Në një dëshmi të dytë që dha te grupi hetimor që po investigon likuidimin e Arben Gjecit, dëshmitarja Elida C. ka pohuar se me të ndjerin kishte pasur një raport i cili u pasua nga ngjarja e rëndë.
Vajza nga Zall Bastari pranë Tiranës, e pranoi lidhjen e fshehtë që kishte pasur me Gjecin, që në fakt ishte një lidhje jashtë martese, pasi Elida ishte e martuar me Dëfrim K.
Elida ka thënë para hetuesve se fillimisht nuk e kishte pranuar që kishte pasur lidhje intime me Arbenin, pasi ishte e frikësuar.
Kurse në dëshminë e dytë ka vendosur ta tregojë, pasi siç tha ajo, nuk ka se çfarë trë fshehë më.
“Nuk e pranova që kisha lidhje me Arben Gjecin në fillim pasi isha e frikësuar. Tani nuk kam çfarë fsheh më. Kam patur një lidhje të fshehtë me Arbenin, lidhje që kishte filluar disa muaj më parë.
Ai më ngacmonte, fillimisht unë e refuzova, por më pas nisëm të komunikonim në telefon derisa u lidhëm. Jemi takuar shpesh në një dhomë pranë shtëpisë së vjehrrit. Ai aty vinte dhe më pas ikte. E kishim lënë për t’u takuar edhe ditën e enjte (para datës 24 janar 2019 kur ndodhi vrasja, shënim i redaksisë). Fillimisht i thashë Arbenit e lëmë për ditë tjetër, por ai tha ‘jo, sot’. Vjehrri dhe vjehrra ishin në shtëpi, por dhoma që kemi shtuar është e veçuar. Aty e takova
Elida ka pranuar edhe se vëllai i saj Esati kreu vrasjen e dashnorit.
“Burri ishte në lokal, kishte më shumë se një orë që kishte dalë. Atë ditë kisha frikë se mos më vinte burri, por Arbeni më tha që e pa duke pirë në lokal. Kryem marrëdhënie seksuale dhe kur po iknim, erdhi vëllai im Esati. Ai e qëlloi Arbenin me një levë hekuri disa herë”.
Në dëshminë e saj që publikoi sot gazeta Mapo, Elida tregon edhe planin me të shoqin për të fshehur krimin: “Esati u largua dhe telefonova burrin, Dëfrimin. I thashë që dikush ka qëlluar Arbenin. Kur erdhi burri, tha që s’duhet ta marrë vesh njeri dhe bëmë planin dhe gjakun e mbuluam me bar, ndërsa trupin e Arbenit e zhvendosën ata në rrugë”.
Në dëshmi, Elida përfundon me pohimin: “Jam shumë e tronditur. E di që është faji im për gjithçka. Lidhjen me Arbenin e kam filluar në nxitim e sipër. Fillimisht më pëlqente fshehtësia e lidhjes dhe nuk shkëputesha dot më. Takohesha në darkë sa herë që vjehrri dhe vjehrra binim në gjumë dhe burri shkonte për të pirë. Kërkoj falje”.
Ndërkohë Esat C., në dëshminë e dytë pranoi krimin dhe tha se Arben Gjeci para se të takohej me motrën, po pinte kafe me burrin e saj, Dëfrimin.
Esat C.: “Dyshoja që Arbeni ngacmonte ose nusen time ose motrën. E ruaja prej tre ditësh. Ditën e enjte e kam ruajtur që në mëngjes. Arben Gjeci ishte në kafe bashkë me kunatin tim, Dëfrimin dhe më pas u ndanë.
E pashë kur u afrua te shtëpia e motrës. Fillimisht nuk dija ç’të bëja. Pasi i pashë të dy, bota m’u errësua. Isha shumë rëndë. Gjeta një levë dhe kur hyra brenda, motra me Arbenin ishin gjysmë të zhveshur. Nuk durova dot, e godita disa herë me levë.
Më pas u tremba dhe s’dija ç’të bëja. E pashë me gjak dhe bashkë me motrën kishim hall nga fjalët e fshatit. Menjëherë vendosëm që trupin ta nxirrnim në rrugë dhe të hapnim fjalën që ishte rrëzuar nga një lartësi. Më pas ika në shtëpi dhe isha shumë i trembur.
Ndërkohë burri i Elida C., Dëfrimi, është shprehur se “kur më tha Elida që të kam tradhëtuar”, iu konfirmuan dyshimet. Ai thotë se kishte hallin e prindërve dhe fjalët e fshatit prandaj organizuan skenarin që Arbeni ishte rrëzuar në rrugë”.
Policia
Në komunikatën e policisë thuhet se dyshohet që Esat C., 31 vjeç, më datë 24 janar, rreth orës 20:30, në fshatin Bastar i Mesëm ka goditur me sende të forta në kokë shtetasin Arben Gjeçi, 34 vjeç, duke i shkaktuar dëmtime të rënda në kokë. Për pasojë, i riu humbi jetën në Spitalin e Traumës. Ngjarja në fillim u raportua si aksidentale, por hetimet provuan të kundërtën. Në Polici u shoqëruan disa persona dhe u kryen disa veprime komplekse hetimore në konfidencialitet të plotë.
Në vijim të këtyre veprimeve dyshohet se shtetasit Dëfrim K. dhe Elida C., me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë fshehur të vërtetën e ngjarjes së ndodhur. Gjithashtu, nga kontrolli i ushtruar në banesë u gjet edhe një sasi lënde e dyshuar kanabisi.
“Shërbimet e Policisë Tiranë bënë arrestimin e shtetasve Esat C., 31 vjeç, për veprën penale ‘plagosje e rëndë me dashje me pasojë vdekjen’, Dëfrim K., 29 vjeç, për veprën penale ‘veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës’ dhe ‘prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike’, Elida C., 20 vjeçe, për veprën penale ‘veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës’”, tha zyrtarisht Policia e Tiranës.
Ngjarja fillimisht u raportua si vdekje aksidentale, ndërsa ka qenë autopsia ajo që ka zbuluar se kemi të bëjmë me një vrasje. Menjëherë sapo kanë dalë rezultatet e ekspertizës, që kanë vërtetuar dyshimet e mjekëve, ku ka rezultuar se i riu është goditur me mjet të fortë pas kokës dhe si pasojë e plagëve të marra ka humbur edhe jetën, Policia e Tiranës, së bashku me grupin hetimor të sektorit të vrasjeve në Prokurorinë e Tiranës, kanë nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes. “Pas një pune intensive dhe të pandërprerë 48 orëshe, Policia e Tiranës në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka zbardhur rrethanat dhe arrestuar 3 persona për një ngjarje të raportuar në nisje, si një vdekje aksidentale”, njoftoi Policia.
Të Arrestuar: Esat C. 31 vjeç lindur dhe banues në Bastar i Mesëm “Plagosje e rëndë me dashje me pasjoë vdekjen” Dëfrim K. 29 vjeç lindur në Bastar dhe banues në Bathore “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” Elida C. 20 vjeç lindur në Bastar dhe banuese në Bathore “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.