Nga Moikom Zeqo
Gjuha shqipe është Enciklopedia më e Vjetër dhe më e Re e popullit tonë, një thelb i pavdekshëm i ekzistencës etnike e progresit të tij në shekuj.Ajo e ka mbajtur popullin dhe populli e ka mbajtur atë. Kronika e kësaj gjuhe është historia e një rezistence të pashembullt.Leksiku i saj pasqyron edhe fjalë nga gjuhët e atyre që kanë invaduar trojet e saj.Nga ana e saj kjo gjuhë e një populli që s’i ka invaduar të tjerët u ka dhënë gjuhëve fqinje, edhe fjalë të vetes.Shqipja, siç dihet, është gjuhë indoevropiane.Ilirët antikë, arbrit e mesjetës e shqiptarët e sotëm janë poseduesit krenarë të kësaj gjuhe, të folur qysh në thellësi të shekujve.Shqipja rrjedh nga ilirishtja e lashtë.Panorama historike e saj mbart një kontradiktë: gjuhë e dëshmuar që në kohë të skajshme,- por e shkruar si gjuhë e kultivuar relativisht vonë- në krahasim me lashtësinë tepër të madhe të saj.
Libri i parë shqip, siç dihet, është i Buzukut dhe është botuar në vitin 1555.
Ky libër është një dukuri shqiptare e spikatur për ne në mjedisin e mbarimit të Kohës së Mesme dhe gjallerimit të Rilindjes Evropiane, në kushtet tragjike e jashtëzakonisht të rënda të robërisë perandorake osmane mbi Shqipërinë.
Ekziston një etapë e tërë parabuzukiane, shekujt XIII, XIV, XV, me dëshmi mbi shqipen, si dhe dokumentet konkrete të saj.
Po në esencë etapa parabuzukiane është paraletrare.
Me Buzukun që, me sa dihet deri sot, është autori më i parë i bibliotekës shqipe, nis etapa e mirëfilltë letrare, nis kultivimi i gjuhës në mënyrë të ndërgjegjshme.
Libri i Gjon Buzukut u zbulua më 1740 nga Gjon Kazazi në arkivat e Vatikanit por ekzistenca e librit u la në harresë për shumë kohë derisa e rizbuloi Pal Skiroi më 1910.
Ruhet vetëm në një ksombël.
I mungon fleta e frontespicit, gjë që na bën të mos dimë titullin e vërtetë, por nga studiuesit është quajtur “Meshar” (“Missale”).
Libri ka një Pasthënie të shkurtër, ku njihemi me emrin e autorit, kohën e shkrimit të librit, qëllimin për të cilin e shkroi e disa të dhëna të tjera.
Kronika biografike e këtij shkrimtari është e mangët, por personaliteti i tij mund të zbërthehet nga vepra që na ka lënë: krijimi dëshmon për krijuesin jo thjesht si individ po edhe si kohë.
Më 20 mars të vitit 1554 Gjon Buzuku u ul të shkruante veprën e tij që, siç dëshmon vetë në pasthënie, e mbaroi më 3 janar 1555.
Gjatë afro dhjetë muajve a i shkroi tepër i preokupuar, me përgjegjësi të madhe para vetes dhe kombit fjalët e gjuhës amtare, plotësisht i ndërgjegjshëm për veprimin artistik që po realizonte.
Ky ishte një aksion kulturor i një rëndësie të jashtëzakonshme e të padiskutueshme, që nuk do të zbehej e nuk do të zhvlerësohej aspak në shekujt pasardhës.
Autorët e dokumenteve të shqipes përpara Buzukut janë larg nismës madhore të këtij të fundit, nismë me karakter më të ndërgjegjshëm e të kompletuar.
Vetë Buzuku shkruan në Pasthënie: “Duke menduar shpesh herë që gjuha jonë nuk kish gjë të kuptueshme… prej dashurisë së atdheut tonë desha të përpiqem, me sa mund të dija, të ndrit pak mendjen e atyre që të kuptojnë…” ( po e botoj ne variantin letrar .)
