Ballina Aktualitet Lajme Rrogat e Katicës, Fatimes dhe Lençes mbeten fshehtësi

Rrogat e Katicës, Fatimes dhe Lençes mbeten fshehtësi

Shuma e rrogave të prokurorëve special vazhdon të mbetet fshehtësi. Prokurorja speciale, Katica Janeva, nuk tregon as sa merr rrogë, por as edhe sa shpenzon prokuroria e saj. Në intervistën javore për KOD në Telma TV, e pyetur për shpenzimet e PSP, ajo ka refuzuar të përgjigjet. Prokurorët publik rrogën e kanë fshehur edhe në listat e tyre anketuese, të cilat janë publikuar në sajtin e Komisionit shtetëror për antikorrupsion. Sa rrogë merr Janeva për të ndjekur kriminelët edhe aty nuk e ka publikuar, por ka shkruar se të saja janë shtëpia në Gjevgjeli, trualli në Konsko, tokë bujqësore në Mrzenci, automobil “Rover 45”. Ajo ka paraqitur edhe pronën e fëmijëve, dy banesa në Shkup që shkruan se janë dhuratë, ndërsa nuk ka shkruar se nga kush. Por, Janeva ka paraqitur edhe katër kredi bankare, ku bankave ju ka borxh rreth 85 mijë euro. Megjithatë, ka shënuar kursime depozitare në banka, në kartelë, në vlerë prej 110 mijë euro.

Fatime Fetai dhe Lençe Ristovska janë prokuroret që ishin dora e djathtë e Janevës në konferencat për shtyp. Fetai ka banesë në Shkup prej 90 metra katror, të blerë në vitin 2015, atëherë kur edhe u bë prokurore speciale. Por në të njëjtin vit ka marr edhe kredi prej rreth 70 mijë euro me normë kthimi për 30 vjet. Ajo vozitë “Kia Pikanto” të vjetër 10 vjet.

Ristovska nuk ka paraqitur banesë ose shtëpi, por posedon tokë ndërtimore dhe bujqësore, të parën në Shkup ndërsa tjetrën në Dolno Dupeni. Në bankë ka rreth 15 mijë euro, ndërsa prej vitit 2015 vozitë “Reno Kaptur”. Prokurori special Gavrill Bubevski, i cili këtyre ditëve është aktual pas kërcënimeve që i ka marrë, për dallim prej kolegeve të tij, që as nuk kanë përmendur rrogën, ai ka treguar se merr në llogari transaksioni, dhe ka paraqitur shumën. Ka “Reno Megan” dhe banesë në Shkup të blerë në vitin 2017. Prokurorja Lile Stefanova, e cila udhëheqë lëndët “Titanik” dhe “Trajektorja” e tani edhe rastin për “Perandoria”, si pronë të veten ka paraqitur vetëm kredi dhe borxhe, dhe çdo gjë tjetër është e burrit dhe fëmijëve. Nga prokurorët tjerë është Burim Rustemi, i cili në listën e tij anketuese ka paraqitur vetëm makinën, “Mercedes C klasë”.

Dhe derisa prokurorët i fshehin rrogat e tyre, një pjesë e tyre i kanë bërë publike pagesat e bashkëshortëve ose farefisit. Burri i Fetait merr 11 mijë rrogë, ndërsa gruaja dhe vëllai i Artan Ajros diçka më shumë se 25 mijë denarë. Komisioni antikorrupsion ende nuk është kompletuar, por Komisioni i ri do të ketë të drejtë të hetojë edhe pronën e Prokurorëve special dhe nëse gjen diçka të dyshimtë, duhet t’ua paraqesë kolegëve të tyre nga prokuroria publike. Ndryshe, mungesa e transparencës kohët e fundit ka bërë që qytetarët të humbin besimin në Prokurorinë Speciale. Anketa e fundit e AMCM-së dhe Televizionit Telma ka treguar se vetëm 41 për qind e qytetarëve i besojnë PSP-së, ose 20 për qind më pak se një vit më parë. (koha.mk)