MR.SC. ISMET JONUZI-KROSI
Mehmetriza Murtezani-GEGA, lindi në vitin 1921 në lagjen e Sahatit në qytetin e Tetovës, në një familje zejtare me traditë.Shkollimin fillor e bëri në qytetin e lindjes, ku edhe do të vazhdojë shkollën e mesme zejtare në periudhën e mbretërisë jugosllave.
Në moshë të re, Mehmet Gega njohu drejtpërdrejt padrejtësitë dhe terrorin sistematik që ushtronin fallangat e xhandarmerisë jugosllave në këto troje.
Si i ri, shquhet për zgjuarsinë, guximin dhe gatishmërinë për t’u kundërvënë dhunës që ushtronte pushteti monarkik i asaj kohe. Për këtë arsye edhe u arrestua për herë të parë në vitin 1939 derisa punonte në farkëtarinë, që ishte zeje familjare.
Gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, në veçanti gjatë viteve 1941-43, në kontakt me mësuesit nga Shqipëria dhe misionarët që kishin ardhur për të hapur shkollat shqipe, u brumos edhe më shumë me ide kombëtare të rilindasëve tanë, për t’iu qëndruar besnik deri në frymën e fundit.
Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, u emërua mësues nëpër fshatra të ndryshme të Tetovës me rrethinë; Nerasht, Novosellë e Grupçin.
Për merita të veçanta në sferën e arsimimit dhe në përfshirjen e numrit sa më të madh të nxënësve shqiptarë në shkolla shqipe, gazeta e asaj kohe “Flaka e vllaznimit” e vitit 1947, e lartësonte figurën e mësuesit Mehmet Gega.
Ndërrimi i sistemit nga ai monarkik në atë sllavo-komunist, nuk ndryshoi asgjë, por përkundrazi në emër të të ashtuquajturit “vëllazërim-bashkim”, thelloi edhe më shumë dhunën për dëbimin e shqiptarëve nga trojet etnike për në Anadoll. Kësaj politike-gjenocidi, Mehmet Gega iu kundërvu me të gjitha forcat e tij intelektuale dhe njerëzore; e shohim nëpër qytete të ndryshme: Prizren, Mitrovicë, Kumanovë, Prishtinë, Dibër, Strugë, Preshevë, Ohër, Shkup e gjetiu, për t’i trimëruar ata dhe për t’i bindur që të mos i lëshojnë trojet e tyre stërgjyshore duke përgatitur e shpërndarë afishe me përmbajtje:
“MOS SHKONI NË TURQI”, “VENDI YNË ËSHTË KËTU”, “KËTU DO TA GJEJMË LIRINË” etj. etj. Pra, arsimtarët ishin ata që pengonin këtë proces të projektuar nga pushtetarët, ndaj dhe vazhdimisht ishin të përndjekur.
Sistemi i egër komunist i asaj kohe nuk lejonte veprimtari legale, por vepronin në konspiracion dhe në ilegalitet të plotë, megjithëkëtë aktiviteti atdhetar i mësuesit Mehmet Gega, ndonëse u organizua në konspiracion të plotë, arrit të zbulohet nga UDB-ja famëkeqe. Pikërisht në qytetin e Shkupit, pasi kishte shpërndarë afishe nëpër vende të ndryshme, në një Hanë të këtij qyteti e arrestuan dhe në maj të vitit 1955, e dënojnë me 10 vjet burg të rëndë.
Edhe pas vuajtjes së dënimit, në vitet e 60 të shekullit të kaluar, pozita e shqiptarëve nuk kishte ndryshuar fare dhe Mehmet Gega, pas daljes nga burgu u shndërrua në idol të rinisë shqiptare-si simbol i qëndresës.
Bashkë me të rinjtë dhe studentët e asaj kohe që studionin në Prishtinë, Beograd e qendra të tjera, propagandonin idenë për avancimin e të drejtave të shqiptarëve, ku do që jetonin në trojet e tyre etnike.
Klima politike e krijuar në Kosovë nga lëvizja studentore dhe aktiviteti i ngjeshur i Mehmet Gegës në Tetovë, Gostivar, Shkup, Kumanovë, Manastir, Strugë, Ohër e Dibër gjeti edhe në këto hapësira përkrahje të pa rezervë për një lëvizje mbarë kombëtare që kulminoi me demonstratat e lavdishme të 1968.
Rrufetë godasin majat më të larta, edhe kësaj radhe Mehmet Gega u akuzua si organizator dhe mori dënimin maksimal si udhëheqës i grupit- 10 vjet burg të rënd, prej të cilave i vuajti 7 vjet në burgun famëkeq të Idrizovës.
Pas mbarimit të burgjeve, ai tani edhe më i brumosur me ide kombëtare dhe urrejtje ndaj pushtetmbajtësve, vepronte sy patrembur për rrënimin e pushtetit jugosllav. Falë guximit dhe vendosmërisë, ai tashmë ishte shndërruar në ikonë të qytetit të Tetovës. Gazetat do të shkruajnë dendur për Mendelën e Tetovës.
Organet e sigurimit e përcillnin çdo aktivitet të tij, për këtë Mehmet Gega ishte i vetëdijshëm, por kurrë nuk u luhat nga piemonti ku ishte i pozicionuar, i bindur se, s’kishte çka të humb, ndërsa për të realizuar idealet e popullit të tij ishte i përgatitur për t’u ballafaquar edhe me të gjitha sfidat. Ishte optimist dhe këtë frymë tentonte ta përhapë në popull, në ndeja të ndryshme, dasma, krye shëndoshë, edhe në bisedat rutinore gjithmonë thoshte se :”Do ta bëjmë Shqipërinë”, se tiranisë jugosllave i ka ardh fundi. Mendimet e tij i argumentonte me ndryshimet që ndodhnin në Evropë e më gjerë. Prishjen e “Murit të Berlinit”, e shihte si reale dhe korrigjim i një padrejtësie që i ishte bërë popullit gjerman. Kjo, sipas Gegës, hapte një horizont të ri edhe për shqiptarët. Idealin e bashkimit kombëtar tanimë e shihte si të realizuar dhe, kur e kundërshtonin ai gjithmonë me vendosmëri ua kthente: “Unë tanimë, po e shoh të bërë Shqipërinë Etnike, shkurtëpamësi ju bën të verbër, por jam i bindur se, së shpejti edhe ju do ta shihni.”
Qëndresa dhe optimizmi i tij, i kishin rrënjët e thella: Periudha e Skënderbeut, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Pavarësia e Shqipërisë, idealet e rilindasëve dhe kontributi i mësuesve të ardhur nga Shqipëria, ishin gurra të pashtershme që e kishin ushqyer idealin e tij atdhetar dhe e kishin bërë të qëndrojë i patundur deri në frymën e fundit.
Të rrallë janë atdhetarët siç ishte Mehmet Gega, i cili kurrë nuk u pajtua me copëtimin e tokave shqiptare në copëra administrative dhe punën e partive politike, e shihte me mjaft rezervë sepse ai për ndryshim nga platformat politike atdheun e deshi të tërë dhe asnjëherë nuk e identifikoi me “hisen” e pushtetit që në emër të pluralizmit ua jepnin të tjerët, andaj porosia jetike e Mehmet Gegës është e skalitur në gurvarrin e tij që në vend të epitafit flasin viset shqiptare, ku frymohet shqip, jetohet dhe flitet shqip. Amaneti i fundit i tij lënë shqiptarëve është:
“TA BËNI SA MË TË MIRË SHQIPËRINË.”
Mehmet Gega ndërroi jetë më 14 mars 2006