Presidenti i Bankës Botërore, koreano-jugori Jim Jong Kim, ka dhënë dorëheqjen në mënyrë të papritur, pas gjashtë vitesh në detyrë. Dorëheqja e tij hyn në fuqi në 1 Shkurt. 59-vjeçari Kim kishte mandat të drejtonte institucionin e rëndësishëm financiar botëror deri në vitin 2022, pasi ishte rizgjedhur në vitin 2017 për një mandat të dytë 5-vjeçar.
Por përmes një deklarate, ai u shpreh se “ishte një nder i madh për të ushtrimi i funksioneve të presidentit, në një institucion të mbushur plot me punonjës pasionantë e të dedikuar për misionin e përbashkët për të luftuar varfërinë.” Zyrtari i lartë nuk ka dhënë asnjë arsye konkrete për veprimin e tij. Por analistët theksojnë se prej kohësh Kim kishte shprehur kundërshtitë e tij për politikat e administratës Trump në lidhje me ndryshimet klimatike, edhe pse vetë ai i ishte shmangur një përplasjeje direkte me presidentin.
Kristalina Georgieva, drejtoresha ekzekutive e Bankës Botërore, do të marrë përkohësisht detyrën e presidentes së institucionit. Kim u zgjodh nga ish-presidenti amerikan Barak Obama në mandat e parë dhe më pas iu besua sërish nga ai një mandat i dytë në krye të Bankës Botërore./Klan Plus