Me të drejtë deri tani Buzuku konsiderohet si prekursor, si më i motshmi shkrimtar i shqipes
Buzuku qe i pari qe i beri shqiptaret Popull te Librit !
Nga Buzuku e deri te De Rada dhe Naim Frashëri, që janë eterit e Letërsisë Moderne Shqipe, ka një periudhë disashekullore inkubacioni, që çon në Rilindjen e fuqishme Letrare e Kulturore të kombit, e cila përfaqëson një hap të pakrahasueshëm me të kaluarën (po të mos harrojmë: edhe si rezultat i një tradite paraardhëse).
Emri i Buzukut De Rades dhe Naim Frashërit janë të ndërlidhur, caqe të kronologjisë e historisë së shqipes së shkruar.
Më 1555 ishte 150-vjetori i lindjes së Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, (1405-1468).
Kjo koincidencë jubilare është mjaft kuptimplotë. Shekulli epik i Skënderbeut u transmetoi shekujve pasues idenë madhështore të lirisë.
Skënderbejada e Mesjetës së përflakur shqiptare qe, veç të tjerave, edhe një dialog i Shqipërisë me Rilindjen Europiane. Vetë kryeheroi shqiptar qe një rilindës i madh, një nga titanët e “kohës që kërkonte titanë”.
Shekulli XVI është shekulli i pështjellimeve tronditëse deri në themelet për Shqipërinë dhe Evropën.
Kryengritjet shqiptare ringjallnin shekullin e Skënderbeut, prometeizmi luftarak i popullit synonte rifitimin e lirisë, çlirimin nga kuçedra e Azisë, perandoria e osmanëve.
Koalicioni Evropian i vitit 1536 kundër osmanëve ngjalli shpresa e krijoi projekte të bujshme për çlirimin e Ballkanit, por ai u tregua i zbehtë e anemik e më tepër i dha rëndësi anës propagandistike sesa veprimit konkret.
Më 1540 Venediku del nga koalicioni e bën paqe të veçuar me Portën e Lartë.
Në këto rrethana shqiptarët, si kurdoherë, mbeten vetëm fare e vazhdojnë luftën e tyre titanike për ekzistencë.
Rreziku i islamizimit në masë në këtë shekull u bë mjaft i madh e në plan të parë kishte dalë detyra urgjente historike e kombëtare e ruajtjes së individualitetit të kombit, kundër shkombëtarizimit.
Ishin momente tepër të rënda, momente të një prove totale. Nga ky mjedis tragjik dhe i ashpër i shekullit dhe i popullit të tij doli dhe u evidentua Buzuku.
Ai diti të kuptonte shqetësimin e kombit për gjuhën e tij e të shfrytëzonte kushtet e krijuara në Evropë e Ballkan për të shkruar veprën e tij, për të kontribuar për lëvrimin e vitalitetin e shqipes.
Shekulli XVI është shekulli më i spikatur i Rilindjes Europiane nga të gjitha pikëpamjet.
Shkatërrimi i papërmbajtshëm i rendit feudal, akumulimi fillestar i kapitalit, kultura humaniste po dominon kontinentin e vjetër.
Kisha, “sinteza më e përgjithshme dhe sanksionimi më i lartë i rendit feudal” kishte marrë goditjen e plagë vdekjeprurëse prej Reformacionit, Luterizmit, Myncerizmit, Kalvinizmit e doktrinave të tjera protestante, që nën veshjen fetare përfaqësonin interesa të mprehta politike të borgjezisë që po lindte.
Në gjysmën e dytë të shekullit XV Kisha Katolike nisi Kundërsulmin e saj për të fituar pozitat e humbura: Kundërreformën. Shqipëria, ndonëse e pushtuar, s’ishte e izoluar nga e tërë atmosfera e acaruar në kulm e Evropës.
Shkrimi i gjuhëve amtare qe një moto kryesore e një nga dukuritë thelbësore të humanizmit rilindas.
Këtu është nyja ndërligjëse më përfaqësuese e Buzukut me kulturën e avancuar humaniste dhe me personalitetet e shquara rilindës, kohëtar të tij.
