Analistët vlerësojnë se qëndrimi negativ i kryeministrit Zaev për formimin e ushtrisë së Kosovës, është bërë me qëllim që Maqedonia të rreshtohet pas deklaratës së Sekretarit Gjeneral të NATO-së Jens Stoltenberg. Juristi Naser Ziberi vlerëson se Zaev duhet ta tërheq qëndrimin për ushtrinë e Kosovës, pasi që sipas tij, bie ndesh me vendimin e Qeverisë së Maqedonisë për ta njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe me votuesit shqiptarë që mbështetën LSDM-në në zgjedhje.
Mendoj se kryeministri do të duhet që në periudhën e ardhshme të korrigjohet në këtë drejtim sepse deklarata e tillë bie në kundërshtim me qëndrimin shtetëror të Republikës së Maqedonisë i të cilit shtet ai është kryeministër, bie në kundërshtim me partnerët e koalicionit në emër të cilëve qeveris, bie ndesh me një numër të konsiderueshëm të votuesve që e ka sjell në pozitën e kryeministrit zotëri Zaev, bie ndesh me shumë fqinj të RM-së madje edhe me anëtarë të NATO-s, në rend të parë me Shqipërinë, Kosovën po se po, me SHBA-të dhe të gjitha strukturat ku Maqedonia duhet të integrohet. Me e keqja është se nxit probleme të brendshme- pohoi Naser Ziberi – Analist.
Edhe Nikolla Dujovski thekson se Zaev përmes deklaratës së djeshme është munduar që të tregoj lojalitetin ndaj NATO-s. Është e natyrshme mbështetja e Kosovës nga partitë shqiptare në Maqedoni, thotë Dujovski.
Politika e Maqedonisë është që të mbështes qëndrimin e NATO-s. Tani jemi në një periudhë kruciale kur politika shtetërore ka të bëj me ndjekjen e politikave të aleancës së NATO-s të cilët qartë thanë se nuk është tani koha e vërtetë. Partitë politike shqiptare në RM edhe më tej do të vazhdojnë që t’i mbështesin politikat e miqve të tyre në veri por ajo nuk do të thotë se do të ndryshohet politika jonë. Ne nuk jemi pjesë e atij problemi e as nuk mund të jemi e pjesë e ndonjë zgjidhjeje- deklaroi Nikolla Dujovski – Analist.
Reagime të shumta nëpër rrjetet sociale janë vërejtur edhe nga qytetarët shqiptarë në Maqedoni, ndaj qëndrimit të kryeministrit Zaev, se Kosova ka marr vendim të nxituar për formimin e ushtrisë.