Orvatja për ngritjen e një Kishe Ortodokse Shqiptare në Stamboll dhe vallja greke Sirtaki, me rrënjë shqiptare në metropolin turk
Nga Elvi Sidheri
Në vazhdën e thellimeve për praninë e vjetër shqiptare në Stamboll, duke u rrekur përherë të sjellim personalitete krejtësisht të panjohur për lexuesin e ditëve të sotme, dhe zgjeruar rrjedhimisht diapazonet e njohurive tona lidhur me praninë e kontributin e paçmuar të shqiptarëve, sidomos shqiptarëve ortodoksë në Stamboll, jo rastësisht kryeqendrën shpirtërore të botës ortodokse, edhe falë pranisë mijëravjeçare të Patriarkanës Ortodokse në këtë qytet mitik; sot do të fokusohemi në disa gjëra tejet interesante në këtë prizëm.
Në shkrimet e kaluara, kemi përmendur disa personalitete, sportistë të shquar apo sipërmarrës tejet të njohur me kombësi shqiptare (por tërësisht të panjohur për lexuesin shqiptar), që kanë shenjuar historinë e Stambollit në shekullin XX, si futbollisti i shquar Lefter Andonyadis nga ishulli Büyükada pranë Stambollit, apo pastiçerët e njohur shqiptarë si Filip dhe Harry Lenas e Luka Zigori, të gjithë me fe ortodokse.
Sipas tërë të dhënave të kohës, jo vetëm të shekullit XIX apo fillimit të shekullit XX, kur Perandoria Osmane ishte në grahmat e saj të fundit, në fazën terminale të kancerit të të “Sëmurit të Bosforit”, por edhe pas shpërbërjes së Perandorisë shumëqindvjeçare, Stambolli gëlonte nga shqiptarët në të gjitha sferat e shoqërisë, ndër të cilët, shumë syresh qenë ortodoksë.
Ashtu si edhe në Shqipërinë mëmë apo territoret përreth saj, ku ortodoksët shqiptarë përballeshin me rreziqet asimiluese gjatë procesit të themelimit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, me të njëjtin presion asimilues përballeshin edhe shqiptarët e shumtë të Stambollit, që ishin të përfshirë kryesisht si artizanë të vlerësuar në botën e sipërmarrjes në Stamboll, qysh në shekullin XVIII.
Ngjarjet që përmenden në këtë shkrim, mbështeten në të dhëna historike, artikuj të shtypit turk të kohës, si dhe botime përkatëse me këtë tematikë, si libri i Necla Atalay “XX Yüzyıl Başlarında Balkanlar’da Fener Patrikhanesi ile Diğer Ortodokslar (Sırp, Ulah ve Arnavut) Arasındaki Mücadeler” (Patriarkana e Fenerit dhe Ortodoksët e tjerë të Ballkanit (Serbë, Vllehë e Shqiptarë), në fillimet e shekullit XX), Revista Yeni Türkiye, faqe 44, Ankara, viti 2001; si dhe libri i Elçin Macar “Cumhuriyet Döneminde Türk Ortodoks Patrikhanesi” (Patriarkana Ortdokse Turke në epokën republikane), Stamboll, viti 2003.
E në fakt, rreth tridhjetë vite pas Autoqefalisë përfundimtare të Kishës Orthodhokse në Shqipëri, në Stamboll ndërkaq do të merrte jetë një lëvizje fort interesante me protagonistë pjesëtarët e komunitetit të gjerë të ortodoksëve shqiptarë që jetonin në këtë qytet dykontinentësh, pikëtakim kulturor, fetar dhe ekonomik.
Janë vitet 1960, kur marrëdhëniet greko-turke përshkohen nga tensione të shpeshta për shkak të çështjes së Qipros, që po pavarësohet nga Britania e Madhe, dhe gjendet në qerthullin e pazgjidhshëm të armiqësisë midis komunitetit greko-qipriot dhe turko-qipriot, me në sfond dy shtetet e fuqishme amë.
Këto tensione ndihen gjithnjë edhe në Stamboll, qytet ku gjer në ato vite jetojnë akoma qindra-mijëra të krishterë ortodoksë, kryesisht grekë (ose grekofonë, pra të asimiluar në kulturën greko-bizantine, pa qenë domosdoshmërisht grekë për nga përkatësia kombëtare), armenë, por edhe plot shqiptarë.
