Libri “Kur grinden sunduesit” na risjell Kadarenë, një student i ri nga Shqipëria, një vend ku komunizmi ishte duke përgatitur hartuesit shpirtërorë të filozofisë së tij, në zemrën e një kryeqyteti të madh stalinist me kureshtjen dhe aftësinë për ta kuptuar drejt një sistem. Moska, Pastërnak dhe gjithë ajo histori e ndërlikuar raportesh njerëzore e politike mes shkrimtarëve dhe Stalinit apo Hrushovit më vonë do ta bënin shkrimtarin e ri shqiptar të mësonte distancën e duhur nga ku duhet ta shihte diktaturën më pas e si duhet ta fitonte betejën me të”.
Alda Bardhyli prej kohësh ka nisur të studiojë veprën dhe jetën e Ismail Kadaresë. Drejtore e Qendrës së Studimeve Shqipe “Kadare” pranë Institutit Europian “Pashko”, ajo vjen më poshtë në një bisedë mbi leximin ndryshe të librit më të ri të shkrimtarit “Kur sunduesit grinden” Botimet ‘Onufri’.
Zbulon mes të tjerash një telefonatë mes Kadaresë dhe Hoxhës dhe presionin që fshihej pas saj. Për Bardhylin, nëse telefonata e Stalinit ishte t’i kërkonte mendim Pastërnakut rreth Maldeshtamit, në rastin e shkrimtarit shqiptar, telefonata është po kështu e papritur dhe diktatori Hoxha nuk i kërkon asgjë, thjesht e uron për një poemë të botuar në gazetën “Drita”. Veçse, nëse shohim kontekstin e kohës kur Enver Hoxha i telefonon Kadaresë, kjo telefonatë më shumë se një mbështetje ndaj shkrimtarit të ri, ishte një kërkesë. Në këtë kontekst telefonata e Hoxhës ishte një lloj paralajmërimi për shkrimtarin e ri që jo vetëm se ishte nën lupën e Partisë, por kjo e fundit kërkonte “ndreqjen e gabimeve” të deritanishme, ndryshe do ta ndëshkonte. Pas kësaj telefonate, qëndrimi i Hoxhës ndaj Kadaresë do të ashpërsohej.
– “Kur grinden sunduesit” është libri më i ri i Ismail Kadaresë, i cili u prezantua gjatë ditëve të Panairit të 21 të Librit. A është ky një libër për diktaturat?
Botimin e librit “Kur grinden sunduesit” nga Kadare vetëm pak ditë më parë do të quaja një ngjarje jo vetëm për kulturën shqiptare, por edhe për atë botërore. Gati 84 vjet nga ngjarja, që për gati një shekull vazhdon të ketë interpretime të ndryshme në botën letrare, duke ndarë shpeshherë kritikët e letërsisë dhe autorët në qëndrime, Kadare i rikthehet telefonatës së famshme mes shkrimtarit të njohur rus Boris Pastërnak dhe Stalinit në vitin 1934. Rikthimi në këtë telefonatë, që duket se do sjellë gjithnjë “zhurmë” mbi qëndrimet dhe rolin që shkrimtarët dhe intelektualët patën në raport me diktaturat, Kadare e çon mendimin dhe studimet shqiptare në një nivel tepër bashkëkohor. Leximi i këtij libri do të jetë një joshje e përhershme, një udhëtim në honet e errëta e shpesh tunduese të salloneve letrare ruse, takime me dashnore të dëshpëruara dhe botë sekretesh, që për vite me radhë gumëzhijnë nga rrëfime, që në thelb kanë qëndresën e një kaste të jashtëzakonshme shkrimtarësh, që u përballën me komunizmin. Janë trembëdhjetë versione të kësaj telefonate të famshme, të cilat vijnë në një hulumtim nga Kadare, për të ndërtuar në 174 faqet e këtij libri, historinë e jashtëzakonshme dhe të përhershme që ta jep vetëm letërsia edhe kur ajo është përballë tiranive më të mëdha.
