Qytetarët do të bojkotoni produktet serbe edhe nëse hiqet taksa prej 100%, për të artikujt që vijnë nga ky shtet dhe Bosnja.
Ekonomia Online ka marrë qëndrimet e disa qytetarëve në kohën po bëhet presion që vendimi i Qeverisë i datës 21 nëntori, të tërhiqet.
Kundërshtimet kanë ardhur nga Bashkimi Evropian (BE), por së fundi edhe nga Shtete e Bashkuara të Amerikës (ShBA).
Përderisa krerët e institucioneve, përveç presidentit Hashim Thaçi, janë shprehur të palëkundur që taksa nuk do të hiqet deri në njohjen e shtetësisë së Kosovës nga Serbia, qytetartë shpreh të vendosur për bojkot.
Sokol Avdiu, ka thënë se taksa ka dhënë efektin e saj dhe bojkoti i qytetarëve ndaj mallrave serbe mund ta dëmtoj mjaftueshëm Serbinë.
“Mas pari mirë ka bo që e ka bo, së dyti edhe me hekë se ka lajme që Amerika nuk po e pranon. Efektin e ka bo edhe me hekë nuk ka gajle”.
“Por kjo punë varet prej populli a i konsumojnë a nuk i konsumojnë. Mendoj se ka vende të tjera shumë ku mundemi me marrë ashtu e kishim dëmtuar më shumë Serbinë”, tha ai.
Sabit Bunjaku, po ashtu u shpreh i gatshëm që të bojkotoj produktet serbe edhe pse sipas tij, Qeveria është mirë të jetë e vendosur për taksën.
“Po natyrisht na do t’i kishim bojkotuar të gjitha produkteve serbe dhe mendoj është mënyra më e lehtë që populli me dhënë kontribut. Nuk është vendim i duhur i Qeverisë pasiqë Qeveria ka vendos është mirë edhe me ju përmbajt”, tha ai.
Edhe Besa Gashi, tha se edhe nëse hiqet taksa, bojkoti ndaj produkteve serbe do të ndihmonte ekonominë e vendit.
“Edhe nëse e heqin taksën ndaj Serbisë, prapë ne nuk do t’i kishim ble ato produkte të Serbisë, por do të kishim shkuar kah prodhimet vendore. Kjo është përparësi edhe për ekonominë tonë, por edhe për raportet tona me Serbinë”, tha ajo.
Ndërkaq Hysen Sahiti, tha se taksa nuk është vendosur vetëm për produktet serbe, por edhe si arsyetim për të rritur çmimet.
“Jam i gatshëm me i bojkotuar produktet serbe, por kjo taksë nuk është vendos veç për produktet serbe, por edhe për produktet që vijnë nga shtet tjera janë rrit çmimet, kjo është për rritje të buxhetit dhe varfërim të qytetarit”, tha ai.
Por njohësi i çështjeve ekonomike, Musa Limani i tha Ekonomia Online se taksa nuk do të duhej të hiqej mirëpo edhe nëse një gjë e tillë do të ndodhte, taksa ka dhënë efektin e saj dhe se qytetarët do bojkotojnë mallrat serbe.
Ai tutje ka shtuar se presioni i ardhur nga ndërkombëtarët është në adresë të gabuar dhe të njëjtin presion do të duhej bërë Serbisë dhe jo Kosovës.
“Taksa e cila është bërë ndaj Serbisë është e imponuar nga sjelljet dhe armiqësia që e bënë Serbia, prandaj unë mendoj që presioni ndërkombëtarë e ka adresën e gabuar. Nuk duhet të bëhet presion ndaj Kosovës por duhet të bëhet presion ndaj Serbisë sepse është ajo e para e cila i ka thyer rregullat e lojës së ekonomisë së tregut dhe të CEFTA-s dhe sjelljet e saj armiqësore ndaj Kosovës e kanë bërë që me të vërtetë ne të marrim masa mbrojtëse”.
“Unë mendoj që masa e ka vetëdijesuar konsumatorin duke pas parasysh që ata të cilët kanë eksportuar në Kosovë tani me rastin e marrjes së masave kanë humbje të mëdha diku për këto dy muaj e sa Serbia ka diku mbi 60 milionë humbje nga eksporti në Kosovë”.
“…poashtu edhe Bosnja e Hercegovina kurse këtu është rrit çështja e shitjes ose realizimit të prodhimeve vendore prandaj ka efekte pozitive edhe politike edhe ekonomike, politike që do të thotë i thotë stop Serbisë dhe Hercegovinës që të mos sillet si armike ndaj Kosovës, të ulemi të bisedojmë të merremi vesh dhe normalisht ta zhvillojmë ekonomin e tregut”, tha ai.
Limani ka thënë se prodhuesit vendës duhet të orientohen në prodhimtari dhe jo vetëm në shërbime ndërkaq ka thënë se taksa ka marr mbështetjen jo vetëm të profesionistëve të profileve të ndryshme por edhe të popullit në përgjithësi.
“Ne nuk jemi kundër ekonomisë së tregut kurse vendorëve u jepet mesazhi që ne të orientohemi në prodhimtari e më pak në shërbim për arsye se shërbimet i kemi të zhvilluara na mungon edhe prodhimtaria, kurse sa i përket të mirave materiale që ne nuk i prodhojmë ose i kemi importuar qoftë lëndët e para qoftë prodhimet e gatshme nga Serbia dhe Bosnja bizneset tona i kanë gjet tregjet e reja edhe më të mira bile edhe më të lira, kështu që nuk ka pengesa sa i përket furnizimit prej të mirave materiale”.
“…prandaj konsumatorët nuk duhet të shqetësohen dhe kjo masë e qeverisë ka marr përmasa shumë të gjera dhe mbështetet jo vetëm nga profesionalistet dhe ekonomistet apo profilet e tjera, por nga gjithë popullata dhe nga organizata joqeveritare tjera, prandaj Qeveria e ka mbështetjen e plotë të popullatës”, tha ai.