Qeveria ka siguruar dy të tretat e nevojshme në Kuvend për votimin edhe të fazës së dytë dhe të tretë të ndryshimeve kushtetuese, të domosdoshme për zbatimin e marrëveshjes së emrit me Greqinë.
Qeveria, të premten, ka hartuar amendamentet kushtetuese pas bisedimeve që ka pasur kryeministri Zoran Zaev me grupin e ri parlamentar, apo 8 deputetët e përjashtuar nga VMRO DPMNE-ja.
Arritjen e marrëveshjes me këtë grup të deputetëve, disa prej të cilëve po gjykohen për vepra të rënda për dhunën e 27 prillit në Kuvend, e disa të tjerë janë nën hetime, e ka konfirmuar edhe kryeministri Zoran Zaev.
“Për mua ky proces është shumë i rëndësishëm, për herë të parë janë siguruar dy të tretat për çështje kaq të rëndësishme, siç është Kushtetuta. Më vjen mirë që nëpërmjet procesit të pajtimit gjetëm gjuhë të përbashkët edhe me deputetë të tjerë. Unë besoj se qëndrimi i tyre për të mbështetur ndryshimet në fazën e parë, tani do të arsyetohet me heqjen e të gjitha dilemave sa i përket identitetit tonë”, ka deklaruar Zaev, duke theksuar bindjen e tij për të vazhduar me zbatimin e marrëveshjes me Greqinë dhe arritjen e synimit për integrimin e vendit në NATO dhe BE.
Ai ka bërë të ditur edhe vendimin që pjesë e preambulës të jetë edhe Marrëveshja e Ohrit.
“Pjesa tjetër ka të bëjë me preambulën ku vendimet e KAÇKM-së (Këshillit Antifashist të Çlirimit Kombëtar) zëvendësohen me shpalljen e KAÇKM-së, ndërsa këtu shtohet edhe Marrëveshja Kornizë e Ohrit, që të jetë pjesë konstitutive e shtetit. Ajo është pjesë e Kushtetutës, por tani vetëm se theksohet formulimi saj që të jemi fer ndaj të gjitha bashkësive më të vogla etnike”, ka sqaruar Zaev.
Marrëveshja e arritur është konfirmuar edhe nga grupi i deputetëve të VMRO DPMNE-së.
“Draft-amendamentet tona do të përfshihen në propozim-tekstin e draft – amendamenteve të Qeverisë që kanë të bëjnë me forcimin e identitetit maqedonas, trashëgiminë kulturore dhe gjuhën; zbatimin në faza të ndërrimit të emrit për përdorim të brendshëm, duke ndjekur procesin që çon drejt anëtarësimit të plotë të Maqedonisë në BE, si dhe anulimin e të gjitha amendamenteve në rast se Greqia nuk e ratifikon marrëveshjen”, ka deklaruar deputetja Elizabeta Kançevska.
VRMO DPMNE-ja, e cila ka udhëhequr opozitën me grupin më të madh parlamentar, prej 51 deputetëve, tani ka 12 më pak. Por, pavarësisht kësaj dhe pamundësisë që të bllokojë ndryshimet kushtetuese, ajo mbetet në qëndrimin se marrëveshja me Greqinë për emrin është e keqe për vendin dhe se sërish do të votojë kundër.
Sipas vlerësimeve të Qeverisë, ndryshimet kushtetuese duhet të miratohen deri në javën e parë apo më së voni deri nga mesi i muajit janar të vitit të ardhshëm, për t’u hapur rrugën procedurave tjera, nënshkrimit të protokollit me NATO-n dhe ratifikimit të marrëveshjes për emrin edhe në Parlamentin e Greqisë./rel