Shkencëtarët kinezë kanë prodhuar me sukses majmunë me gjene të modifikuara, thuhet në një lajm të publikuar në mediat kineze.
Një grup shkencëtarësh kanë përdorur majmunin e llojit Makak me gjene të modifikuara, që ka vuajtur nga një çrregullim kardiak, nga i cili janë klonuar majmunë të shumëfishtë për kërkime biomjekësore, transmeton AA raportimin e agjencisë kineze të lajmeve, Xinhua.
Të pesë majmunët kanë lindur në Shangaj, në Institutin e Neuroshkëncës të Akademisë Kineze të Shkencave.
Shkencëtarët thonë se çrregullimet e ritmit të zemrës kanë lidhje me shumë sëmundje të njeriut, përfshirë çrregullimet e gjumit, depresionin, diabetin, kancerin dhe sëmundjet neurodegjenerative, siç është ajo e Alzheimerit. Majmunët do të përdoren edhe për testimin e efektshmërisë së ilaçeve.
“Më parë, minjtë dhe mizat janë përdorur gjatë punëve kërkimore për zbulimin e sëmundjeve të tilla, megjithatë ato kafshë ndryshojnë shumë nga qeniet njerëzore në aspektin e aktivitetit rutinë, strukturën e trurit dhe shkallën metabolike”, citohen të kenë thënë shkencëtarët.
“Majmunët, që janë më afër njeriut në aspektin fiziologjik, janë modelët më të mirë për kryerjen e kërkimeve mbi patogjenezën e sëmundjes dhe trajtimet e mundshme terapeutike”, theksojnë shkencëtarët.
Shkencëtari Qiang Sun nga instituti në fjalë pohon se programi hulumtues ishte mbikëqyrur nga komiteti për etikë brenda tij dhe se është në përputhje me standardet etike ndërkombëtare për punë kërkimore te kafshët.
Drejtori i institutit, Muming Poo, nga ana e tij, tha se ekipi hulumtues në të ardhmen do të fokusohet në klonimin e majmunëve me sëmundje të ndryshme të trurit.