Një 35-vjeçar nga Fieri ka qenë sot kryefjala e medias prestigjioze italiane “La Repubblica”. Bëhet fjalë për Gazmend Hysenajn, i cili bëri një akt heroik duke tentuar të shpëtojë fqinjët e tij të bllokuar nën rrënojat e tërmetit 4.8 ballë i shkaktuar nga vullkani “Etna”, raporton “BalkanWeb“.
Kjo media përmes korrespondentit në Katania ka raportuar mbi përpjekjet e emigrantit fierak dhe disa banorëve të tjerë, të cilët me kuptimin e plotë të fjalës u shndërruan në heronj të ditës. Fieraku preku tokën italiane një vit më parë me shpresën për të gjetur një të ardhme më të mirë për veten dhe familjen e tij.
Ai ka treguar momentet e tmerrit kur të gjithë kërkonin ndihmë pasi shumë banorë kishin mbetur të bllokuar nën gërmadha duke ulëritur me të madhe, raporton “BalkanWeb”.
“Janë momente që s’ mbarojnë kurrë. Mora gruan e tre fëmijët në krah e i nxora në rrugë me shpejtësi. Por fqinji vazhdonte të thërriste, “më shpëtoni, ndihmë, kam mbetur i bllokuar në gërmadha. Porta e banesës së tij ishte e bllokuar. U mundova ta hap duke e shtyrë me trup por ishte e pamundur. Në atë moment një tjetër lëkundje tërmeti na trembi. Mora tulla e gurë të rrëzuar që gjeta përreth e fillova ta shkatërroj portën, munda ta shpërthej e të ndihmoj fqinjin tim të dalë i gjallë nga gërmadhat e banesës”, tha Gazmend Hysenaj për La Repubblica.
Ndërkohë gazetari i kësaj gazeta shton mes tjerash se shqiptari së bashku me qytetarët e tjerë të kësaj zone, shpejt u shndërruan në heronj duke vënë në pikëpyetje jetët e tyre me qëllim që t’ju jepnin ndihmë të prekurve nga tërmeti dhe atyre që bërtisnin poshtë rrënojave./BW/