Madje, duke shkruar shqip, Buzuku ka një përparësi edhe ndaj vetë Barletit të madh.
Barleti e ndërlidhi me mjeshtëri si askush temën shqiptare me publikun evropian.
Kurse Buzuku synoi në radhë të parë publikun shqiptar.
Ai lëvron gjuhën për vetë shpëtimin e gjuhës, për të luftuar kundër shpërbërjes së saj.
Konceptet e tij thellësisht humaniste mbi gjuhën amtare e lartësojnë së tepërmi veprën e tij.
Po Barleti dhe Buzuku gjithashtu plotësojnë njëri-tjetrin, janë shprehje të fuqishme të të njëjtit humanizëm shqiptar, bashkëkohës që realizuan detyra të mëdha të të njëjtit front, në shërbim të atdheut.
Veprën e tij ia kushton popullit e atdheut.
Ai këtë e ka shprehur fare qartë, madje duke i nënkuptuar ato mbi gjithcka.
Shtojmë se në veprën e tij që është, siç dihet, një përkthim vise-vise mjaft i lirë, siç e kanë vënë në dukje me plot të drejtë studiuesit, ka edhe “gabime” të karakterit kanonik, gjë që ka sjellë, me sa duket, edhe ndalimin e qarkullimit të “Mesharit”, të futjes së tij në indeksin e librave të ndaluar nga Vatikani.
Këtu kemi të bëjmë me një moment politik e shoqëror mjaft të rëndësishëm, që na e ndriçon personalitetin e Buzukut e na e lartëson.
Kjo s’ka asnjë dyshim. Buzuku në librin e tij ka përkthyer jo vetëm tekste të Kishës Romane, por edhe ne perdorim të Kishës Ortodokse, duke qenë vetë katolik.
Këtë ai e ka bërë natyrisht me ndërgjegje.
Duke ndier thellë forcën e veçantë të gjuhës shqipe, duke e njohur mirë natyrën e strukturën e brendshme të saj, duke e trajtuar me pasion të madh atë, Buzuku e kreu misionin e tij novator në mënyrë të lavdërueshme.
Pa njohuri e kulturë të gjerë shkencore gramatologjike, pa përvetësimin e disa gjuhëve të tjera të huaja, do të ishte e vështirë dhe e pamundur që Buzuku të krijonte alfabetin më të përshtatshëm për veprën e tij, të realizonte shkrimin fonetik e ortografinë e fjalëve shqipe, për të na lënë kështu dëshmi autentike të shqipes mesjetare të para katër shekujve.
Alfabeti që përdor Buzuku është latin.
Duke sjellë ndër mend diskutimet e përpjekjet që u bënë disa shekuj më vonë për ta shkruar shqipen me alfabetin grek, arab etj., kuptojmë më mirë se përcaktimi i alfabetit latin i Buzukut është një zgjidhje e shkëlqyer e paraprijëse, që në Rilindjen Kombëtare do të fiksohej si alfabeti përfundimtar i letrave shqipe, natyrisht me disa ndryshime më progresive.
Për jetën vetjake të shkrimtarit tonë të motshëm nuk dimë pothuaj asgjë (veç atyre pak të dhënave që dalin nga analizat e veprës së tij), emri i Buzukut është një emër shqiptar i përdorur nga breza të tërë njerëzish si emër i përveçëm.
Kjo del disa herë në dokumente të ndryshme.
Nuk lidhet me emrin “buzuk” (vegël muzikore), por është një kompozitë dyfjalëshe Buz-uku, Buz-ulku, Buz-ujku. Pranë Obotit dhe Karuçit në krahinën e Tivarit është katundi me emrin Buzulki.
Si emër njeriu Buzuk, Buzulk, përdoret rëndom në Kalabri tek arbëreshët. Buzukë është emri i një lagjeje të Melgushit të Shkodrës (shih E. Çabej “Studime etimologjike në fushën e shqipes” II, Tiranë 1979).
