Ballina Aktualitet Lajme Zgjerohet epidemia e fruthit, merr hov edhe jashtë Shkupit (VIDEO)

Zgjerohet epidemia e fruthit, merr hov edhe jashtë Shkupit (VIDEO)

Vetëm në 24 orët e fundit, janë hospitalizuar gjithsej gjashtë pacientë të ri të prekur nga fruthi ndërsa tre të tjerë janë lëshuar për kurim shtëpiak. Gjithsej 24 pacientë me epidemi të fruthit janë në Klinikën për Sëmundje Infektive, ndërsa autoritetet shëndetësore shprehen se epidemia po përhapet edhe në qytetet e tjera. Dy fëmijë janë në gjendje më të rëndë shëndetësore dhe ekziston mundësia të vendosen në aparat për frymëmarrje. Ulja e numrit të të vaksinuarve ka kthyer sëmundjet e eliminuara që moti, është shprehur ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe. Në intervistën për radion Evropa e Lirë, ministri u arsyetua edhe për fotografinë e publikuar nëpër rrjetat sociale duke e vaksinuar mbesën e tij. Shtoi se nuk ka marrë vaksinë MRP kundër fruthit pasi është shumë e vogël ndërsa shpjegoi kritikat se gjilpëra ka qenë me kapak.

Bëhet fjalë për kapak që lidhet me shiringën, më pas shihet gjilpëra, i tillë ishte këndi i fotografisë ku gjilpëra nuk dukej. Publikimi kishte të bëjë me faktin se ne si autoritete shëndetësore i sigurojmë të gjithë qytetarët, prindërit e fëmijëve të vegjël se vaksinat janë cilësore dhe të mira. Procesi i vaksinimit është i sigurt, dhe se paraqet investim të vërtetë për shëndetin e fëmijëve – tha Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.

Edhe pse ministri paralajmëroi se vaksinat kundër fruthit me deklaratë të gabuar do të përfundojnë në Drislla, nga VMRO DPMNE-ja reagojnë se pushteti procesin e vaksinimit e ka shndërruar në serial turk.

Së pari doli në shesh se ka vaksina me afat të skaduar. Më pas, del ministri Filipçe dhe thotë se vaksinat nuk janë me afat të skaduar, por se kanë deklaratë të gabuar. Dhe tani merret vendimi që vaksinat duhet të shkatërrohen. Me sjelljen e juaj jopërkatëse, vetëm dërgoni mesazhe të gabuara – deklaroi Lençe Neloska- VMRO DPMNE.

Nga shpallja e epidemisë së fruthit, mbi 100 pacientë janë hospitalizuar për shkak të seriozitetit të gjendjes shëndetësore ndërsa më shumë se 110 persona janë në kurim shtëpiak. Autoritetet shëndetësore apelojnë që prindërit t’i vaksinojnë fëmijët e tyre me MRP, duke pohuar se bëhet fjalë për vaksinë cilësore e cila prodhohet në Belgjikë. Prindërit që do të vërejnë temperaturë të lartë tek fëmijët, si simptomë e parë për këtë epidemi, rekomandohet që menjëherë të vizitojnë mjekun.

Alsat