Ballina Aktualitet Kultura Visar Zhiti: Mbresë nga leximi i veprës së Kadaresë “Kur sunduesit grinden”

Visar Zhiti: Mbresë nga leximi i veprës së Kadaresë “Kur sunduesit grinden”

Nga Visar Zhiti 

3 minuta bisedë, madje në telefon, tre çerek shekulli më parë dhe larg në një tjetër vend, ka zgjedhur shkrimtari Kadare për të shtjelluar në veprën e tij më të fundit, “Kur sunduesit grinden”, që s’është thjesht roman, as memuaristikë, as sprovë, as kritikë, as…, por të gjitha këto së bashku, një vepër e veçantë marramëndëse, e tij dhe e pangjashme, me një sharm shqetësues.

3 minuta bisedë mes dy sunduesve, Stalinit dhe Pasternakut, i pari mbi një vend të madh dhe ndër më gjakatarët e historisë njerëzore, kurse i dyti, sipas Kadaresë, sundues i shpirtrave njerëzorë të atij vendi, të së njëjtës kohë, pra shkrimtar i madh.

Çfarë u bisedua në ato 3 minuta të famshme, që përthithën aq shumë vëmendje e vazhdojnë të përthithin? Stalini merr në telefon Pasternakun dhe e pyet për një shokun e tij të arrestuar, poet dhe ai sa ai, Mandelshtami, dhe Pasternaku i hutuar pak a shumë i përgjigjet se ne/ata jemi/janë të ndryshëm, gati s’njiheshin, dukej sikur donte të thoshte a e tha dhe diktatori si i zemëruar ia kthen se nuk mbrohen shokët kështu dhe ia mbylli telefonin, duke u hapur pas kësaj komentime të pafundme gjithandej, variante të bisedës së pakët, që gati s’mund të quhet e tillë, e pa përfundurar, me hamendësime që do të vazhdonin dhe sot e kësaj dite, siç na siguron Kadare duke u futur dhe vetë, si atij që i takon, në ato përsiatje tani.

Vërtet Stalini donte të mbronte Mandelshtamin nga Stalini? A mundej dot Pasternaku?
3 minuta dhe treshja infernale: diktatori & shkrimtari i njohur & i pa pranishmi – shkaktari i bisedës. Po ç’ishte ky? Poet i porsa arrestuar që do të përfundonte burgjeve dhe harrimeve, do e vrisnin a do të vriste veten, e njëjta gjë, por që a do të mund të rikthehej fantazmë.

Dhe tek të tre këta, autori i këtij libri, sovranshëm, që kërkon të shtjellojë, të ribëjë tufanin.
Gati një shekull sundim i perandorisë komuniste, pothuaj gjithë shekulli XX në një hapësirë të pa masë dy kontinentëshe, Europë dhe Azi, por dhe përtej oqeanit, në Amerikë, me 100 milionë viktima në të gjithë botën, sipas statistikave, me pushkatime e burgje e çmendje lemerisëse, baltë internimesh e zhdukje mizore, terror dhe frikë dhe uri, ankth, punë rraskapitëse e luftë, fitore të mëdha që janë ndërkohë dhe humbejet më të mëdha, entuziazëm që duket si një marrëzi kolektive, monumente dhe fabrika të zymta, klasë punëtore dhe artistë të trallisur, që duhet të jenë shërbëtore të tyre, konflikte dhe letërsi të detyruar të Realizmit Socialist, lumturi dhunuese e paqenë kurrë lumturi, etj, etj, dhe midis miliarda rënkimeve e britmave të gojëve të çaplyera dhe plagëve, fyteve të prera, mallkimeve, pëshpërimave, përbetimeve, të folurit nën zë, me vete, të gulçeve me dheun përsipër, grindjeve me gardianë, policë, redaktorë e sekretarë e mes vetë të persekutuarve, mes vëllezërve Abelë e Kainë, atit dhe birit dhe vetes, etj, etj, etj, që po t’i mblidhje nëpër burgje e kampe internimesh si kohë, mund të bënin shekuj, mijëvjeçarë dhe befas Kadareja, si trillan fantast që është, në këtë zallamahi botërore, zgjedh sfidueshëm vetëm tre minuta bisedë, as të vendit të tij e as të gjuhës së tij.

