Deçani është mbushur me flamuj. Dominojnë ngjyrat e flamurit kombëtar këtu në vendlindjen e kryeministrit të Kosovës. Por edhe simbolet e shtetit që ndihmoi shumë për krijimin e ushtrisë së Kosovës. Në qytetin nga i cili linden shumë heronj është edhe kjo pankartë në nderim të dëshmorëve të kombit. Por, vendlindja nuk ka harruar të falënderoj edhe kryeministrin e vendit, Ramush Haradinaj.
Për kryetarin e kësaj komune, që njëherit është edhe ish-ushtar i UÇK’së, dita e shndërrimit të FSK në ushtri është moment krenarie.Të lumtur janë edhe veteranët e invalidët e luftës së fundit.E dikush këtë ditë e festoi duke veshur uniformën e lavdishme të UÇK’së, që dikur e barte maleve të Deçanit.Festa për këtë ditë vazhdoi edhe brenda zyrës së kryetarit të komunës.
Aty me kujdes e përcjellin se çka po ndodhë në Kuvendin e Kosovës, ku deputetët po votonin për ushtrinë e Kosovës.Dikush pas votimit të ligjit të parë, i qerasi me kafe të pranishmit në zyrën e Ramosajt.
Por, burrave të Dukagjinit në këtë ditë feste nuk iu mjaftoi kafja.
Kryetari i Komunës për nder të kësaj dite historike iu servoi raki ish-bashkëluftetarëve të tij.
E pas gotave të rakisë, ata iu bashkëngjitën qytetarëve në Asamblenë Komunale, që po përcillnin drejtpërdrejt votimin në Kuvendin e Kosovës.
Komuna nuk ka harruar që edhe qytetarët t’i gostitë me kafe.
E ata janë të lumtur që Kosova po bëhet me ushtri.
Në këtë ditë të madhe për Kosovën, nuk janë harruar dëshmorët.
Dy ish-bashkëluftëtar të Luan Haradinaj e Beg Rizajt kanë gjetur kohë të vizitojnë ata.
Se Kosova u bë me ushtri u kuptua nga festa që kishte përgatitur komuna.