Ballina Diaspora SAMITI I DYTË TALLAVA I DIASPORËS

SAMITI I DYTË TALLAVA I DIASPORËS

Nga: Petrit KUÇANA

A do të organizohet vërtet Samiti Diasporës? Mbetet pak e mundimshme ngritja e kësaj pikëpyetje pasi deri tani (vetëm) tre herë është shtyrë. Po janë dhënë 67 mln lekësh nga qeveria, kështu që përfundimisht do të bëhet.

Përpara tre vitesh u premtua se do të organizohej vitin e ardhshëm, por Qeveria Shqiptare nuk e pa të arsyeshme, madje as vitin e kaluar nuk u bë, në vitin e Skënderbeut siç u tha, e ndërsa në njoftimin e fundit thuhet se do të bëhet në Lezhë dhe Tiranë nga data 28 Shkurt deri në 2 mars.

Mosrealizimi apo shtyrja e samitit është thjesht një element mjaftueshmërisht përcaktues për qasjen që shteti shqiptar ka për diasporën, që sipas Ministrit Majko përbën ½ e popullsisë.

Deri tani thuajse askush nuk di asgjë tjetër, edhe nëse lundron nëpër faqet e “Facebook”-ut apo sheh ndonjë njoftim nga Ministri Majko. Asnjë ftesë nuk është shpërndarë e madje as agjenda nuk është përcaktuar duke i dhënë ngjyrimet e një feste tallava.

Tallavaizëm mbetet e ashtuquajtura Strategjia Kombëtare e Diasporës, që është përpiluar pa u diskutuar fare me diasporën, siç ka bërë dhe po bën Kosova, të paktën si Kosova… (sa ekspertë shqiptarë ka në Diasporë? Vetë në Britani janë mbi 35 PHD, doktorë shkencash)

Nuk dihet cili model është ndjekur apo do të ndiqet për organizimin e një samiti të tillë, por duket se gjithçka po shkon në shinat e të parit, që edhe vetë ministri Majko e konsideroi si “takim ku u pamë”. Edhe më optimistët e asaj kohë nuk do të mund të gjejnë një, (ama qoftë edhe një) adresim të “kërkesave” të diasporës që nga ajo kohë.

U fol e stërfol për një organizëm të quajtur “Këshilli Koordinativ i Diasporës” me 15 përfaqësues që do të zgjidhen nga Këshilli i Ministrave (kushedi ku e kanë gjetur këtë model) por deri më sot nuk është publikuar, e mbase është parë si qasje e gabuar dhe shumë më mirë që nuk e kanë shpallur, pasi automatikisht “të zgjedhurit” do të përktheheshin si “komisarë”, duke përçarë shqiptarët nëpër diasporë.

Duhet theksuar se qeveria shqiptare e ka përçarë me ligj Diasporën, pasi ka caktuar 18 Dhjetorin si ditën Kombëtare (?) të Diasporës, ndërkohë që Kosova e ka në Gusht dhe janë tre ministra Diaspore ne Ballkan…

Deri më tani qeveria shqiptare nuk e ka parë të arsyeshme të organizojë ato ditët e diasporës, siç bën Kosova bie fjala, por të gjitha këto janë thjesht elemente periferikë nëse kihet parasysh kryesorja; Emigrantët e Republikës së Shqipërisë janë të vetmit në rajon dhe më gjerë që nuk e kanë të drejtën e votës në vendet ku jetojnë.

Janë vërtet shumë të pakta gjasat që në zgjedhjet ardhshme t’u sigurohet një e drejtë e tillë, legjitime, saqë thuajse askush as nuk e çon ndërmend që të përmendë një fakt të tillë.

Deri më tani kemi parë vetëm shkresurina, të ashtuquajtura platforma, apo organizma me emra interesant por asgjë thelbësore, duke filluar me regjistrimin e mërgatë shqiptare në botë.

Ne sot dimë (sipas INSTAT) që mbi çerek milioni shqiptarë janë larguar nga Shqipëria në pesë vitet e fundit, por as që kemi parë të jetë bërë ndonjë përpjekje e thjeshtë për nisjen e një regjistri kombëtar për Diasporën.

Kur lind një fëmijë shqiptar në diasporë a regjistrohet në ambasada? Cila gjeneratë po bëhet tashmë nga emigracioni i pas ’90? Sa % e fëmijëve shqiptarë mësojnë gjuhën amë nëpër diasporë? Më pak se 1%? Thua a është e mjaftueshme një foto me ministrin? Çfarë u bë me kanalin televiziv te TVSH-së për diasporën?

Ka një pyetje bazike? A e ka vërtet qeveria shqiptare këtë çështjen e Diasporës?

Nëse bazohemi tek ajo çfarë u bë deri tani është thjesht një zhgënjim, apo nëse shihet buxheti dhe stafi i Ministrit nuk të lë vend për optimizëm. (Majko është Ministër shteti për Diasporën, që përkthehet në Ministër pa portofol, që një drejtor komunaleje në kryeqytet ka më shumë staf dhe fonde se një ministër… )

Së fundi një audit i jashtëm vërtetoi se Rinasi, (eh sa kemi shkruar!!!)… kishte përfitim mbi normalen.

U ndie Majko? Qoftë të kërkojë ndjese dhe të premtojë se nuk do të jetë Rinasi parangrënësi i pamëshirshëm i mërgimtarëve? Deri tani jo. Mbase e ka lënë për në samit, nëse bëhet, duke i shtuar një notë të thekshme tallavaje…pa harruar fotot, ah po fotot si qershia mbi tortë e një samiti tallava për Diasporën.