtë kategori të njerëzve këtë ndihmë e pranojnë edhe personat që janë mirë ekonomikisht. Qeveria dëshiron që një skenë shumë të rëndësishme të transfereve sociale që ka ndikuar në ngritjen e mirëqenës së qytetarëve, tenton që ta eliminojë. Statistikat flasin që kemi rritje të natalitetit në RM-ës, sigurisht që ai natalitet nuk është njësoj në të gjitha komunat. Ky mekanizëm i subvencionimit dhe i skemave sociale ka pasur efekt”, u shpreh Elmi Aziri, Aleanca për Shqiptarët.
Nga Lëvizja BESA thonë se qeveria aktuale me politikat e saj vazhdon t’i diskriminojë shqiptarët.
“Paralajmërimet e qeverisë për shfuqizimin e ligjit për natalitet i godet drejtpërdrejt shqiptarët, duke qenë plotësisht të vetëdijshëm se përfitime më të mëdha nga ky ligj kanë shqiptarët. Politikat qeveritare duhet të jenë transparente dhe në të mirën e të gjithë qytetarëve, pa dallim përkatësia e tyre etnike dhe fetare”, u shpreh Elmedin Memishi, zëdhënës i Lëvizjes Besa.
26 mijë familjet të cilat deri më tani kanë marrë nga 8 mijë denarë, do të vazhdojnë të marrin edhe për në 10 vitet e ardhshme. Ligji i vjetër do t’i përfshijë edhe çiftet martesore të cilët do të lindin fëmijën e tretë në 10 muajt e ardhshëm, pas hyrjes së ligjit në fuqi. Masa për fëmijën e tretë u miratua në vitin 2009 nga qeveria e VMRO-DPMNE-së.
Përgatiti Afrim Jonuzi