Fondacioni i miliarderit hungarezo-amerikan, George Soros tha se do t’i japë fund operacioneve në Turqi. Fondacioni për Shoqëri të Hapur tha se në mediat turke ka pasur pretendime të pabaza për punën e tij.
Njoftimi vjen pasi presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan ka thënë se Soros bën përpjekje të ndajë dhe shkatërrojë kombet.
Në një fjalim javën e kaluar, Erdogan ka thënë se Soros ka pasur lidhje me protestat anti-qeveritare në parkun Gezi të Stambollit në vitin 2013.
Fondacioni për Shoqëri të Hapur tha se do t’i mbyllë operacionet në Turqi “sa më shpejt që të jetë e mundur”. Ai shtoi se disa hetime të reja kanë synim që ta lidhin atë me protestat në Gezi. “Këto përpjekje nuk janë të reja dhe ato janë jashtë realitetit”, shtoi ai.
Fondacioni tha se ka punuar në Turqi në përputhje me ligjet e vendit.