Nga pikëpamja e gjuhës, shkrimtari Buzuku duhet të ketë qenë më ngushtësisht nga treva midis Shkodrës dhe Ulqinit, rreth Krajës dhe Shestanit.
Deri në ditët e sotme ka dy familje Byzyku në qytetin e Ulqinit, po kështu toponimi Vorret e Byzykve (shih Onomastika e Kosovës, B. Brisku “Disa shtresëzime gjuhësore në toponiminë e regjionit të Ulqinit).
Në pasthënien në fund të librit, Gjon Buzuku shprehet lakonikisht mbi veten, qëllimin atdhetar e krenarinë se është i pari që shkruari shqip.
Gjatë shtypjes së librit ai shënon se ai duhej të kishte kujdes për kishën, të cilën, me sa duket, nuk e kishte shumë larg nga shtypshkronja.
Tani për tani, nuk mund të identifikohet vendi i kësaj shtypshkronje.
Për ne ka rëndësi se Buzuku e ka ndjekur botimin e veprës me seriozitet, ka punuar vetë me bocat, me redaktimin e tyre. Nuk dihet tirazhi i librit.
Ksombla e librit, e mbyllur në indeksin e Vatikanit, ka qenë përdorur para ndalimit në Shqipëri, nga intelektualët shqiptarë të kohës.
Sipas prof. Dh.S.Shuteriqi, i cili është marrë me anëshkrimet, është përdorur në zonën e Kepit të Rodonit të Durrësit, ndonëse Shuteriqi e konsideron këtë ende një hipotezë pune për t’u shqyrtuar në të ardhmen (shih. Dh.S.Shuteriqi “Autorë dhe tekste”, Tiranë, 1977).
Duke qenë në indeks libri i Buzukut qe i ndaluar të përmendej.
Dihet se Budi e Bogdani kanë përdorur traditën shkrimore e alfabetin e Buzukut, por as njëri dhe as tjetri nuk ia thonë emrin. Vetëm Bogdani, në një Relacion të tij të vitit 1665, në krye të një liste të librave shqip të botuar deri në atë kohë, përmend Ungjijtë në gjuhën shqipe (L’Evanngelij in Albaneze).
Pa dyshim që është fjala për librin e Buzukut, në rast të kundërt do të kishim një dëshmi më vete të një autori tjetër.
Nga pikëpamja grafike është për t’u shënuar se një pjesë e germave iniciale të librit janë të pajisura me ndonjë figurë ose vinjetë, kurse në faqen LXXXIX dikush nga përdoruesit e ksomblës së “Mesharit” ka vizatuar me penë një anije me një direk, me velë të mbledhur dhe sipër fjalën “Aiasa”.
Shuteriqi mendon se ndoshta është emri i katundit Hasanaj pranë Krujës.
Apo është emri i anijes, mbase një formë e shkruar jo e rregullt e emrit “Ajaks”?
Sidoqoftë, figura e anijes na tregon një mjedis bregdetar të atyre që kanë lexuar e kanë pasur në duar librin e Buzukut.
Ky mjedis bregdetar është ose treva e Tiva-Ulqinit ose Rodonit të Durrësit.
Vizatimi në fjalë ka rëndësi edhe për historikun e dëshmive më të hershme mesjetare të një vizatimi të lirë në shekullin XVI, në viset shqiptare, nga vetë shqiptarët.
Buzuku, sipas studiuesve, i përket pra trevave Shkodër-Ulqin-Tivar.
Kjo ndihet edhe në gjuhë.
Po Buzuku nuk ka bërë thjesht një vepër dialektore.
Ai synonte për më shumë, për një sintezë e përgjithësim (aq sa ia lejonte koha natyrisht) të shqipes.
Siç e thekson në mënyrë të argumentuar prof. Eqrem Çabej, Buzuku shkruan në mjaft raste “një shqipe klasike” dhe se “tek ajo kemi të bëjmë me një farë koineje”.
Me tendencën e tij për të njehsuar gjuhë, për të ngritur në një shkallë mbidialektore, Buzuku dëshmon tërthorazi për ekzistencën e një tradite më të hershme të shkrimit të shqipes, kurorëzimi i së cilës është “Meshari”.