Libri është dhe një “rikthim” i shkrimtarit në Moskën që e vizitoi për herë të parë në vitin 1958. Që kur zbuloi letërsinë, që kur ishte ende gjimnazist në Gjirokastër, Kadare ëndërronte Institutin “Gorki”. Ëndrra për letërsinë lidhej me këtë institut nga ku kishin dalë shkrimtarë të mëdhenj rusë. Këtë e tregon dhe fakti që kërkesa e tij për studime pas mbarimit të gjimnazit ishte ky institut. Fillimisht, kjo kërkesë do t’i refuzohej e në vend të tij do të shkojë shkrimtari Qamil Buxheli dhe vetëm një vit më vonë Liri Belishova, e cila ishte sekretare e Komitetit Qendror të PPSH-së do të firmosë dokumentin me nr.protokolli 332, kërkesën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, propozimin për të dërguar në kursin 1-vjeçar të letërsisë pranë Institutit “Gorki”, në bazë të konventës për bashkëpunim kulturalo-shkencor me Bashkimin Sovjetik shokun Ismail Kadare… Bashkë me Kadarenë, atë vit udhëtoi drejt Moskës si student dhe Sterjo Spasse, autor i romanit “Pse”, i cili shihej si shkrimtar dekadent, e kjo vajtje e tij në Moskë shihej si një ndërrim kursi, që tashmë Shqipëria do shkojë drejt Perëndimit…
– Cila ishte Moska që gjeti Kadare dhe lidhja e tij me Pastërnak?
Kadare do të mbërrinte në Moskë në vitin 1958-të, pikërisht në vitin kur Boris Pastërnak u vlerësua me çmimin Nobel, periudhë e zbutjes hrushoviane. Një vit më parë, më 1957, romani i tij “Doktor Zhivago” u botua nga Fetrineli në Itali. Aty, Kadare ende i ri, 22 vjeç, do të shihte më nga afër orkestrimin që komunizmi i bënte kulturës. Raportet e shkrimtarëve rusë me komunizmin dhe mënyrën sesi ky i fundit dirigjonte sistemin do ta ndihmonin Kadarenë të kuptonte laboratorin e një raporti jo të lehtë, të cilin do t’i duhej ta administronte më vonë mes tij dhe regjimit të Enver Hoxhës.
Boris Pastërnak, që në atë kohë ishte 68 vjeç, i arratisur nga Rusia do ta tërhiqte menjëherë vëmendjen e autorit shqiptar, që kur në një nga dhomat e konviktit gjeti dorëshkrimin e “Doktor Zhivagos”. Më pas, protestat studentore kundër tij, të cilat Kadare do t’i shihte nga afër do ta bënin Pastërnak një figurë, që në një mënyrë a një tjetër do të ndikonte në konfigurimin e një vizioni jo vetëm mes tij dhe letërsisë, por edhe mes tij dhe diktaturës. Libri “Kur grinden sunduesit” na risjell Kadarenë, një student i ri nga Shqipëria, një vend ku komunizmi ishte duke përgatitur hartuesit shpirtërorë të filozofisë së tij, në zemrën e një kryeqyteti të madh stalinist me kureshtjen dhe aftësinë për ta kuptuar drejt një sistem.
