Mjegull. Ky është peizazhi nga Vodno, kur shikon Shkupin. Shtresa minimale e borës humbet në mjegullën e dendur mbi kryeqytet. Sot në mëngjes në Shkup, pati reshje të borës që zgjatën shkurt në rrugët dhe bulevardet kryesore. Ekipet e shërbimit dimëror punuan intensivisht në pastrimin e rrugëve, trotuareve dhe bulevardeve. Në dispozicion në depot e qytetit kanë qenë 4,500 ton kripë.
Bartës i aktiviteteve për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve do të jetë NP “Rrugë dhe Rrugica” me mekanizimin e përgjithshëm dhe potencialin e personelit në dispozicion. Edhe këtë sezon, Qyteti i Shkupit do të angazhojë mekanizim shtesë prej 15 kamionësh, të pajisur me pajisje navigimi dhe shoferë që do të shërbejnë në mënyrë permanente gjatë gjithë sezonit ” – theksuan nga Qyteti i Shkupit.
Rrugët dhe bulevardet më të mëdha që janë nën kompetencë të qytetit, pas borës së mëngjesit janë pastruar. Kamera e televizionit Alsat ka regjistruar trotuaret në qendër të qytetit, të cilat edhe më tej ishin të mbuluara me shtresë bore. Gjithashtu borë kishte edhe nëpër rrugët që duhet t’i pastrojnë komunat. Dhe përderisa autoritetet e qytetit dhe komunave sigurojnë se situata me borën është nën kontroll, sinoptikët paralajmërojnë reshje të reja të dëborës këto ditë, por edhe temperatura shumë të ulëta nëpër mbarë vendin deri në – 20 gradë.
Gjatë orëve të pasdites edhe më tej do të ketë kushte të reshjeve më të dobëta të dëborës, zakonisht nga veriu ndërsa do të mbajë mot i ftohtë për shkak të vranësirave, përsëri në veri të vendit. Do të kemi erë më të fortë veriperëndimore që do të frynë në veri të vendit. Gjatë natës në përgjithësi do të ketë vranësi të shtuar”. – u shpreh Boris Sekirarski- DPHM
Ndryshe, edhe pse në Shkup kishte reshje të dëborës, ajri edhe më tej mbetet i ndotur. Stacionet matëse sot kanë treguar ndotje shumë të ulët të grimcave kancerogjene PM10 në lagjen Karposh ndërsa ndotje të lartë ka edhe në Butel, Qendër dhe në Rektorat. Edhe më tej, jashtë funksionit janë stacionet matëse në lagjet Lisiçe dhe Gazi Babë.