Gjithashtu ky veprim i tij me karakter novator thotë se Buzuku e kuptonte dhe e ndiente intuitivisht perspektivën e zhvillimit të brendshëm ligjësor të gjuhës së shkruar të kombit. Ai është pararendësi i parë i madh në këtë rrugë.
Krahas leksikut popullor që përdor, Buzuku krijon edhe neologjizma, kalke, duke treguar praktikisht një nga rrugët më të efektshme të pasurimit të gjuhës me vetë mjetet e saj, duke u bërë shembull i një qëndrimi krijues ndaj gjuhës.
Çabejt i takon merita se qe i pari që vuri në dukje se me Buzukun kemi jo vetëm një nismë madhore të prozës shqipe të kultivuar, por një përpjekje ndonëse ende rudimentale të vjershërimit shqip.
Kështu Buzuku (shih folio XII verso, shtylla e parë e fotokopjes së “Mesharit”) dy vargjet e këngës latine:
Ave maris stella
Dei Mater alma..,
i shqipëroi kësisoj:
Ty të nfalemi, o uilli i detit
e Amë e denjë e Tinëzot…
Siç shihet është një shqipe e pastër.
Përkthimi është deri diku i lirë. Vargjet origjinale latine janë gjashtërrokësh.
Ndërsa Buzuku përdor një masë tjetër, më të përshtatshme vjerëshimi me këtë rast konkret: vargjet 10 rrokësh, që siç dihet janë të teknikës së folklorit, të poezisë popullore shqiptare.
Madje 10 rrokshi është edhe masë kryesore e Eposit Shqiptar të Kreshnikëve (cikli i Mujit dhe Halilit).
Mundet që eposi ynë në fjalë të ketë qenë i njohur nga shkrimtari e shqiptari Buzuk.
Më vonë Budi e Bogdani do të fusin në krijimet e tyre edhe figura të tilla si zanat dhe figuracionin popullor që lidhet, mendojmë ne, edhe me traditën e eposit.
Çështja e ndikimit të kulturës folklorike e eposit në shkrimtarët e vjetër vlen të hetohet nga studiuesit tanë se është me një interes jashtëzakonisht të madh.
Duke gjykuar sot shohim se në vargun e parë theksat e brendshëm bien në rrokjen e tretë, shtatë e nëntë.
Kurse në vargun e dytë në rrokjen e dytë, në atë të katërt e të nëntë.
Siç shihet, vargu mbyllet me theks parafundor e tjetri me theks fundor.
Buzuku nuk e vazhdon këtë vjershërim më tej, kështu që s’mund të flasim për një strofë apo një vjershë të tërësishme.
Në vazhdim të analizës vëmë në dukje se Buzuku për fjalën latine “alma” (almeus, a, um), që do të thotë në një kuptim të parë “jetëdhënës”, “bamirës” e në një kuptim të dytë “hyjnor”, “i shenjtë”, “qiellor”, përdor si korresponduese shqip fjalën “e denjë”, një epitet me nuancë kuptimore deri diku të pabarabartë me fjalën latine të mësipërme.
Epiteti “i denjë” është më tepër i sferës laike, kurse “alma” është e sferës së kultit.
Po kështu fjalën latine “dei” Buzuku e përktheu me fjalën e përbërës shqipe “Tinëzot” (një bashkim i emrit me përemrin). Del e qartë se Buzuku nuk përkthen mekanikisht, por si poet që ka dijeni stilistike e në mënyrë krijuese.
Por për ta bërë më të gjerë e më të hollësishme dijen tonë rreth prirjeve poetike të Buzukut e lidhjeve të tij me vjershërimin shqip theksojmë se duhet vlerësuar në rrafshin e temës së këtij shkrimi sidomos dhe prozat poetike, të cilat janë të shpeshta te “Meshari”.
Në këto proza Buzuku spikat si mjeshtër plot finesë e frymëzim i gjuhës, e shtjellon me dashuri gjuhën shqipe duke e parë nga pikëpamja estetike, duke na dhënë kështu një shembull të madh të qëndrimit krijues ndaj shqipes, për ta paraqitur të denjë si gjuhë kulture e arti.
