Pas ankesës së redaksisë së Portalb.mk në shkallën e dytë të Komisionit për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë deri tek Informatat me Karakter Publik se Komuna e Tetovës nuk i jep të dhënat në lidhje me punën, strukturën dhe detajet e të punësuarve në Inspektoratin Komunal, autoritetet e Komunës kanë dërguar disa të dhëna, por përsëri nuk u janë përgjigjur të gjitha pyetjeve.
Kjo komunë në krye me Teuta Arifin nuk mban premtimin për të qenë transparente, të dhënat e tilla duhet të jenë publike sepse të punësuarit paguhen nga paratë e popullit.
Komuna vazhdon të mos tregojë lartësinë e rrogave dhe kompensimeve për inspektorët dhe të punësuarit tjerë në Inspektoratin e Tetovës, të cilët paguhen nga paratë e qytetarëve.
Komuna nuk i tregon emrat e inspektorëve komunal, nuk jep të dhëna për kontakt me të njëjtët.
Komuna gjithashtu pjesërisht është përgjigjur për të punësuarit tjerë përveç inspektorëve në Inspektorat, gjegjësisht 19 referentëve ose ndihmës profesional zyrtar administrativ, se çfarë pune konkrete kryejnë.
Komuna gjithashtu pjesërisht dhe në mënyrë të paqartë është përgjigjur në lidhje me atë se a ka ndonjë që punon rregullisht pas orarit të caktuar, gjegjësisht që kujdestaron në mënyrë të rregullt gjatë orëve të natës. Komuna thotë se ka kujdestar sipas nevojës, por nuk specifikojnë se si e konstatojnë “nevojën për kujdestar” – duke e pasur parasysh se ndotësit djegin gjësende të ndaluara pa orar të caktuar dhe ky aktivitet nuk mund të parashikohet nëse inspektorati pretendon të jetë efektiv në punën që e bën.
Redaksia jonë, nuk do të ndalet së kërkuari përgjigje dhe transparencë nga Komuna e Tetovës për qytetarët tonë, ne do ta bëjmë punën tonë. Portalb.mk, edhe pas ankesës, sërish kërkon nga Komuna e Tetovës që të sqarohet plotësisht për të gjitha kërkesat të cilat janë me interes publik.
E rikujtojmë kryetaren e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi se në intervistën më të fundit të Portalb.mk dhe Vertetmates.mk, ajo premtoi se do të jetë transparente dhe ekipi me marrëdhënien me publikun do ta bëjë të njëjtën. Të njëjtën e premtoi edhe më herët në debatin Jeta në Maqedoni si dhe në mandatin e kaluar të saj. Kjo komunë nuk është në listën e komunave më transparente në Maqedoni.
Dhënia e informatave jo të plota dhe jo të nevojshme rikujtojmë kryetaren se e shkelë pretimin për transparencë, por edhe ligjin për qasje të lirë deri tek informatat me karakter publik.