Moska, Pastërnak dhe gjithë ajo histori e ndërlikuar raportesh njerëzore e politike mes shkrimtarëve dhe Stalinit apo Hrushovit më vonë do ta bënin shkrimtarin e ri shqiptar të mësonte distancën e duhur nga ku duhet ta shihte diktaturën më pas e si duhet ta fitonte betejën me të. Nga ana tjetër, Moska është edhe një periudhë e bukur, e paharrueshme në jetën e Kadaresë për vetë atmosferën e lirë që ai gjeti atje. Jo vetëm në kontekstin njerëzor, raporte të lira dashurie, por edhe të leximeve bashkëkohore të ndaluara në Shqipëri. Ai pati mundësinë të lexonte letërsi bashkëkohore perëndimore, si veprat e Sartre, Camus dhe Hemingway, të cilat kishin filluar të përktheheshin në rusisht. I influencuar nga modernizmi rus dhe europian, ai eksperimentoi me gjuhën dhe u kritikua për shkrim poezish të mbushura me dekadencë e formalizëm borgjez. Duke u shoqëruar me të emigruar, me funksionarë të dënuar, intelektualë që po riedukoheshin dhe duke vëzhguar lidhjet e ngatërruara të politikës me letërsinë në shtetin socialist, Kadareja i ri filloi të nxirrte konkluzionet e tij.
– Në libër flitet për një telefonatë mes Enver Hoxhës dhe Ismail Kadaresë. A ka ngjashmëri mes kësaj telefonate me telefonatën mes Stalinit dhe Pastërnak?
Në të gjithë historinë e vendeve komuniste përplasjet mes tiranëve dhe shkrimtarëve e poetëve kanë qenë ndoshta nga më të fortat. Stalini, por edhe diktatorë të tjerë e kuptuan herët se arti nuk duhet të ishte gjë tjetër veçse një instrument për të forcuar doktrinën e tyre. Historia e letërsisë ruse, por dhe ajo e vendeve të tjera që përjetuan komunizmin është e mbushur me burgime shkrimtarësh, internime, ndalime botimesh, arratisje… Në asnjë fushë tjetër diktatura nuk e ka ndjerë më shumë rezistencës sesa ndaj letërsisë. Letërsia duhet thënë se ka qenë një ndër fushat ku rezistenca ka qenë më e fortë. Rasti i letërsisë shqipe e tregon këtë, ashtu si e gjithë proza e Kadaresë. E ky libër i Kadaresë, ashtu si gjithë letërsia e tij, është një mënyrë për të parë sesi letërsia arrin ta mposhtë sistemin. Të dy këto telefonata e tregojnë këtë. Në të dyja rastet janë tiranët, ata që telefonojnë shkrimtarët. Distanca në kohë e dy telefonatave është rreth 3 dekada. Nëse telefonata e Stalinit ishte t’i kërkonte mendim Pastërnakut rreth Maldeshtamit, në rastin e shkrimtarit shqiptar telefonata është po kështu e papritur dhe diktatori Hoxha nuk i kërkon asgjë, thjesht e uron për një poemë të botuar në gazetën “Drita”. Nëse shohim kontekstin e kohës kur Enver Hoxha i telefonon Kadaresë, kjo telefonatë më shumë se një mbështetje ndaj shkrimtarit të ri ishte një kërkesë. Kadare e kishte shprehur hapur një lloj pasigurie përsa i përket realizmit socialist si tek “Qyteti pa Reklama” apo tregimi “Nudoja”, botuar në atë periudhë. Pas ardhjes nga Moska, ai kishte shfaqur hapur një lloj modernizmi në shkrimet e tij. Skepticimi ndaj tij kishte nisur të shfaqej që në vitet ’60-të kur po dominonte gjithnjë e më tepër në botimet e tij tema e largimit nga atdheu. Në tregimin e shkurtër të 1960-ës, “Në skaj të aeroportit”, që zhvillohet në Moskë, dy të rinj të dashuruar bisedojnë me njëri-tjetrin ndërsa avionët tupolevë rusë e karavellat franceze shkojnë e vijnë. Shkrimtari i ri së shpejti do të largohet nga Moska. Por për ku? Në Perëndim apo në Lindje? Në arrati, apo të kthehej në atdhe? Në këtë kontekst, telefonata e Hoxhës ishte një lloj paralajmërimi për shkrimtarin e ri, që jo vetëm se ishte nën lupën e Partisë, por kjo e fundit kërkonte “ndreqjen e gabimeve” të deritanishme, ndryshe do ta ndëshkonte. Pas kësaj telefonate, qëndrimi i Hoxhës ndaj Kadaresë do të ashpërsohej nëse shohim dokumentet e kohës, kritikat e vazhdueshme në mbledhjet e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, sidomos më vonë pas botimit të veprës së tij në Perëndim, ku gjendja e shkrimtarit do të ishte gjithnjë e më shumë në rrezik. Janë një sërë reagimesh që po e çojnë Kadarenë në këto vite drejt një dileme të madhe, që kishte të bënte me dyzimin e tij në duhet apo jo të vazhdonte shkrimin e letërsisë, për ta çuar drejt vendimit që do ta vendoste atë në sprovën më të madhe të një shkrimtari brenda kampit socialist, shkrimin e romanit “Dimri i vetmisë së madhe”.
