Vendimi historik i parlamentit grek ka gjetur mbështetje në të gjitha kancelaritë e rëndësishme perëndimore. Miratimi i Marrëveshjes së Prespës i ka dhënë fund konfliktit thuajse 30 vjeçar mes dy vendeve.
Në këtë rast Maqedonia është dhe përfituesja më e madhe, pasi tashmë ajo nuk ka më pengesa për anëtarësimin në NATO dhe integrimin në Bashkimin Europian.
Për të folur më shumë në lidhje me përfitimet e Maqedonisë nga kjo marrëveshje përmes një lidhje direkte në edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus, deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim, Artan Grubi është shprehur se tashmë ky është një vendim që mbyll konfliktin disavjeçar jo vetëm mes dy vendeve por në të gjithë rajonin e Ballkanit Perendimor.
“Ky moment duhet të shfrytëzohet nga të gjithë vende tona, dhe vërtet përbën një shtytje të përmirësimit të gabimeve historike, që filluan me përfundimin e Luftës së Parë Botërore dhe me Konferencën e Parisit dhe duhet të vijojnë me anëtarësimine plotë të Shqipërisë, në BE me mbylljen e kontestit me Serbinë dhe Kosovës siç e mbyllëm ne me Greqinë dhe përfundimisht i gjithë rajoni të Integrohet në NATO dhe BE duke i përmirësuar ato padrejtësi që u bënë ndaj kombeve të vogla nga qeveritë e mëparshme.”
Më poshtë intervista e plotë e zotit Grubi, të dhënë për Vizion Plus;
Si do ta konsideronit ratifikimit që parlamenti grek i bëri Marrëveshjes së Prespës pas këtij debati?
unë them se rajoni, jo vetëm Maqedoni dhe Greqia por e gjithë Evropa Juglindore sot u gdhi me një rrethanë të re gjeopolitike gjeostrategjike aty ku dëshirojmë që të gjithë që të shikojmë jo vetëm Maqedonië por të gjithë rajonin të integruar në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Kjo që ndodhi dje në parlamentin e Greqisë, por njëkohësisht që ndodhi dhe në parlamentin e Maqedonisë me 11 janar të këtij viti është historia më e re e të gjithë Evropës Juglindore por më duhet të them edhe e Evropës Kontinentale për arsye se bëhet fjalë për një kontest 27 vjeçar që pengonte Maqedoninë që të integrohej në NATO dhe në BE, dhe njëkohësisht prodhonte konflikt në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Prandaj vlerësoj që ky moment duhet të shfrytëzohet nga të gjithë vende tona, dhe vërtet përbën një shtytje të përmirësimit të gabimeve historike, që filluan me përfundimin e Luftës së Parë Botërore dhe me Konferencën e Parisit dhe duhet të vijojnë me anëtarësimin e plotë të Shqipërisë, në BE me mbylljen e kontestit me Serbinë dhe Kosovës siç e mbyllëm ne me Greqinë dhe përfundimisht i gjithë rajoni të Integrohet në NATO dhe BE duke i përmirësuar ato padrejtësi që u bënë ndaj kombeve të vogla nga qeveritë e mëparshme.
Konkretisht çfarë përfiton Maqedonia nga ky vendim z.Grubi, çfarë pret të bëjë tashmë Maqedonia?
Që nga sot është shpallur vendimi i ligjit për ratifikimin e marrëveshjes midis Maqedonisë dhe Greqisë nga ana e parlamentit grek, është nënshkruar nga ana e presidentit grek dhe është shpallur në gazetën zyrtare. Tashmë Greqia duhet që ta njoftojë Aleancën euro-atlantike që të gjitha parakushtet për ta ndarë tezën për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO janë plotësuar dhe të fillojë nënshkrimin e protokollit të anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe më pas ratifikimi.
Me vetë ratifikimin nga ana e Maqedonisë e cila duhet të jetë vendi i parë anëtar i NATO-s i cili miraton protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, hyn në fuqi të plotë Marrëveshja e Prespës, ku më pas do të fillojnë edhe riemërtimet e institucioneve dhe të gjitha gjërave të parashikuara në Marrëveshjen e vitit të kaluar me këtë rast fillon edhe ratifikimi në parlamentet e vendeve anëtare të NATO-s, dhe unë shpresoj që vendi i dytë që do ta ratifikoj këtë protokoll të jetë Shqipëria.
Cili ishte roli i faktorit shqiptar, në arritjen e kësaj marrëveshje?
Unë mendoj se roli i faktorit shqiptar ka qenë Kyç dhe këtë e kemi përsëritur shpesh herë, por është konfirmuar edhe nga autoritetet greke në kohën kur qeveria e Maqedonisë dhe partnerët maqedonas kishin ashpërsuar marrëdhëniet me palën greke, përmes ngritjes së përmendores së Lekës së Madh në qendër të Shkupit, më pas emërtimit të stadiumit me Filipi i II, duke vijuar me emërtimin e aeroportit dhe të autostradës në Leka i Madh, gjë që i acaroi skajshmërish marrëdhëniet me Athinën, ishte prania e elementit shqiptar në qeverisje, z. Ali Ahmeti i cili mbante lidhje të drejtpërdrejta me Athinën duke filluar nga ministrja e Jashtme, zoti Papandreou, Venizellos duke përfunduar me zotin Pavlopulos me zotin Tsipras e Kotzias në mënyrë që ta mbajmë gjallë procesin dhe ta mbyllim këtë kontest midis dy palëve. Votat shqiptare ishin përcaktuese për referendumin por ishin më shumë përcaktuese në ndryshimet kushtetuese për të arritur deri në 2/3 në Kuvendin e Maqedonisë
A i trembeni kundërshtimit të ashpër si në Greqi edhe në Maqedoni?
Jo, pasi ky proces tashmë përfundoi dhe ka përkrahjen e shumicës dërrmuese të qytetarëve të të dy vendeve tona, dhe jo vetëm ka përkrahjen e të gjithë botës perëndimore demokratike. Prandaj vlerësoj se që nga e premtja, pra miratimi i marrëveshjes në parlamentin grek, rajoni jonë është më i paqtë më i sigurtë, ka më shumë stabilitet dhe duhet që të gjithë të fokusohemi tek zhvillimi ekonomik. Rajoni jonë po u thotë lamtumirë temave nacionaliste dhe etnike dhe duket që të angazhohet në zhvillimin ekonomik dhe në integrim të plotësishëm.
Opozita në Maqedoni është rreshtuar gabimisht prej dy vitesh duke mos u rreshtuar në rend të duhur në arritjen e marrëveshjes me Bullgarinë, në marrëveshjen me Greqinë në përmbylljen e marrëveshjes së Ohrit me barazinë gjuhësore dhe në përdorimin e gjuhës në Republikën e Maqedonisë, ku gjuha shqipe u bë zyrtare dhe në fund me ndryshimet kushtetuese dhe amendamentin e Kushtetutës për ndryshimin e emrit. Opozita do të duhet të reflektojë thellë dhe ta gjejë veten në pikëpamje të re politike duke përkrahur integrimin në NATO dhe në BE. Kjo punë përfundoi dhe Maqedonia tashmë ka një emër të ri, Maqedonia e Veriut dhe shumë shpejt do të jetë vend anëtare e NATO-s.