Pas përfundimit të debatit publik, ndryshime do të pësojnë 2 nga katër propozim amendamentet kushtetuese. Qeveria ka miratuar tekstin final me propozim amendamentet dhe të njëjtin e ka dorëzuar tek Kuvendi i Maqedonisë.
Në këtë tekst janë marrë parasysh propozimet e dhëna në debatin publik dhe ndryshime dhe plotësime kanë pësuar amendamenti 34 dhe 36.
Zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski sqaroi se si duket tani teksti i amendamentit 34 pas ndryshimeve që ka pësuar. Me këtë Amendament bëhen ndryshime në Preambulën e Kushtetutës.
Mile Boshnjakovski, Zëdhënës i Qeverisë
“Në Preambulën e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë fshihen fjalët “ të cilët jetojnë në kufijtë e saj”, “vendimet e KAÇKM-së” zëvendësohen me fjalët vendimet juridike të cilët përmenden në Deklaratën e Kuvendit të parë të KAÇKM-së deri te populli maqedonas për kuvendin e mbajtur të KAÇKM-së”, pas fjalës “viti”, plotësohen me fjalët “ të cilëve iu shpreh vullneti për krijimin e shtetit sovran dhe Marrëveshjes Kornizë të Ohrit”, dhe fshihen fjalët “vendosën që”.”
Si rezultat i debatit publik, ka ndryshime në tekstin e Amendamentit 36. Ndërsa me këtë amendament ndryshohet neni 49 dhe amendamenti 2 i Kushtetutës së RM-së.
Mile Boshnjakovski, Zëdhënës i Qeverisë
“Republika e Maqedonisë mbron, garanton dhe kultivon veçoritë, trashëgimin historike dhe kulturore të popullit maqedonas; Republika mbron të drejtat dhe interesat e shtetasve të saj, të cilët jetojnë ose qëndrojnë jashtë vendit;
Republika kujdeset për Diasporën e popullit maqedonas dhe komuniteteve të tjerë dhe kultivon dhe avancon lidhjet me atdheun;
Gjatë kësaj, Republika nuk do të ndërhyjë në të drejtat sovrane dhe në punët e brendshme të shteteve tjera.”
Ndërkaq Amendamenti 33 dhe 35 mbeten ashtu si/ kanë qenë. Pra me amendamentin 33, në Kushtetutën e RM-së fjalët “Republika e Maqedonisë” zëvendësohen me fjalët “Republika e Maqedonisë së Veriut”, kurse fjala “Maqedoni” zëvendësohet me fjalët “Maqedonia e veriut”, përveç Nenit 36 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë.
Me tekstin e Amendamentit 35, “Republika e Maqedonisë respekton sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë politike të shteteve fqinje”, plotësohet me Nenin 3 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë.
Ekspertët e angazhuar në debatin e ndryshimeve kushtetuese kanë marrë honorare, në vlerë prej 20 mijë denarëve. Boshnjakovski theksoi se tek ndryshimet janë përfshirë edhe një pjesë e sugjerimeve të opozitës shqiptare. Pas dorëzimit në Kuvend deputetët në komision dhe në seancë plenare do të diskutojnë dhe do të kenë mundësinë e ndryshimit dhe plotësimit të këtyre amendamenteve. Seanca e Komisionit për Çështje Kushtetuese është caktuar për më 17 dhjetor, seanca plenare në lexim të tretë për më 9 janar dhe votimi I ndryshmeve pritet të bëhet më 15 janar. Që këto ndryshime të miratohen është e nevojshme shumica prej dy të tretave të votave.
Ajnur Bafqari /SHENJA/
https://youtu.be/X5jTebkQ2MA