Ballina Sport Haradinaj: Futbolli po e ndihmon Kosovën të jetë prezent në skenën ndërkombëtare

Haradinaj: Futbolli po e ndihmon Kosovën të jetë prezent në skenën ndërkombëtare

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se futbolli po e ndihmon Kosovën që të jetë prezent në skenën ndërkombëtare, që ka një rëndësi të veçantë sipas tij.

“Sporti e përbën një dimension shumë të rëndësishëm të të gjithë popujve”, ka thënë Haradinaj në ceremoninë e fundvitit të organizuar nga Federata e Futbollit të Kosovës, me rastin e shpalljes së laureatëve për vitin 2018, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Para të pranishmëve të shumtë, përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale, ambasadorë, përfaqësues nga UEFA dhe FIFA, përfaqësues të sportit dhe personalitete të tjera, kryeministri tha se, sot është një ditë që të falënderojmë brezat të sportit dhe veçanërisht të futbollit, që mbajtën gjallë atë nëpër të gjitha etapat e jetës, transmeton Koha.net.

“Siç i themi faleminderit Fadil Vokrrit, ndoshta një falënderim i posaçëm i shkon atij brezi, që mbajtën gjallë futbollin edhe pas viteve të ’90-ta”, tha Haradinaj, duke shtuar se është me rëndësi që futbolli po rikthehet dhe ky vit e ka dëshmuar që Kosova po rikthehet në futboll, siç i ka hije.

Më tutje, Haradinaj, duke uruar që vitin që vjen futbolli të ketë edhe më shumë suksese, tha se Qeveria e Kosovës ka qenë e motivuar, e vendosur që të përkrahë sportin, si në rritjen e buxhetit për atë dhe investimet që po ndodhin në të gjitha stadiumet në Kosovë.

“Sporti e përbën një dimension shumë të rëndësishëm të të gjithë popujve, ndërsa për ne është shumë i rëndësishëm ky dimension i sportit, e veçanërisht ai i futbollit, që na ndihmon për kthimin në arenën ndërkombëtare, prezencën ndërkombëtare, që Kosova e ka shumë me rëndësi”, tha ai.

Me nga një fjalë rasti përshëndeti edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, si dhe Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i cili shprehu dhimbje, por edhe krenari për legjendën e futbollit kosovar, Fadil Vokrri.

Me këtë rast u ndanë edhe çmimet për futbollistët më të mirë për vitin 2018. Shpallja e laureatëve për vitin 2018, është ngjarja më e madhe që e organizon Federata e Futbollit të Kosovës, ku shpërblehen dhe nderohen ata të cilët kanë dhënë kontribut në mënyra të ndryshme për futbollin.