Në fjalimin që shënon mbylljen e Parlamentit në Kosovë për 2018, të cilin e bojkotuan deputetët e Vetëvendosjes dhe LDK-së, Presidenti Hashim Thaçi foli për çështjen e kufirit me Serbinë, duke kërkuar unitet nga klasa politike për të mbyllur një marrëveshje historike.
Ai shtoi se mbështet ekipin e ri negociator dhe tha se nuk do të ketë Asociacion të Komunave serbe me kompetenca ekzekutive.
“Si president i vendit zotohem përsëri se diçka e tillë nuk do të ndodhë, në asnjë rrethanë. Pra nuk do të ketë themelim të asnjë Asociacioni me elementë ekzekutivë, që do ta defunksionalizonte shtetin e Kosovës”, tha Thaçi.
Në fjalimin e fundvitit, që është detyrë kushtetuese e tij, Thaçi tha se Kosova është e përkushtuar për dialog dhe paqe, e po angazhohet me të gjitha forcat që të jetë sa më parë vend anëtar në NATO dhe Bashkimin Europian, por kjo mund të arrihet vetëm duke mbyllur çështjet e hapura me Serbinë.
Duke kujtuar të shkuarën e dhimbshme në Kosovë, ai sidoqoftë tha se është koha të hidhen sytë nga e ardhmja dhe të fitohet paqja. “E mirëpres themelimin e ekipit negociator, i nderuar kryetar i Kuvendit, nga Kuvendi i Kosovës dhe fillimin e punës për marrëveshje me Serbinë”, tha Thaçi.
Por Presidenti Thaçi la të kuptohet se Uashingtoni mund të jetë vendi, ku Kosova dhe Serbia do të mbyllin konfliktin disa vjeçar.
“Lidershipi dhe qytetarët e Kosovës presin me padurim bekimin e kësaj marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë, nën lidershipin tuaj president Trump”, deklaroi ndër të tjera Thaçi.
Sipas tij, marrëveshja finale ndërmjet dy shteteve do t’i sjellë njohje nga Serbia dhe anëtarësim në OKB.
Ndërkohë, më herët kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli mblodhi krerët e shtetit dhe anëtarët e ekipit negociator, me qëllim unifikimin e qëndrimit për procesin e dialogut me Beogradin. Kryeministri Ramush Haradinaj, sidoqoftë e ka një “vijë të kuqe”. Në tavolinat e bisedimeve nuk do të flitet për shkëmbim territoresh.
Ekipi negociator shkon në Bruksel më 8 janar, duke pasur si kryefjalë qëndrimin e unifikuar, por ai sidoqoftë nuk ka mbështetjen e dy partive më të mëdha opozitare, LDK dhe Vetëvendosje. Këto të fundit i kanë dërguar madje letër ndërmjetësueses së dialogut, Federica Mogherini, duke kërkuar mosnjohjen e ekipit kosovar.