“Konferenca e parë ndërkombëtare që do të organizohet nesër në Tiranë, nga Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH), mbi “Fake News”, përbën një interes të veçantë për të adresuar këtë problem, që në fakt nuk është një fenomen i ri në historinë e njerëzimit”.
Kështu deklaroi sot në mbrëmje Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në darkën e punës të organizuar në Pallatin e Brigadave, me pjesëmarrësit e konferencës ndërkombëtare “News Agencies vs Fake News”, e cila do të organizohet nesër në Tiranë, nga Agjencia Telegrafike Shqiptare.
Duke përshëndetur këtë darkë miqësore, ku marrin pjesë delegacione të agjencive zyrtare të lajmeve europiane dhe të rajonit, Kryeministri Rama vlerësoi se “kjo është konferenca e parë ndërkombëtare dedikuar fenomenit “Fake News”, në Shqipëri”.
“Thuhet se ishte Theokrati, nxënësi i Aristotelit në Greqinë e lashtë, që publikoi në shekullin III para Lindjes së Krishtit një libër të quajtur “Karakteret”, ku shfrytëzoi të gjitha thashethemet e kohës, sajoi një numër historish të paqena, të mbledhura në formë thashethemesh dhe i tregoi ato si të marra nga burime të besueshme”, – tha Rama.
Ky sipas Kryeministrit, “ishte një libër që mund të konsiderohet edhe si eksperimenti i parë social që provoi fuqinë e thashethemeve dhe “Fake News”, pasi hyri në histori si një ndër librat më të besuar për vërtetësinë e tyre.
Ajo që për Theokratin ishte një eksperiment, një shaka, sipas Kryeministrit Rama, “sot falë teknologjive të kohës është shndërruar në një mekanizëm të mirëfilltë për të ushtruar influencë malinje.
“Ju jeni këtu shumë të përgatitur dhe në dijeni të këtij fenomeni, por besoj, një ndër shembujt e fuqisë së jashtëzakonshme të shpifjes, i lajmit të rremë, është studimi i detajuar që u botua mbi 126 mijë lajme të publikuara në “Twitter” në harkun e dekadës së fundit”, – tha Rama.
Rezultati, sipas tij, ishte padiskutim i frikshëm.
“Lajmet e rreme, shpifjet, kishin një besueshmëri më të lartë, kishin një ndjekje më të madhe dhe ishin disafish më të përhapura me kontributin e vetë ndjekësve, sesa lajmet e vërteta”, – tha Rama.
Natyra bombastike e lajmeve të rreme, natyra tërheqëse e shpifjes, sponsorizimi i këtyre lajmeve nga faktorë të interesuar për arsye nga më të ndryshmet, për Kryeministrin Rama, “… e shndërrojnë në realitet postulatin që thotë se: Kur gënjeshtra ka nisur fluturimin, e vërteta është akoma e shtrirë në krevat me pizhame”..atsh