Ambasadori amerikan në Shkup, Jess Baily tha se Marrëveshja e Prespës është një mundësi historike për Maqedoninë dhe për rajonin. Në një intervistë ekskluzive për shërbimin maqedonas të Zërit të Amerikës, ambasadori Baily u bëri thirrje udhëheqësve të vendit të marrin vendimet e vështira strategjike që kërkon realizimi i marrëveshjes.
Ndërsa Maqedonia hyn në vitin 2019, cilat janë disa nga reflektimet tuaja për zhvillimet e vitit të kaluar atje?
Kur mendoj për vitin e kaluar, gjatë të cilit pati aq shumë zhvillime historike, të gjitha mund të përmblidhen me fjalët: një udhëheqje e guximshme. Qytetarët e Maqedonisë qartazi duan anëtarësimin në NATO dhe në BE. Kryeministrat Zaev dhe Tsipras si dhe ministrat e tyre të jashtëm u morën me çështje tepër të vështira për të arritur marrëveshjen e Prespës, e cila do të heqë pengesat për anëtarësimin. Ata treguan guxim, durim, vendosmëri dhe përqendrim të rëndësishëm në zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshjeje të gjatë.
Ne pamë gjithashtu një udhëheqje të guximshme në Parlament, kur deputetët votuan për të filluar procesin e ndryshimit të kushtetutës, duke lënë mënjanë interesat partiake në emër të të ardhmeje më të ndritur për Maqedoninë dhe qytetarët e saj. Në fund të fundit, është në dorë të udhëheqësve të zgjedhur në mënyrë demokratike në Maqedoni që të marrin vendimet e vështira strategjike që kërkon Marrëveshja e Prespës dhe të përcaktojnë kursin më të mirë për vendin. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me Maqedoninë dhe me atë që qytetarët dhe udhëheqësit e Maqedonisë vendosin se është në interesin më të mirë të vendit. Ne e dimë se kompromiset në Marrëveshjen e Prespës nuk janë të lehta, por kjo është me të vërtetë një mundësi historike për Maqedoninë dhe për rajonin, që do të çojë në një të ardhme më të sigurt dhe më të begatë.
Qeveria e SHBA ka demonstruar një nivel të lartë angazhimi në Maqedoni. Çfarë e motivon mbështetjen e SHBA-ve për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Prespës dhe anëtarësimin e Maqedonisë në NATO?
Së pari, Shtetet e Bashkuara kanë qenë mik dhe partner i Maqedonisë që nga pavarësia e saj mbi 25 vjet më parë. Gjatë gjithë kësaj kohe, qytetarët dhe qeveria e Maqedonisë kanë mbështetur fuqimisht integrimin në institucionet euroatlantike. Është zgjedhja sovrane e Maqedonisë për t’u bashkuar me NATO-n. Ne jemi krenarë që e mbështesim këtë zgjedhje dhe jemi të gatshëm të ndihmojmë sepse Maqedonia ndryshon rrjedhën e së ardhmes së saj. Ne mbështesim fuqimisht zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Prespës midis Maqedonisë dhe Greqisë. Marrëveshja do të lejojë që Maqedonia të zerë vendin që meriton në NATO dhe BE dhe do të kontribuojë në stabilitetin, sigurinë dhe begatinë rajonale.
Përveç kësaj, Zëvendës Sekretari i Shtetit John Sullivan ishte këtu disa javë më parë dhe ai na kujtoi të gjithëve se bota ka ndryshuar në mënyrë dramatike këto 20 vitet e fundit. Konkurrenca dhe konflikti mes fuqive të mëdha janë kthyer në skenë, me aktorë të këqij që kërkojnë të prishin dhe destabilizojnë sistemet demokratike. Për t’i mposhtur ata, kemi nevojë për shtete të forta, me themele të forta demokratike, media të lira dhe tregje të gjalla e të hapura. Ne sinqerisht besojmë se Maqedonia, e integruar plotësisht në NATO dhe në BE, do të jetë një aleate e fortë në prosperitetin dhe sigurinë tonë kolektive.
A jeni i bindur se Maqedonia do ta zbatojë Prespën? Cili është plani rezervë nëse votimi në parlament dështon, qoftë në Maqedoni apo në Greqi?
Gjatë gjithë procesit të negociatave dhe zbatimit të Marrëveshjes së Prespës, udhëheqësit në të gjithë spektrin kanë qenë të gatshëm të lënë mënjanë interesat afatshkurtra partiake për të mbështetur të ardhmen e Maqedonisë në NATO dhe BE. Udhëheqësit në Greqi dhe Maqedoni kanë thënë se kjo marrëveshje është thellësisht në interesin e tyre kombëtar; ajo do të çojë në siguri dhe begati për të dy vendet dhe për rajonin. Arritja e kësaj zgjidhjeje zgjati 25 vjet dhe unë nuk shoh ndonjë alternativë praktike në horizont. Kam besim se do të vazhdojmë të shohim udhëheqës të guximshëm që punojnë për të siguruar se Maqedonia dhe Greqia nuk do ta humbasin rastin që më në fund ta zgjidhin këtë çështje.