Aty jo vetëm që ndihet, por sipas tij, është shumëçkaja, nuklea, një mister kundër mistereve. Si shkrimtar i pa shoq, i intereson qendra, të cilën e fikson vetë, nga aty ku zanafillojnë ato që do të ndodhnin gjithandej, mes shteteve dhe njerëzve, fikshën dhe jo fikshën, sepse kemi të bëjmë dhe me realitetin tjetër, atë të shkrimtarëve, deri dhe të vetmitarëve të tyre e më tej, përfshi adulterët, more dhe shtratin bashkëshortor a arkëmortet e jo llogoret e kanalet e dënimeve në ferr, prangat dhe plagët e pushkatimeve.

Kadare zgjodhi si vend të veprës më të fundit duke iu rikthyer sërisht, Moskën, kryeqytetin e Bashkimit Sovjetik, ku dhe ka qenë student, në fakt dëshmitar.

Po kështu Kadaresë duket se i ka interesuar gjithmonë e larta, lartësitë, pa shkuar te qielli, aq sa mund të mbikqyrësh zotërueshëm shumëçka dhe zgjodhi tani kështjellën, Kremlinin me Stalinin brenda si një murg të rrezikshëm dhe pak më tej një apartament të Moskës, me Pasternakun brenda, “inxhinierin e shpirtrave”.

Nga gjithë ajo truallnajë trallisëse euro-aziatike e perandorisë komuniste, Kadaresë i mjafton tani fare, fare pak, aq sa ç’është afëria mes dy banesave të tyre, që, të para nga sateliti lart, do të përbënin, jo vetëm ato, por e gjithë Moska, veçse një pikël të vetme mbi zhguall të globit. Dhe mes miliarda e miliarda bisedave njerëzore të pafund, qoftë dhe të një dite, thashethemeve dhe intrigave globale, ofshamave të popujve që duket sikur ato i kanë krijuar retë përsipër tyre, Kadare, sipas llogjikës noprane të shkrimtarisë, siç e pamë, zgjedh vetëm tre minuta bisedë, një kampion të ajërt, ato pak fjalë të sikletshme që shkëmbyen mes tyre Stalini e Pasternaku, me telefon tre çerek shekulli më parë.
I mjaftjon kjo. Një marrëzi gjeniale për një shkrimtar, e prapshtë ndërkaq, ndërsa për lexuesin habitëse në mënjanësinë e saj, ankthëruese gjithsesi gjatë leximit, por që kanë përftuar një vepër letrare çudane, të papërsëritshme, e karuseltë, torturuese në rrotullimin e saj, me personazhë realë, që takohen, duan, ndahen, përloten, vdesin, harrohen.

Nxitoj të them atë që do të duhej të thuhej e para, vepra i shërben copërlueshëm kujtesës njerëzore, më të paktës – asaj elitare, në fund të fundit gjithë atij mekanizmi sa të ngadaltë e të përpiktë, po aq dhe ndëshkues, qoftë dhe në ndërgjegje, ndërkohë paqtues duke ngulmuar t’i vërë gjërat e kësaj bote në vendet e tyre, ato që do t’i duheshin, teksa harresa është djallëzisht katastrofike.

Me takt acarues nën një qetësi të kadifenjtë, sa ç’ia kërkon estetika e veprës, Kadare tek e vogla ndrydh të madhen, vetë hatanë nga drama e përbotshme. Te minimumi vë maksimunin, pra është autor i minimakseve, do të thosha duke huazuar një kompozitë të huaj. Vepra i ngjan një hetimi lodhës, ku lodhja këtu është e pa lodhshme, ku nga e rëndomta shkohet te sublimja, me atë magjinë kadareane, herë herë me seriozitet të zymtë e më pas me ironi groteske. E qeshura është plagosëse.

