Ministri i jashtëm, Nikolla Dimitrov ka folur lidhur me kërkesën e opozitës për zgjedhje të parakohshme parlamentare në pako me ato presidenciale që do të mbahen më 21 prill.
“Nga njëra anë, Qeveria është nxitur nga opozita të mendojë për zgjedhje të parakohshme parlamentare në një situatë kur të gjitha anketat thonë se opozita do të humbë. Argumenti i dytë mund të jetë se kemi zgjidhur një çështje shumë të madhe dhe instiktivisht duam që të rifreskojmë legjitimitetin para popullit”, theksoi Dimitrov, duke nënvizuar se interesi shtetëror është se duhet të shfrytëzohet periudha e ardhshme deri në publikimin e raportit të Komisionit Evropian.
I pyetur se a do të kandidojë për president, ai theksoi se prioritet për të është rruga evropiane, por sipas tij në LSDM do të hapet një proces i debatit, anketave, konsultave me partnerët e koalicionit. “Në këtë fazë është me rëndësi të mendojmë se çfarë profili na duhet të jetë kandidati për president”, theksoi Dimitrov, duke shtuar se është i bindur se do të dalin me kandidat të shkëlqyeshëm për president të shtetit. (INA)