Thuajse i gjithë komuniteti i shkencëtarëve është në një mendje; në Tokë gjallesat janë shfarosur plot pesë herë në miliona vite ekzistencë të planetit tonë.
Por, ajo që ndan ata është për shfarosjen e gjashtë. Shumë thonë se nuk ka nisur ende, e po kaq deklarojnë se shfarosja e gjashtë në masë në planetin tonë ka nisur prej disa vitesh tashmë.
Grupit të dytë i përket studimi i një ekipi shkencëtarësh të publikuar në revistën “Proceedings of National Academy of Sciences”. Në këtë studim kanë marrë pjesë mbi 200 shkencëtarë në mbarë botën, që u bënë bashkë për të studiuar elementët kryesore që karakterizojnë, sipas tyre, nisjen e shfarosjes.
Një prej këtyre elementeve është edhe shumëllojshmëria e gjallesave. Sipas tyre, shumë specie që deri para pak vitesh ishin nën kërcënim, tani ose janë zhdukur, ose pritet të zhduken brenda një kohe të shkurtër.
“Situata është aq keq sa do të thoja që nuk është etike të mos përdorim fjalët përkatëse dhe fjalët përkatëse në këtë rast janë; shfarosja ka nisur”, thotë profesori meksikan Gerardo Ceballos.
Ai thotë se specie të ndryshme po zhduken me një shpejtësi shumë herë më të madhe se miliona vite më parë dhe kjo është shqetësuese. Shkencëtarët fajësojnë për këtë mbipopullimin dhe shfrytëzimin e burimeve natyrore nga njeriu.