Ish-kryeministri Sali Berisha në një intervistë me gazetarin Adi Krasta në News24 tregoi se Rama mund të rrëzohet nga pushteti vetë me mosbindje civile.
“Ky njeri potencialin negativ të problemeve të tij psiqike, e çon drejt qytetarëve,” shprehet Berisha në A-Show teksa shton se PD do t’i fitonte zgjedhjet nëse do të kishte realisht zgjedhje.
Krasta: A ka mundur PD e sotme ta formulojë së brendshmi një mesazh, do fitoni zgjedhje që të jeni rivalë të fortë apo ne të presim që PD të shkojë deri në fund me atë shpërbërje që ka treguar?
Berisha: Unë jam i sigurtë se nëse Shqipëria do ketë zgjedhje, PD do i fitojë. Problemi është se Shqipëria nuk ka zgjedhje, se ato i përcaktojnë bandat prandaj misioni i PD është përmbysja e Ramës jo për të ardhur në pushtet me forcë po për të krijuar kushtet për zgjedhje të lira. Pse u bënë protestat e çadra? Për zgjedhje të lira, por Rama përfitoi. Rama që nga ajo periudhë ka shtrënguar lidhjet me krimin më shumë se kurrë. Sot bandat janë vendimmarrësit kryesorë. E konsideroj të domosdoshme një mosbindje civile për largimin e tij nga pushteti.
Krasta: Çfarë marrëdhënie keni ju me të? Kam përshtypjen se ju jeni “inside his head”. Jeni folësi çip në kokën e tij.
Berisha: Unë jam mjek dhe shoh dhe përroin psiqik të tij, i cili është një përrua që prodhon një llum negativitetesh, vërshojnë në vend në mënyrën më të padurushme. Ky njeri potencialin negativ të problemeve të tij psiqike, e çon drejt qytetarëve. Mer rastet e fundit, fishekzjarrët, a mundet njeri në botë? Se ka frikë vetë se mos e gjuajnë studentët me fishekzjarrë dhe ndalon kombin. Si mund t’i ndalosh fëmijëve? Unë ia njoh psikologjinë shqiptare. Ai po përdor atë vajzën policen. Fishekzjarret në gjithë botën dihet që kanë fuqi eksplozive, duhen përdorur me kujdes, po nuk i ndalon njeri kurrë. Ky është akt talebanesk. E bën nga frika e tmerri se mos po mbushin nxënësit xhepat dhe ja hedhin. Dhe shkon te ajo vajza, përpiqet ta paraqesi si Shkurte Palë Vatën, shqiptarët nuk e hanë kurrë. Ky është makabër, i ka të gjitha të përroit të tij psiqik.