Ballina Top Lajm Eksod punëtorësh nga Ballkani

Eksod punëtorësh nga Ballkani

Nuk mund të pritet që punëtori, që këtu punon për 250 deri 300 euro, të lidhet në mënyrë afatgjatë për një vend pune në Maqedoni. Përveç asaj se punëdhënësit gjerman ofrojnë paga shumë më të larta, njerëzit nga Maqedonia dhe shtetet e rajonit në Gjermani gëzojnë edhe siguri sociale dhe juridike, ndërsa fëmijët e tyre kanë mundësi për arsim më të mirë dhe punësim më të mirë

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 29 dhjetor – Liberalizimi i tregut të punës në Gjermani mund të shkaktojë një eksod të vërtetë të fuqisë punëtore nga rajoni për shkak të pagave të ulëta në Ballkanin Perëndimor dhe mungesës së perspektivës së qartë në shtetet e rajonit. Kompanive gjermane do t’u mundësohet të punësojnë punëtorë të huaj nga të gjitha profesionet, përkundër listës zyrtare të sektorëve ku mungon fuqia punëtore. Gjithashtu, edhe të diplomuarit dhe punëtorët me shkathtësi të ndryshme profesionale do të fitojnë mundësi që të ikin në Gjermani për gjashtë muaj dhe të kërkojnë punë. Njohësit e tregut të punës thonë se me këto paga që ofrohen në Maqedoni, është e pritshme që njerëzit të kërkojnë ardhmërinë e tyre jashtë shtetit, shkruan gazeta KOHA.

“Nuk mund të pritet që punëtori, që këtu punon për 250 deri 300 euro, të lidhet në mënyrë afatgjatë për një vend pune në Maqedoni. Përveç asaj se punëdhënësit gjerman ofrojnë paga shumë më të larta, njerëzit nga Maqedonia dhe shtetet e rajonit në Gjermani gëzojnë edhe siguri sociale dhe juridike, ndërsa fëmijët e tyre kanë mundësi për arsim më të mirë dhe punësim më të mirë. Andaj, edhe një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve në rajon të profileve të ndryshme të punës planifikojnë ardhmërinë e familjes së tyre jo në vendlindje, por jashtë saj”, thonë sociologët. Megjithatë, ajo që mungon në tregun gjerman të punës janë njerëzit me kualifikim të ashtuquajtur të nivelit të mesëm: infermiere, kujdestarë, ndihmës në kopshtet e fëmijëve dhe profesionistë si elektricistë apo marangozë. Vlerësohet se punë të tilla mbulojnë 60 për qind të tregut gjerman të punës. Në vitet e fundit, nga Maqedonia në Gjermani kanë ikur me dhjetëra mijë punëtorë të kualifikimeve të ndryshme si mjekë, motra medicinale, inxhinierë të profileve të ndryshme, punëtorë të ndërtimtarisë, shoferë, berberëve…

Deri në muajin gusht të vitit 2018, për shtetet e Ballkanit Perëndimor janë miratuar mbi 160 mijë viza pune, ku qytetarët e rajonit aktualisht mund të punojnë në Gjermani nëse kanë leje qëndrimi dhe leje pune. Ka mbi 50 leje të ndryshme që mundësojnë qëndrimin në Gjermani. Këtu bëjnë pjesë vizat për artistët, leja e kufizuar e qëndrimit, leja e pakufizuar e rezidencës, “Karta Blu” e Bashkimit Evropian për punonjës shumë të kualifikuar, e kështu me radhë. Veç kësaj ekzistojnë edhe shumë rregulla e dekrete të shpërndara në të gjithë legjislacionin gjerman.

Me ligjin e ri për planifikim të emigracionit pritet të zbuten, në mos edhe të zgjidhen në perspektivë, problemet e natalitetit të ulët dhe popullsisë në plakje në Gjermani, të cilat ua bëjnë të vështirë sipërmarrjeve që t’i zënë me punonjës të kualifikuar vendet vakante të punës. Njëherazi, edhe punësimi i shtetasve të BE-së nuk do të jetë i mjaftueshëm, për të kompensuar mungesën e punonjësve të kualifikuar në tregun gjerman. Gjermania, për këtë arsye duhet të jetë shumë më efektive në tërheqjen e punonjësve të kualifikuar nga vendet e treta. Me ndryshimet ligjore do të lehtësohet qëndrimi në Gjermani për gjashtë muaj për gjetje të punës nëse personi e flet gjuhën gjermane dhe ka mundësi për të financuar qëndrimin e tij. Thjeshtësohen dhe lehtësohen procedurat e ndryshme administrative, ndërsa termini “fuqi e kualifikuar punëtore” përfshin personat me diplomë universitare dhe punëtorët e kualifikuar, apo me kualifikime më të ulëta profesionale që do të lehtësojë gjetjen e një vendi pune për personat që nuk posedojnë diplomë universitare.

Pjesë e rëndësishme e ligjit është edhe “përcaktimi i ekuivalencës së kualifikimeve”. Pranimi i diplomave deri tani ishte një proces i vështirë që vështirë realizohej nga vendi amë i punëtorit e që aplikonte për punë. Me ndryshimet ligjore, përcaktohet që në rrethana të caktuara, punëtori mundet që arsimimin profesional nga vendi i origjinës ta dëshmojë edhe pas ardhjes në Gjermani. Kjo do të thotë se punëtorët e kualifikuar mund të vijnë në Gjermani, bile edhe të fillojnë të punojnë përderisa zgjat procedura e pranimit të diplomave dhe kualifikimeve të tyre. Punëtorët do të mund të paraqiten për vendbanim të përhershëm nëse në mënyrë të vazhdueshme për katër vjet dëshmojnë se kanë pasur leje qëndrimi, se punojnë dhe paguajnë stazh pensional për së paku 48 muaj. Njëherazi, punëdhënësit nuk do të duhet të dëshmojnë se për vendin e ofruar për emigrantin, nuk ka qenë e mundshme të gjendet një kandidat adekuat nga Gjermania apo BE. Nëse punëtori posedon kualifikimet e nevojshme dhe kontratën e punës, ai mund të fitojë punë përkundër origjinës së kandidatëve të tjerë. Vizë pune do të fitojnë edhe punëtorët e profesioneve që nuk bëjnë pjesë në grupin e atyre që kërkohen në tregun e punës. Ligji që hyn në fuqi prej 1 janarit të vitit 2020, ndërsa pritet të zbusë mungesën e një 1.2 milion punëtorëve në Gjermani. (koha.mk)