Për dy orë nga kryeqyteti i Kosovës në kryeqytetin e Shqipërisë – dhe anasjelltas? Po, kjo është e mundshme. Vetëm duhet të ndërtohet një hekurudhë. Që kjo ëndërr të bëhet realitet, duhet të kemi politikanë që nuk mendojnë se si të vjedhin nga tenderi i radhës, por si të përparojnë vendin. Paramendojeni këtë situatë: të ulur në vagonin e firmës zvicerane «StadlerRail» nga Prishtina në Tiranë mund të lexoni 100 faqe të romanit «Prilli i thyer» të Ismail Kadaresë, të hani drekë në vagonin e trenit, të pini verë të Rahovecit apo çaj mali nga Zagoria.
Nga Enver Robelli
Fundjava mund të jetë kohë për ëndrra. Në numrin e së shtunës gazeta britanike «Financial Times» sjell një reportazh të gjatë mbi Uzbekistanin. Theksi vihet te mundësia fantastike që nga Tashkenti, kryeqyteti i Uzbekistanit, mund të mbërrish në Samarkand për vetëm dy orë – falë linjës së re hekurudhore. Distanca mes Tashkentit dhe Samarkandit është 344 kilometra. Distanca mes Prishtinës dhe Tiranës (sipas viamichelin) është 258 kilometra, pra dukshëm më pak se mes Tashkentit dhe Samarkandit. Emri Samarkand të bart në sfera gati metafizike. Qytet në Rrugën e Mëndafshit, qytet të cilit i kushtoi një roman shkrimtari libanez Amin Maalouf. «Samarkand» quhet romani dhe lexuesin e dërgon në shekullin e ’11, kur filozofi, matematikani dhe astronomi i rëndësishëm i Orientit, Omer Kajami, ishte i përndjekur nga fanatikët fetarë. Mendimet e tij Kajami i shkroi në veprën poetike Rubairat, të cilat në shqip i përktheu Fan Noli, por me pseudonimin Rushit Bilbil Gramshi.
Ah, nesër botën plot shamatë e lashë
Nga qindra xhevahire njëzet i dhashë;
Pa folur kanë mbetur qindra fjalë.
Se nuk merrte vesh kjo bot‘ e trashë.
Një engjëll më tërhiqte në xhami,
Një djall po më zvarrniste në dolli;
Po ver’ e kuqe e fitoi davanë:
Gërshet këtej – edhe andej hardhi.
Jo vetëm Samarkandi është bërë lehtë i arritshëm – falë hekurudhës moderne dhe trenave modernë. Të enjten Mbreti i Marokut Mohamend VI dhe presidenti francez Emmanuel Macron përuruan vijën hekurudhore al-Boraq, e cila lidhë Tangerin me Kazablankën (Casablanca) përmes Rabatit, kryeqytetit të Marokut. Trenat mes këtyre qyteteve do të lëvizin me shpejtësi deri në 320 kilometra ne orë. Tani nga Tangeri, përballë Portugalisë, deri në Casablanca, qyteti i famshëm edhe për shkak të filmit me të njëjtin emër, udhëtimi me tren zgjat vetëm 5 orë nga 10 sa zgjaste deri më tash. Çfarë mund të shohë njeriu përgjatë kësaj vije hekurudhore? Arkitekturën koloniale dhe plazhet e Casablancas, kasabanë e Rabatit, kafehanet e Tangerit, shkruan «Financial Times».
Së fundi Republika Popullore e Kinës ka inauguruar urën më të gjatë mbi det në botë. Gjatësia: 55 kilometra, kostoja: 15 miliardë euro, kohëzgjatja e punimeve: 9 vjet. Ura mbi det është në të vërtetë 36 kilometra, një tunel nën ujë është shtatë kilometra, plus dy ishuj artificialë. Të gjitha këto së bashku bëjnë 55 kilometra. Me këtë urë Kina krijon lidhje tokësore me Hong-Kongun dhe Makaon, dy zona nën administrim të veçantë. 21 vjet pasi Britania e Madhe ia ktheu Hong-Kongun Kinës, Pekini krijon një lidhje tokësore me këtë zonë; 19 vjet pasi Kina mori nën kontroll ish-koloninë portugeze Makao, edhe me këtë pjesë krijohet një lidhje tokësore. Tani udhëtimi nga Pekini në Hong-Kong zgjat nëntë orë (deri më tani: 24 orë).
E me çka po merret, xhanëm, bota shqiptare? Qe një temë ku duhet të fokusohet shoqëria shqiptare. Rruga mes Prishtinës dhe Tiranës duhet të shkurtohet. Këtë rrugë nuk e shkurton më autostrada. Ajo është ndërtuar keq për shkak se ashtu kanë dashur politikanët e korruptuar për të mbushur xhepat e tyre. Tani duhet menduar jo vetëm për politikanë të rinj e të pakorruptuar, por edhe vizionarë. E ardhmja duhet t’i takojë edhe hekurudhës. Për dy orë nga kryeqyteti i Kosovës në kryeqytetin e Shqipërisë – dhe anasjelltas? Po, kjo është e mundshme. Vetëm duhet të ndërtohet një hekurudhë. Që kjo ëndërr të bëhet realitet, duhet të kemi politikanë që nuk mendojnë se si të vjedhin nga tenderi i radhës, por si të përparojnë vendin. Paramendojeni këtë situatë: të ulur në vagonin e firmës zvicerane «StadlerRail» nga Prishtina në Tiranë mund të lexoni 100 faqe të romanit «Prilli i thyer» të Ismail Kadaresë, të hani drekë në vagonin e trenit, të pini verë të Rahovecit apo çaj mali nga Zagoria dhe sa çel e mbyll sytë do të dëgjoni zërin: «Zonja e zotërinj, pas pak çastesh arrijmë në stacionin e trenit në Tiranë. Faleminderit që udhëtuar me trenin tonë». Treni mund të bart emrin Ali Podrimja. Ndërsa treni që niset nga Tirana në Prishtinë në orën 06:00 të mëngjesit, pasi qejflinjtë kosovarë të braktisin «Whisky Bar» te Blloku, mund të quhet: «Lasgush Poradeci». Dhe dy orë më vonë, ndërsa keni pirë kafen e mëngjesit, në veshët tuaj do të jehojë zëri i ngrohtë i konduktorit: «Zonja e zotërinj, pas pak çastesh arrijmë në stacionin e trenit në Prishtinë».
Fundjava mund të jetë kohë për ëndrra. (Përndryshe trenat zviceranë bartin emrat e shkrimtarit të madh Max Frischit dhe arkitektit edhe më të madh Le Corbusier). Përndryshe: mes Novi Sadit dhe Beogradit tashmë qarkullojnë trenat e frimës Stadler. Dhe kinezët janë duke modernizuar hekurudhën mes Beogradit dhe Budapestit.