Ergys Kaçes mund të kishte hyrë në historinë e ndeshjeve derbi të Greqisë, mes Olimpiakosit dhe Panathinaikosit, nëse P.A. Cisse nuk do të kishte shënuar golin e barazimit në minutën e 90-të.
Mesfushori energjik shqiptar, një titullar i palëvizshëm tashmë me “të gjelbrit”, ka shënuar një supergol, por festa e tij personale dhe ajo e skuadrës është prishur pikërisht në fund, me sfidën që ka përfunduar në barazim 1-1.
Goli i realizuar në minutën e 61-të nga shqiptari, ka bërë të heshtë stadiumin “Karaiskaqi”, teksa Kaçe, me një veprim të zgjuar, ka ngritur topin mbi kokën e një kundërshtari dhe me sferën në kërcim gjysmë lartësi, ka goditur diagonal nga 25 metra, duke shënuar në trekëndëshin e portës së Sa.
Olimpiakos-Panathianikos 0-1! Por në fund, vjen goditje, kur pritej që ndeshja të përfundonte, bardhekuqtë kanë barazuar me Cisse.
https://youtu.be/0wC8SnAFrjM
Pas shënimit të golit, Kaçe shkoi te festojë me shokët e skuadrës që ndodheshin në stol. Një gëzim i ligjshëm, duke parë vështirësitë që ka kaluar futbollisti korçar në sezonet e fundit.
Por kjo e së dielës ka qenë java e shqiptarëve të kombëtares, pasi gola kanë shënuar edhe Berat Gjimshiti, kundër Interit me kokë (në fitoren 4-1 të Atalantës) dhe Eros Grezda, i cili me dygolëshin e tij ndaj Motherëell-it, vulosi suksesin e Gllasgoi Rangers në Skoci.