Nga Xhovani Shyti
Paraditen e të premtes në mbledhjen e Asamblesë socialiste kryeministri, njëherësh dhe kryetari i kësaj force politike, Edi Rama, bëri realitet shkarkimin e shtatë ministrave të kabinetit dhe emërimin në vend të tyre të ministrave të rinj.
Shkarkimi i në shumë se gjysmës së kabinetit ka ardhur si rufeja në qiell të pastër pasi dy ditë para Asamblesë, në daljen para mediave, pas mbledhjes së kryesisë së PS-së, i pyetur nga gazetarët nëse do të kishte ndryshime në kabinet, Edi Rama nuk dha përgjigje. E përcolli përgjigjen e pyetjes me buzëqeshje shpotitëse, mesa duket për ta lenë surprizë në mbledhjen e Asamblesë.
Shkarkimi i shtatë ministrave dhe zvendësimi i tyre me të rinj, sikurse e motivoi Kryeministri, u bë për të mbyllur një kapitull e për hapur një të ri. Një kapitull që do ta shpjerë akomë më tej zhvillimin e vendit gjë që mund të ndodhë veç nga ministrat me moshë rinore, të pashquar e të paprovuar në profesionet e tyre. Gjë që bën të mos kesh besim se do të korrigjojnë ndonjë mrokull nga qeverisja e rilindjes, e cila e reklamuar nga Kryeministri si “Benz Mercedes” në vitin 2013, kur fitoi votat për të qeverisur vendin, pesë vite më pas është katandisur në karrocë me kuaj.
Parë nën këtë krahasim çërçillian, shkarkimi i shtatë ministrave të kabinetit Rama i bie të jetë ngordhja e gjysmës së kuajve që tërheqin karrocën, karrocieri i të cilës është vetë Edi Rama.
Motivi i vrasjes së shtatë kuajve dhe zvendësimi i tyre me të tjerë ka patur si qëllim të deklaruar nga Karrocieri përmirësimin e mëtejshëm të qeverisjes, sjelljen e një realiteti të shumëdëshiruar nga taksapaguesit. Mirëpo a mund të ndodhë kjo dhe a mjafton zvendësimi i shtatë kuajve të vrarë për të arritur objektivin e deklaruar publikisht të dhënies së impulseve të reja?
Disa nga komentatorët politikë, opozitar me qeverinë, e kanë vlerësuar vrasjen e shtatë kuajve nga karrocieri Rama si “make up”, ndërkohë që studentët protestues vlerësuan se zvendësimet e minstrave me “kukulla” nuk do të sjellin asgjë pozitive, përveçse do të shërbejnë për ti zgjatur ditët karrocierit. Gjë shumë e besueshme kjo dhe që e përforcon fakti se kuajt zvendësues janë prej race të pashqueshme, çka stimulonhedhjen e trokthin sipas kamzhikut të Karrocierit.
Aq më shumë duhet besuar se akti i zvendësimit të kuajve të ngordhur nuk pritet të sjellë qeverisje ndryshe, por veç zgjatje të ditëve të Karrocierit, nëse i referohesh një sentence të burrit të madh të shtetit anglez, ish kryeministrit të kohës së Luftës së Dytë Botërore, Winston Churchill . I cili, duke e krahasuar qeverinë me një karrocë mëson: Për të arritur një cilësi të dëshiruar njëherësh duhet të ngordhin kuajt, të vdesë karrocieri dhe të shkatërohet karroca.