Një libër i vështirë-rrokshëm, i ngjan shakujve të erës te poemat homerike, te “Odisea”, që kanë të ndrydhur erë brenda, më të pa përfshirshmen, më të pa përshkrueshmen dhe çmitikisht i është dale, shakulli është hapur duke përplasur erë fytyrave, me qëllim, që duket sikur ky është dhe qëllimi artistik, se prandaj është krijimi dhe e më pastajmja… Paralelizmat janë kuptimplote, autori diku nga fillimi kujton dhe vetë telefonatën e diktatorit Hoxha me vetë Kadarenë, të cilin do ta përgëzonte për një poemë të tij dhe unë, nga emocioni i leximit e jo vetëm, marr të drejtën ta vazhdoj ose ta ribëj bisedën.

Edhe Enver Hoxha e mori në telefon Kadarenë në fakt për ta pyetur se ç’mendim kishte, jo për kolegët shkrimtarë, që i çuan burgjet, as për poetët që do të pushkatonin, Trifon Xhagjika, Vilson Blloshmi e Genc Leka, as për Havzi Nelën, që e varën etj, ai s’donte mendim për ta, por, më djallëzisht akoma, se ç’mendim kishte Kadare për Kadarenë që do të shkruante “Ura me tre harqe”, “Pallati i ëndrrave”, Koncerti…”, etj. Dhe Kadareja do të jetë hutuar, por që të mbronte veten e ardhshme, duhej të hutonte disi diktatorin, më djallëzisht akoma, me lëvdatën e mynxyrshme. Dhe Hoxha ka vazhduar: që të të mbroj, më mbështet… pa ia thënë kaq troç, duke e lënë të nënkuptuar si goditjet pas buzëqeshjeve tiranike.

Të thoshte “jo” Kadareja, ishte tmerrësisht e rrezikshme, ishte fundi, por dhe “po”-ja, kishte po aq rrezikun e mëvonshëm, post-hoxhist. Të ketë guxuar ta ketë mbyllur telefonin Kadareja, gjoja nga tronditja apo që nuk ka parë mirë, dhe pa dashje… dhe…

Përgjigjen e dha koha dhe vepra kadareane. Enver Hoxha u kundërshtua… dhe vepra më e fundit e Kadaresë vazhdon dhe pasi e mbaron së lexuari, me atë shtysën misterioze e të brendshme të saj. Nën ndikimin e asosacionit të ideve po më nëpërmendej një version shtesë i krerëve të veprës, kjo është magjia e saj, që vazhdon te lexuesi, i katërmbedhjeti, p.sh., me një grua sërisht, jo në Moskë, por në Tiranë, një nënë, imja, që ndal Kadarenë dhe i lutet për djalin që ia kanë arrestuar ngaqë donte të shkruante poezi dhe përgjigjja e Kadaresë dhe letra prekëse e Tij nga Parisi më pas dhe falenderimi im edhe tani, pas 27 vitesh.

Autori përmend burgun e Petro Markos, unë shtoj dhe burgosjen e djalit të atij, poet dhe ai dhe sakrificat e përçudnuara të nënës, Safos për ta liruar me doemos si version të pesëmbëdhjetë.

I kthehem dhe një herë librit që kemi. Diktatori gjakatar Stalini i telefonoi shkrimtarit më të njohur të vendit, Pasternakut, dhe e pyet nëse dëshiron ta ndihmojë një kolegun e tij, mik, që po e dënonte vetë Stalini dhe Pasternaku i hutuar nuk e mbron dot nga ai që po ia ofron ndihmën vrastare. Paradoks tragjik. Çelës për të hapur e gjykuar gjithë marrëdhënien, realen, të dukshmen mes diktaturës e shkrimtarit të saj. U zbut kështu sundimtari gjakatar apo kërkon bashkëpunëtor, sundimtarin tjetër, të ndryshëm nga vetja, atë të shpirtrave që ai nuk e beson, shkrimtarin?