– Të ndërtosh një libër mbi tri minuta telefonatë, duket grishëse?
E gjithë mjegulla e vërtetësisë së telefonatës mes Stalinit me Pastërnakut mbart në vetvete shumë pyetje jo vetëm mbi raportin e Pastërnak, një shkrimtar i kontestuar në vendin e tij dhe i vlerësuar në Perëndim pikërisht në kulmin e komunizmit rus, por dhe sa mundi të deprimonte diktatura aleancën mes shkrimtarëve. Nëse ka një pyetje e cila vijon të studiohet dhe t’i jepet përgjigje në forma të ndryshme nga kritikë të njohur ende sot është në e mbrojti Pastërnaku, Mandelshtamin. Ky i fundit ishte i arrestuar… Dhe a e la Pastërnaku atë në baltë? Ka shumë interpretime të mënyrës se si Pastërnaku iu përgjigj pyetjes së asaj telefonate të papritur se ç’mendonte për Mandelshamin… Përtej përgjigjes së Pastërnakut, përgjigjja që bota letrare ruse kërkon ta nxjerrë në pah për të vënë në vend qëndresën e saj është moslëkundja e Pastërnakut përballë presionit për të mbrojtur një poet, që ndoshta nuk ishte miku i tij, por në të njëjtën kohë ishte bashkë me të në qëndresën kundër revolucionit. Në fakt, një nga debatet që edhe studimet e sotme shqipe bëjnë përsa i përket raportet të letërsisë me diktaturën është se sa mundën t’i mbijetonin përçarjes brenda kampit letrar vetë shkrimtarët. Në Shqipëri diktatura arriti ta kthente Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve në një qendër ku kontrollohej i gjithë laboratori krijues, duke i bërë një pjesë të shkrimtarëve të spiunonin njëri-tjetrin. Janë trishtuese dokumentet që tregojnë sesi u transformuan një pjesë e tyre. Kjo e bën këtë telefonatë historike pikërisht në rolin e saj për të konfirmuar qëndresën dhe aleancën mes artit ndaj diktaturës.
– Lasgush Poradeci është një personazh që Kadare i rikthehet sërish në këtë libër?
Në historinë e eseistikës sonë letrare, një nga kontributet më të bukura të Kadaresë është ai i rikrijimit të figurës së Lasgush Poradecit. Me aftësinë e shkrimit, Kadare i ka dhënë Poradecit jetën e vërtetë, veshur me aureolën magjike të figurës së poetit, që e bën atë sa tërheqës apo edhe të pakuptuar në të njëjtën kohë, duke e zgjuar nga gjumi i madh i harresës komuniste. Në një histori letrash, ku kanë munguar biografitë e shkrimtarëve “Ikja e shtërgut të fundit”, një libër kushtuar figurës së Lasgush Poradecit shkruar nga Kadare kohë më parë është një ndër modelet e shkrimit, ku letërsia kërkon të ndërtojë jetën e mohuar të një poeti në mënyrën më të bukur.