Shkëndija e Tetovës vijon me rezultatet pozitive në kampionatin maqedonas të futbollit. Këtë pasdite skuadra tetovare ka fituar derbin e shqiptarëve, pasi ka mundur skuadrën e Shkupit, klubin tjetër shqiptar të Maqedonisë, me rezultatin 3-0. Kjo ishte një ndeshje përgjithësisht e lehtë për Shkëndijën, e cila përfitoi edhe nga fakti që skuadra e Shkupit është duke kaluar një periudhë të keqe këtë sezon.
Aktualisht skuadra shqiptare që mban emrin e kryeqytetit të Maqedonisë, ndodhet në vend të fundit të renditjes, duke rrezikuar shumë mbijetesën. Me shifrat 2-0 do të mbyllej pjesa e parë e lojës, teksa pas pushimit skuadrat rikthehen me të njëjtin ritëm. Janë tetovarët e Qatip Osmanit ata që dominojnë fushën dhe kontrollojnë topin edhe gjatë pjesës së dytë. Episodet më të rëndësishme kanë qenë ato në shkallët e stadiumit, ku grupimi i tifozëve ultras “Ballistët”, kanë kënduar gjatë gjithë kohës këngë patriotike shqiptare.
Kjo gjë nuk është mirëpritur nga arbitri i ndeshjes, i cili ka lajmëruar disa herë zyrtarët e skuadrës së Shkëndijës për ndërprerje të ndeshje. Por deri në përfundim të takimit asgjë nuk ndryshoi, veç shënimit të golit të tretë të Shkëndijës nga Alimi. Barazimi 1-1 i Vardarit, bëri që Shkëndija të merrte kreun, edhe pse me pikë të barabarta me skuadrën nga shkupi, tetovarët kryesojnë për shkak të golavarazhit.