Kjo prani e theksuar e krishterë, do të pakësohej dukshëm pas disa trazirave të dhunshme që detyrojnë të shpërngulen nga Stambolli shumicën e të krishtërëve ortodoksë të qytetit, duke përfshirë edhe shumë shqiptarë, drejt Greqisë, SHBA, Australisë, etj.
Në mungesë të një kishe të tyren kombëtare, shqiptarët ortodoksë të Stambollit, përballeshin me pamundësinë për t’i kryer ritet fetare në gjuhën amtare, fëmijët e tyre e kishin të pamundur të arsimoheshin në gjuhën shqipe dhe në përgjithësi kjo situatë po shpinte drejt një asimilimi të shpejtë të këtij komuniteti, gjë që i pati detyruar shqiptarët ortodoksë të Stambollit t’i drejtoheshin autoriteteve turke.
Në këtë ankesë drejtuar autoriteteve zyrtare turke, qytetarët turq me origjinë shqiptare dhe fe ortodokse vinin në dukje se Patriarkana Ortodokse e Fenerit po ushtronte presion të madh ndaj tyre.
Shqiptarët ortodoksë të Stambollit theksonin haptas se Patriarkana nuk ua pagëzonte fëmijët nëse nuk pranohej autoriteti i Patriarkanës dhe gjithaq edhe të vdekurit e komunitetit shqiptar ortodoks nuk lejoheshin të varroseshin në varrezat ortodokse nëqoftëse shqiptarët nuk paguanin për mirëmbajtjen e nevojat e Patriarkanës.
Në një shkrim të gazetës turke Akşam të datës 20 Prill 1965, thuhet se shqiptarët ortodoksë pohojnë se të hollat që ishin mbledhur prej tyre, Patriarkana i përdorte në të mirë të greko-qipriotëve. Për këtë arsye, shqiptarët ortodoksë i patën bërë publike ankesat dhe faktdhënien e tyre, duke synuar që kërkesat e tyre tashmë të dëgjoheshin nga autoritetet.
Ishin kohë që shteti turk dhe Patriarkana qenë përfshirë në një krizë në marrëdhëniet e tyre, të përcaktuara qysh nga rënia e Konstandinopojës dhe marrëveshjet mes osmanëve e Patriarkut ortodoks. Kërkesës për të audituar financat e Patriarkanës në lidhje me dyshimet për mbështetjen e greko-qipriotëve, Patriarku i atëhershëm Athenagoras, do t’i përgjigjej mohueshëm duke theksuar fuqishëm se një veprim i tillë do të cilësohej si një fyerje për tërë botën e krishterë, duke tronditur thellësisht pozitën historikisht të epërme të Patriarkanës.
Kjo situatë pati si pasojë përplasjen e mëtejshme mes qeverisë turke dhe Patriarkanës, që u pasua me një zbutje të retorikës dhe dobësim të pozitës së Patriarkanës. Për këtë arsye rrjedhimisht shqiptarët ortodoksë të Stambollit gëzuan mundësinë e rrallë për të folur haptas për gjendjen dhe kërkesat e tyre në shtypin turk duke ofruar materiale të vyera për ta vënë në pozitë të vështirë Patriarkanën.
Gazeta Akşam vijon të mbulojë këto ngjarje dhe lajme edhe të tjera herë, si për shembull në një artikull të datës 25 Prill 1965, ku tregohen dëshmi të trashëgimisë pronësore dhe kulturore të shqiptarëve ortodoksë që jetojnë në Turqi, që ishin përvetësuar nga Patriarkana, duke mos i regjistruar ato si shqiptare, por greke.
Kjo situatë u paraqitej lexuesve të kësaj gazete si dëshmi e mëtejshme e faktit që falsifikimi i origjinës së kësaj trashëgimie si greke, pati sjellë përfitime të papërligjshme për Patriarkanën, që në vend të të qenët ekumenike, po ndiqte rrjedhat politike helene.
Në vijim të këtyre lajmeve në shtypin turk të kohës, dëshmohej sesi një aset me vlerë 80 milionë lira turke të kohës, që pretendohej nga të afërmit e disa shqiptarëve ortodoksë të Stambollit në Shqipëri, ishte tentuar të përvetësohej nga Patriarkana.