Në studimet mbi historinë e letërsisë si kufi kronologjik i poezisë së parë shqipe të kultivuar merret vjersha e vetme e Lekë Matrëngës (1563-1619) e vitit 1502.
Ne kemi mendimin se në këto fillime ka vendin e tij edhe Buzuku, i cili është jo vetëm prozatori i parë i shqipes por, siç e trajtuam në këtë shkrim, edhe ndër poetët e parë.
Buzuku është para së gjithash atdhetar i angazhuar dhe i pari që e lidh literaturën shqipe me çështjen kombëtare.
Veprën e tij ia kushton “nsë dashunit së botësë sanë”.
Shumë i qartë është aludimi që bën Buzuku në këto rreshta të “Mesharit”: “Vëllazënë, u banj me ditunë se ma anshtë hera na ngjumit me u ngritunë… dita u afërue”.
Këtë ide do ta shpallte haptazi dhe jo ndërmjet figuracionit biblik në 1836. De Rada me vargun-moto “Ardhi ditë e Arbërit”. Buzuku ishte kohëtar me figura të spikatura të Evropës.
Martin Luteri kishte përkthyer Biblën në gjuhën gjermane afro dy dekada më parë se Buzuku, duke i dhënë “lëvizjes së plebejve një armë të fuqishme” për të luftuar kundër krishtërimit të hershëm që i përshtateshin interesave politike të revolucionit të tyre.
Po fronti i Buzukut është sidomos ai i përballimit kundër islamizimit e zhdukjes së gjuhës shqipe.
Situata shqiptare kishte përcaktuar dhe karakterin e veprës së Buzukut.
Ndonëse ai ka përkthyer pjesë fetare, vepra e tij tejkalon caqet konvencionale fetare.
Kufizimet e Buzukut, që janë para së gjithash të kohës së tij, duhen parë pikërisht në këtë prizëm.
Për të evidentuar sidomos jo atë që ai nuk e bëri dot, por pikërisht atë që bëri në konditat ekstreme të një reaksioni, kur ishin në balancë fatet e kombit e vazhdimësia e tij, kur gjuhës shqipe i vihej përballë alternativa e vdekjes.
Kohëtar me Buzukun qe edhe piktori i madh shqiptar Onufri, i cili veproi kryesisht në Shqipërinë e Mesme.
Onufri është një novator i madh i një pikture kishtare, që i dha një theks kombëtar, tentoi të futë në pikturë koncepte rilindëse.
Si për Buzukun dhe Onufrin dogmat fetare nuk janë tabu, ndonëse i pari është katolik dhe i dyti ortodoks.
Ata kanë të përbashkët ndjenjën kombëtare e tendencat e tyre të krijimtarisë puqen, ndërthuren, duke përbërë materien e kulturës shqiptare të kohës.
Duke pasur parasysh edhe Barletin, themi se trinomi Barlet-Buzuk-Onufër është kulmi i kësaj kulture.
Në pikëpamjen e gjuhësisë historike vepra e Buzukut është një thesar informacioni gjuhësor i pazëvendësueshëm.
Në të hetohen shtresëzime kronologjike në mjaft forma gjuhësore.
Për etimologjinë e fjalëve shqipe është i nevojshëm ky material bazë.
Duke qenë se shqipja është një gjuhë indoevropiane e vjetër, vetëkuptohet rëndësia që ka vepra e Buzukut përtej caqeve të shqipes për gjuhësinë indoevropiane.
Shumë dijetarë të huaj, si Norbert Jokli, Tagliavini, Tomi, Mario Roku etj., kanë përqendruar vëmendjen te vepra e Buzukut duke e vlerësuar lart.
Studimin më të plotë, më me kompetencë e më të hollësishëm mbi këtë subjekt e ka bërë pa dyshim albanologu shqiptar Eqrem Çabej (1908-1980). ( Botuar per here te pare ne 1983 )