Krenarë për guximin e deputetëve, i vetëdijshëm për hidhërimin e një pjese të qytetarëve, por edhe i bindur për një të ardhme më të mirë, kryeministri Zoran Zaev, një ditë pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese në Kuvend, vendin tashmë e quajti Republika e Maqedonisë së Veriut.
Po. Përmenda që të kuptojnë qytetarët fillimisht nga goja e kryeministrit sesa serioz është vendimi që u mor në parlamentin tonë. Marrëveshja hyn në fuqi pasi të ratifikohet edhe në parlamentin grek. Zbatimi qartë është shënuar në marrëveshje. Për përdorim ndërkombëtarë në fuqi hyn menjëherë. Për përdorim vendor me hapjen e kapitujve jo më shumë se pesë vjet. Është përshkruar në hollësi. Por përfundimisht kjo është zgjidhja të cilën e pranuam dhe kjo është zgjidhja që i hap perspektivat e gjithë popullit dhe vendit tonë”- tha Zoran Zaev, kryeministër.
Zaev është i sigurt se marrëveshja do të kalojë edhe në parlamentin grek.
Fuqishëm besoj se miku ynë Greqia do ta ratifikojë Marrëveshjen e Prespës dhe do të jetë vendi i parë që do e nënshkruajë protokollin për anëtarësim në NATO dhe më pas do i bëjë edhe 28 vendet tjera anëtare të Aleancës ta bëjnë të njëjtën, të bëhemi vendi i 30 anëtarë i NATO-s”- pohoi Zoran Zaev, kryeministër.
Kryeministri është kundër mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme. Ai tha se me atë do kishte siguruar mandat të ri prej katër vjetësh, por do i dëmtojë proceset e reformave në vend. Megjithatë, ai tha se LSDM seriozisht do e shqyrtojë kërkesën që dje e bëri lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickovski. Sipas Zaevit, Mickovski kërkon diçka për të cilën e lut Zotin të mos realizohet.
Dje, në një ngjarje të këtillë, opozita e cila gjatë gjithë kohës e bllokon integrimin euroatlantik të Maqedonisë, bashkë Mickovski, Gruevski, Baçev dhe gjithë të tjerët bëjnë bllokada pa dhënë ndonjë alternativë, ndërsa edhe fëmijët e vegjël e dinë se për Maqedoninë nuk ka alternativë, del me thirrje për zgjedhje- kjo është serioze. Nëse të paktën nuk mendojmë nuk do të ishim politikanë dhe parti politike serioze”- u shpreh Zoran Zaev, kryeministër.
Zaev porositi se mbyllja e kësaj çështje historike me emrin është edhe vendim kundër izolimit, pasigurisë dhe varfërisë në vend. Ai theksoi se tani në Kushtetutë janë inkorporuar jo vetëm identiteti maqedonas por edhe i të gjitha komuniteteve në vend./ALSAT