Një peruane niset drejt Milanos për një jetë më të mirë, por përfundon viktimë e prostitucionit. Vajza kishte marrë një njoftim pune si baby sitter, por gjithçka ndryshon kur takohet me punëdhënësin shqiptar. Ky i fundit ishte i martuar me një femër ekuadoriane, 30 vjeçe dhe kishte 3 fëmijë.
Historia fillon në marsin e kaluar, kur 24-vjeçarja merr nga një e njohura e saj (krejtësisht e pavetëdijshme për synimet e çiftit) ofertën për të punuar si kujdestare fëmijësh në Milano. Të dy i paguajnë asaj biletën e avionit për të ikur nga Peruja, ku ka një vajzë 4 vjeçe.
Sapo arrin në Itali, shqiptari së bashku me gruan e çojnë në një apartament në zonën e Baronës. E kërcënojnë se do i vrasin vajzën nëse peruania nuk pranon të punojë si prostitutë. Çifti, i cili ka tre fëmijë të moshës 4, 8 dhe 12 – e mbyllte ‘dadon’ në shtëpi dhe e shoqëronte personalisht në takime.
Vajzës i është dashur që të bëjë edhe 5 takime vetëm në një natë- shpjegoi ekzekutivi i stacionit të policisë Francesco Anelli – Të dy prisnin para shtëpisë së klientëve, ku merrnin zakonisht 100 euro për një takim. Më pas ata e ‘ngujonin ‘në banesë deri sa të vinte oferta e radhës nga klienti.
“Në qershor, duke përfituar nga një mosmarrëveshje e çiftit, vajza arriti të arratiset dhe të kërkojë ndihmë nga të njohurit e saj, me të cilët ajo u paraqit në polici. Më datë 29 janar, policia arreston shqiptarin, ndërkohë që partneren e tij e lë në masën e arrestit të shtëpisë.
Gazeta Shqip-Përktheu Silvana Muça