Çfarë është një kilogram dhe kush vendos për peshën e tij standarte? Këto pyetje janë vendosur tashmë në qendër të një debati. Përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve ruhen në një vend jo shumë të njohur në Francë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kevin Enoch, njofton rreth polemikës së krijuar.
Një kopje e bllokut prej metali që nga viti 1879 ka shërbyer si pika e referimit për t’i treguar botës se sa duhet të jetë saktësisht pesha e një kilogrami.
Por, shumë prej shkencëtarëve shqetësohen se ky cilindër metalik që ruhet aktualisht në një laborator francez, ka realisht më shumë peshë se ç’duhet.
“Kur e nxjerr nga kasaforta nuk është plotësisht i pastër. Procesi i pastrimit dhe përdorimi i cilindrit mund të ndryshojë masën e tij. Pra, nuk është mënyra më e mirë për të përcaktuar masën. Na ka shërbyer gjatë 130 viteve të fundit, por është edhe e vetmja pikë referimi në sistemin tonë të masës”, thotë Ian Robinson, i Laboratorit Kombëtar të Fizikës.
Në Konferencën e Përgjithshme për Peshat dhe Matjet, shkencëtarët pritet të votojnë për t’i dhënë lamtumirën peshës së kilogramit.
Ata do të adaptojnë një sistem të ri matjeje të bazuar në konstantet universale – termi shkencor për gjërat që nuk ndryshojnë, siç është graviteti apo shpejtësia e dritës.
Një kilogram do të vazhdojë të jetë një kilogram, por ashtu si shpejtësia e dritës, nuk do të ndryshojë ndonjëherë.
“Nuk do të ndryshojë më kurrë. U desh shumë debat dhe përpjekje për të arritur në këtë marrëveshje”, thotë zoti Robinson.
Por, përse duhet ndërmarrë ky hap? Arsyeja është se pavarësisht nga niveli i saktësisë së këtij kallëpi në Francë, pesha e tij ka ndryshuar paksa me kalimin e kohës. Kur inxhinierët merren me peshën në nivele gjithnjë e më të vogla, ky defekt i vogël shndërrohet në një problem të madh. Në gjuhën shkencore kjo quhet “pasiguri”.
Niveli i lartë i pasigurisë mund të ndikojë në saktësinë dhe efektshmërinë e mikroqarqeve të vegjël, si ata që gjenden në telefonat tanë.
“Duhet të jemi në gjendje të bëjmë matje në shkallë të ndryshme, pasi pasiguritë shtohen me shpejtësi”, thotë zoti Robinson. Sistemi i ri do të thotë se nuk do të ketë më pasiguri dhe shkencëtarët thonë se do t’i çelë rrugën një teknologjie të re më të avancuar në të ardhmen.