Kjo lëvizje për një Kishë Ortodokse Shqiptare në Stamboll, që kishte patur si nismëtar e udhëheqës pronarin e pastiçerisë së famshme “Inci Pastanesi” në rrugën Istiklal në qendër të Stambollit në Beyoğlu, shqiptarin ortodoks Luka Zigori, të mërguar në Turqi në moshën 15 vjeçare nga Shqipëria e Jugut, në vitin 1944, do të përfundonte me një sukses të pjesshëm, pasi Patriarkana duke mos dashur që problemi të zmadhohej më tutje, pati pranuar që shqiptarëve ortodoksë t’u lejonte përdorimin e Kishës së Shën Nikollës (Aya Nikola Kilisesi, në turqisht).
Sidoqoftë, pasi shqiptarët ortodoksë të Stambollit patën arritur edhe që të vënë një tabelë që tregonte se kjo kishë ishte shqiptare, kjo nismë ishte venitur.
Megjithëse kjo nismë e lavdërueshme nuk kish patur dot rezultatet e dëshiruara për komunitetin shqiptar ortodoks të Stambollit, ajo gjithësesi shërben si një rast frymëzues për të vlerësuar ngulmimin e këtyre bashkatdhetarëve tanë, që në megalopolisin turk shumëkombësh e shumëfetar, qenë orvatur të pavarësoheshin fetarisht, duke ruajtur identitetin tyre kombëtar.
Megjithatë, mungesa e mbështetjes së nevojshme nga politikanët turq dhe mungesave e qarqeve të fuqishme financiare në mbështetje të kësaj lëvizje, bënë që kjo nismë të mos njihte suksesin e merituar.
Për ta kurorëzuar denjësisht këtë shkrim, vlen të përmendet edhe një fakt fort kuptimplotë; besoj të gjithë e keni parasysh një skenë epike të kinemasë botërore, nga filmi “Zorba the Greek”, ku Anthony Quinn, aktori legjendar meksikan, ia merr një valleje që prej kohësh simbolizon vallen tipike greke, pra “Sirtakin”.
Për ta thënë përmbledhtas, vallja e stërnjohur Sirtaki, e bërë e famshme nga filmi në fjalë i vitit 1964, do të sajohej nga valltari dhe koreografi grek Giorgos Provias për këtë film, sipas muzikës së Mikis Theodorakis, duke u bazuar në vallen e moçme të quajtur “Hasapiko” e ngjizur në Kostandinopojën e dikurshme.
Por ndërkaq, vetë vallja “Hasapiko”, nuk është gjë tjetër veç kërcimit karakteristik të kasapëve shqiptarë ortodoksë të Stambollit të shekullit XIX në periudhën osmane.
Vallja shqiptare “Hasapiko” do të lindte kryesisht në lagjet Fener dhe Balat të Stambollit, pikërisht në mesin e kasapëve ortodoksë shqiptarë dhe shoqërive të tyre të profesionit, duke mbetur tejet popullore mes tyre dhe më gjerë, deri në agun e 1900-ës, ndërsa më vonë do të shndërrohej në pjesë të pandashme edhe të folklorit grek.
Siç tregohet nga burimet e periudhës, kasapët shqiptarë ortodoksë, që përbënin shumicën e kasapëve në Stamboll në atë kohë, para therjes së kafshës, bënin një lloj rituali për ta lehtësuar ndërgjegjen duke u rrotulluar përreth kafshës dhe u gjunjëzuar përballë saj, e ky ritual më pas do të shndërrohej në vallen “Hasapiko”, pra të kasapëve, që njihej për versionin e ngadaltë dhe të shpejtë.
Prania e zejtarëve të shumtë shqiptarë në Stambollin e shekullit XIX, veçanërisht e shqiptarëve ortodoksë, dëshmohet ndër të tjera edhe në një libër interesant me këtë tematikë, i titulluar “İstanbul’un Ortodoks Esnafı 1833-1866” (Zejtarët Ortodoksë të Stambollit 1833-1866) i Aleksandros Paspatis, ku përmenden zejtarët ortodoksë shqiptarë si bukëpjekës, shitës qumështi, kosi, kuzhinierë, kasapë, etj.
Janë gjurmë të pashlyeshme shqiptare.