Fshati Bërzhitë, vetëm pak kilometra larg kryeqytetit, prej disa kohësh po “plaçkitet ” nga një bandë e vjedhjes së lopëve.
Një mëngjës, para pak ditësh, Agron Muja e gjeti stallën bosh. Hajdutët, pasi çanë murin gjatë natës, i morën dy lopët së bashku me një viç, çka ishte e gjithë pasuria e tij. Me paratë që fitonte nga shitja e qumështit të tyre, Agroni mbate familjen.
“Lopa madhe bënte 2 milionë lekë, 1.5 lopa tjetër dhe 700 viçi. Rreth 5 milionë lekë është dëmi që më është bërë mua. Tani do marr lekë borxh të blej një lopë tjetër, sa për të mbajtur familjen time. Vetëm në katundin tonë janë 3 vjedhje, edhe vëllait tim i morën viçin, po ashtu janë vjedhur edhe bletët”, tregon Agroni.
Banesa e Agronit ndodhet vetëm pak metra larg autostradës Tiranë-Elbasan, ku autorët, sipas tij, kanë ngarkuar lopët në një furgon për t’i shitur më pas në thertore ose zona të tjera të vendit.
Stacioni i Policisë Farkë, i cili mbulon këtë territor, ende nuk ka rënë në gjurmët e grabitësve, ndërsa Fejzulla Gjoshi është një tjetër banor i fshatit i cili natën e kalon duke ruajtur lopët.
“Nuk flemë. Sa leh qeni, do dalësh jashtë se të iku lopa. Ndodh vjedhja, policia vjen 3 orë me vonesë, a thua se bashkëpunojnë me hajdutët”, thotë Fejzullai.
Edhe gjatë muajve të kaluar disa fshatra të tjerë përrreth Tiranës kanë rënë pre’ e vjedhjes së bagëtive, por deri më tani asnjë grup nuk është zbuluar.(TCH)