Të shtunën 30 personalitete ndërkombëtare kanë bërë thirrje për shpëtimin e Europës. Apeli i tyre është botuar në disa media me renome. Në manifestin e tyre shkrimtarët dhe historianët nga 20 vende tërheqin vëmendjen përballë rrezikut që vjen nga popullizmi. Mes nënshkruesve janë shkrimtari francez me origjinë çeke Milan Kundera, kolegu i tij britanik me prejardhje nga India, Salman Rushdie, nobelisti turk Orhan Pamuk, filozofi francez Bernard-Henri Lévy dhe autori shqiptar Ismail Kadare. Në vijim po sjellim apelin dramatik të intelektualëve europianë:
Europa është në rrezik. Nga të gjitha anët ka kritika, fyerje dhe braktisje. «Mjaft me ndërtimin e Europës», dëgjohet thirrja. Në vend të saj, le të rilidhemi me «shpirtin tonë kombëtar», e të rizbulojmë «identitetin e humbur» që nuk ekziston veçse në imagjinatën e demagogëve – ky është programi i përbashkët i forcave populiste që po përmbyt kontinentin.
E sulmuar nga profetë të rremë, të cilët janë të dehur nga hidhësia po aq sa nga pandehma se ka mbërritur ora e tyre, e braktisur nga dy aleatë të mëdhenj, një përtej La Manche (apo Kanalit Anglez) dhe tjetri përtej Atlantikut, që në shekullin e kaluar e shpëtuan dy herë nga vetëvrasja, e brishtë përballë ndërhyrjes përherë e më arrogante nga padroni i Kremlinit, Europa si ide, vullnet dhe përfaqësim po shembet para syve tanë.
Kjo është klima e helmatisur në të cilën do të zhvillohen zgjedhjet për Parlamentin Europian në maj nëse nuk ndryshon diçka; nëse nuk shfaqet diçka për të zmbrapsur baticën këmbëngulëse në rritje; nëse nuk del ndonjë shpirt i ri rezistence, këto zgjedhje premtojnë të jenë më katastrofiket që kemi parë ndonjëherë.
Ato do t’u japin fitoren shkatërruesve. Për ata që ende besojnë në trashëgiminë e Erasmusit, Dantes, Goethes e Comeniusit, do të ketë vetëm disfatë të turpshme. Do të ketë triumfuar një politikë që nuk denjon inteligjencën e kulturën. Do të ketë shpërthime ksenofobie dhe antisemitizmi. Katastrofa do të ketë rënë mbi ne.
Ne, të nënshkruarit, jemi midis atyre që refuzojnë t’i dorëzohen kësaj katastrofe që po vjen. Ne e fusim veten mes patriotëve europianë (një grup më i madh nga sa mund të mendohet, por që shpesh është tepër i heshtur e i tërhequr), të cilët e kuptojnë se çfarë është në lojë këtu. Tre çerekshekulli pas mposhtjes së fashizmit dhe 30 vjet pas rënies së Murit të Berlinit, vjen një betejë e re për qytetërimin. Besimi ynë qëndron në idenë e madhe që trashëguam, për të cilën besojmë se ka qenë forca unike mjaftueshëm e fuqishme për të ngritur popujt e Europës mbi veten e tyre dhe të kaluarën plot luftëra.
Ne besojmë se ajo mbetet forca unike sot, mjaftueshëm virtuoze për të parandaluar shenjat e reja të totalitarizmit që tërheqin zvarrë pas vetes mizerjen e vjetër të epokave të errëta. Ajo çka është në rrezik nuk na lejon që të dorëzohemi. Ndaj edhe ju ftojmë të bashkoheni në një lëvizje të re. Ndaj ju bëjmë thirrje për veprim në prag të zgjedhjeve të cilat ne refuzojmë t’ua lëmë në dorë varrmihësve të idesë europiane.
Ndaj ju nxisim të mbani edhe njëherë pishtarin e një Europe që, pavarësisht gabimeve të saj, lapsuseve dhe akteve të herëpashershme të dobësisë, mbetet një rreze drite për çdo burrë e grua të lirë në planet. Brezi ynë gaboi. Ashtu si ndjekësit e Garibaldit në shekullin e ’19, të cilët përsërisnin si motiv «Italia se farà da sè» (Italia do të bëhet vetë), ne besuam se kontintenti do të bashkohej vetë, pa qenë nevoja të luftonim për të, apo të punonim për të. Ky, i thoshim vetes, «është kursi i historisë». Ne duhet të ndahemi plotësisht nga kjo bindje e vjetër. Nuk kemi zgjidhje tjetër. Tani duhet të luftojmë për idenë e Europës ose ta shohim të vdesë nën valët e popullizmit.
Në përgjigje të ofensivës nacionaliste dhe identitariane, ne duhet të rizbulojmë shpirtin e aktivizmit ose të pranojmë që hidhësia dhe urrejtja të na rrethojnë e mbytin. Ne duhet të japim urgjentisht alarmin kundër këtyre zjarrvënësve të shpirtit, të cilët, nga Parisi në Romë, me ndalesa gjatë rrugës në Barcelonë, Budapest, Dresden, Vjenë e Varshavë, do të ndezin zjarre me liritë tona. Në këtë disfatë të çuditshme të «Evropës» që shfaqet në horizont; në këtë krizë të re të ndërgjegjes europiane që premton të shembë gjithçka që i bëri shoqëritë tona të mëdha, të nderuara e të begata, ka një sfidë më të madhe se gjithçka tjetër që nga vitet ’30: Një sfidë kundër demokracisë liberale dhe vlerave të saj.
Nënshkrues të tjerë: Wassilis Alexakis (Athinë), Svetlana Aleksieviq (Minsk), Anne Applebaum (Varshavë), Jens Christian Grøndahl (Kopenhagë), David Grossman (Jerusalem), Ágnes Heller (Budapest), György Konrád (Debrecen), António Lobo Antunes (Lisbonë), Claudio Magris (Triestë), Ian McEwan (Londër), Adam Michnik (Varshavë), Herta Müller (Berlin), Ludmila Oulitskaïa (Moskë), Rob Riemen (Amsterdam), Fernando Savater (San Sebastián), Roberto Saviano (Napoli), Eugenio Scalfari (Romë), Simon Schama (Londër), Peter Schneider (Berlin), Abdullah Sidran (Sarajevë), Leïla Slimani (Paris), Colm Tóibín (Dublin), Mario Vargas Llosa (Madrid), Adam Zagajewski (Krakovë).