Ballina Aktualitet Lajme (VIDEO) Ekspertët: Shqiptarët u injoruan në debatet për ndryshimet kushtetuese

(VIDEO) Ekspertët: Shqiptarët u injoruan në debatet për ndryshimet kushtetuese

Zëri i shqiptarëve dhe veçanërisht ekspertëve shqiptarë të drejtësisë dhe çështjeve kushtetuese nuk u dëgjua gjatë debatit publik për amendamentet kushtetuese që u zhvilluan së fundmi në Qeveri, ASHAM dhe universitetet e vendit, vlerësuan juristët, Sejfulla Osmani dhe Naser Ziberi në emisionin “Studio e hapur” që u transmetua mbrëmë në Televizionin Shenja. Ata thonë se shqiptarët u injoruan në këtë debat edhe pse sipas tyre shumë çështje të ndryshimeve kushtetuese prekin edhe statusin juridiko-kushtetues të shqiptarëve në Maqedoni dhe të drejtat e tyre kolektive.
Sejfulla Osmani, jurist

“Kur ta shohim seriozitetin që i jep edhe Parlamenti edhe Qeveria botës akademike maqedone, këtu pikë së pari do të përmend profesor Popovskin dhe profesor Fërçkovskin, janë ideatorët e Kushtetutës që akoma është në implementim në Republikën e Maqedonisë dhe më ve në një pikëpyetje mosprezenca e konstitucionalistëve shqiptarë në këto debate. Ne kemi profesor universitar që janë të thirrur dhe që merren me këtë fushë, domethënë që merren me këtë problematikë”

Sipas ekspertit Naser Ziberi, debati publik për amendamentet kushtetuese pati disa mangësi. Përveç mosprezencës së shqiptarëve, ai thotë se e pamjaftueshme ishte edhe koha e caktuar për debat, por edhe paneli i ekspertëve dhe pjesëmarrësve në këtë debat.

Naser Ziberi, jurist
“Së pari mendoj që në aspekt kohor debati publik ishte i shkurtë, në aspekt të përfshirjes ishte i ngushtë dhe karakteristikë e tretë ishte që shqiptarët fatkeqësisht, profesionalisht nuk u kyçën aspak siç duhet. Këtu do të kisha përmend tre karakteristika të këtij debati, personalisht mendoj se edhe pse këto amendamente janë derivat i marrëveshjes së Prespës, megjithatë prekin çështje shumë senzitive, siç është çështja e preambulës, çështja e përqindjes apo gjuhës, çështja e kujdesit të shtetit ndaj qytetarëve të saj jashtë shtetit”

Për sa i takon kërkesave për ndryshime kushtetuese në pjesën që tangon shqiptarët, Osmani dhe Ziberi akuzuan partitë shqiptare se nuk kanë qenë të kujdesshme as gjatë përpilimit të marrëveshjes së Prespës dhe as tani kur po zhvillohet debati parlamentar.

Arben Zeqiri /SHENJA/

https://youtu.be/n4XFSeXgexU