Kurse i treti, nuklea e asaj bisede të mallkuar, Mandelshtami, është i pa qenë, ashtu duan ta bëjnë me mjete sa më barbare, e kanë arrestuar dhe po e nxjerrin nga realiteti, po e çojnë në tjetër kundër-realitet, në atë jo për të gjithë, por për një pakicë të shenjuarish, të përzgjedhurish që një djall e di se për ç’arsye, po e mbyllin në burg, në vdekje më pas, që ishte fare afër me burgun, mjafton të kaloje telat me gjëmba e nuk dilje i lirë në realitetin e lënë, por rrëzoheshe përfundimisht në humnerat e Hadit.

Mandelshtamët donin t’i zhbënin. Ata nxirreshin nga beteja ashtu si dhe nga jeta prej sundimtarit të parë, Stalinit, pa u mbrojtur dot nga sundimtari tjetër, Paternaku. Që më pas të ktheheshin si fantazmë, por më të fortë se më parë, kur të përmbyesej, më saktë kur përmbysja t’ia linte vendin një gjendjeje normale, afërsisht, a që tentohej drejt saj deri sa dhe ajo vetë të bëhej për t’u përmbysur.

Kufoma e Stalinit do të nxirrej nga mauzoleu e do të digjej, por dhe kufoma prej bronzi e Enver Hoxhës do të shkulej nga piedestali e do të copërlohej. Ata s’duhej të ishin lejuar të bënin aq sa bënë, gjëmën e përgjithshme…
Po Pasternaku? Që s’e mbrojti dot shokun, gjysmën e vetes? Apo duke qenë si njëlloj tjetër sundimtari, gjysmën tjetër e kishte peng te Stalini? Që të mbronte veten që s’ishte as Stalin e as Mandelshtam, por një nevojë urgjente e kohës. Dhe mbase duhet ta mësojmë veten që të mos t’i kërkojmë tjetrit më shumë, por aq, të bënte më mirë atë që mund të bëhej. Se heshtja nuk është letërsi.

E Kadareja? Ai është me Mandelshtamin në mungesë në këtë libër-apologji.
Në fund të fundit gjithkushi do të mund ta dëshmojë veten e vet, nuk e bën askush tjetër. Dhe vetja është te tjetri dhe tjetri te vetja.

Stalini prijëtar me krimet e veta, Pasternaku me librat e tij, me poezinë, që mbetet dhe Mandelshtami me zhdukjen po aq shumë se sa me veprën që mundi të shkruajë, me poezinë që mbetet dhe te ky, por dhe me atë që nuk mundi të shkruajë, që s’e lane e që s’dihet nën ç’shakull homerik është futur. Dhe vazhdoj me fjalët përmbyllëse të Kadaresë, “Osip Mandelshtami as ka qenë, as do të jetë ndonjëherë i vetuar në largësinë e vet. Dhe këtu qëndron, me sa duket, ajo që, për të shmangur fjalën e bujshme ‘pavdekësi’, do ta kishim më lehtë dhe më natyrshëm për Mandelshtamin dhe për të gjithë të ngjashmit e tij, fjalën ‘pafundësi’”.

Fundi është pafundësia. Edhe ky libër sikur do të na mësojë dhe me këtë. Por, që para se të jetë e parrokshme dhe universale, le të bëhet dhe ngushëllim i shenjtë, drejtësi patjetër, pse jo e shenjtë dhe kjo.

Kërkesa e autorit, bërë botuesit për mundesinë e një botimi tjetër të plotësuar të këtij libri, edhe pse ndokujt i ka krijuar gjendje keqardhjeje, madje dhe mërzie, unë e gjej si një shenjëz letrare të gjetur, së pari autori është i sinqertë me lexuesin, por dhe një lloj “ftese në studio”-n e Tij, ndërkaq mendoj se libri mjafton si i tillë, e ka dhënë veten, me një lloj pengu, që e bën të pa shtershëm merakun e bukur, se tek e fundit prandaj bëhet dhe një libër tjetër, vetë letërsia deri në “pafundësi”.(ExLibris)