Arieta Veliu ka më shumë e 5 vite që endet nëpër gjykata, pasi që padrejtësisht është larguar nga puna.
Në vitin 2014 jam larguar nga puna. Qëllimet nuk i di, nuk mi kanë treguar arsyet mirëpo besoj që është diçka politike”- tha Arieta Veliu, profesoresha e Ekonomisë e përjashtuar nga puna.
Në vitin 2014, në kontestin gjyqësor mes zonjës Veliu dhe drejtoreshës së Shkollës Ekonomike në Tetovë, Ramie Kurtishi ( foto lart ), Gjykata Themelore në Tetovë vendosi në favor të Arietës, duke kërkuar kthimin e saj në punë. Dy vite më vonë, me ankesë të drejtoreshës, ky vendim i Themelores u hodh poshtë nga Gjykata e Apelit në Gostivar. Me anë të revizionit, vendimin e Gjykatës së Apelit, Arieta dërgoi në Gjykatën Supreme, e cila në fund të vitit 2018, vërtetoi aktvendimin e Gjykatës Themelore të Tetovës për kthimin e Arietës në Punë.
Jemi ankuar në të gjitha institucionet publike, në gjykata, tek avokati i Popullit, Inspektorati i Arsimit, komunal por edhe shtetërorë, do me thënë në të gjitha institucionet publike. Në qoftë se ne jetojmë në një shtet ligjor dhe juridik, atëherë besoj dhe vlerësoj se duhet të zbatohen vendimet e Gjykatës”- pohoi Arieta Veliu, profesoresha e Ekonomisë e përjashtuar nga puna.
Pavarësisht vendimit të prerë të Gjykatës Supreme në favor të saj, Arieta vazhdon të mbetet pa punë pasi që Drejtoresha e Ekonomikut Ramie Kurtishi, nuk ka respektuar vendimin e gjykatës për të kthyer Arietën në punë. Kurtishi, si person fizik është dënuar dy herë për mosrespektim të aktvendimit të plotfuqishëm, në shumë prej 45 mijë denarë, ndërsa shkolla është dënuar me 220 mijë denarë.
Gjykata Themelore Tetovë, ka marrë dy vendime, me të cilat për mos zbatimin e aktvendimit të marrë në favorin e Arietës, edhe personi juridik edhe personi juridik janë dënuar financiarisht”- theksoi Lidija Ilievska , zëdhënëse dhe gjykatëse në Gjykatën e Tetovës.
Drejtoresha Kurtishi nuk e pa të arsyeshme që të flet para kamerës së Alsat për këtë çështje.
Jo jo jo, nuk kemi kohë…. me shkrim, me shkrim….”- tha Ramie Kurtishi , drejtoreshë e SHMK Ekonomike Tetovë.
Drejtoresha zgjodhi të heshtë edhe në pyetjet e dërguara me shkrim! Duke mos u pajtuar me vendimin e Gjykatës Supreme, Ramie Kurtishi në fund të vitit 2018 ka kërkuar ripërsëritje të gjykimit. Nga Gjykata Supreme për Alsat thonë se janë në shqyrtim të rastit dhe se javëve në vijim pritet të vendoset nëse do të ketë rigjykim apo jo. Ndërkaq Gjykata e Tetovës vazhdon të pret vendimin e Supremes për të parë se si do të veproj tutje.
Tani ndërkohë është sjellë kërkesë për përsëritje të lëndës. Për shkak se në këtë rast vendimin e ka marrë Gjykata Supreme duke e miratuar padinë e paditëses, ose e ka hedhur poshtë vendimin e Gjykatës së Apelit të Gostivarit, Gjykatë kompetente për vendimin në lidhje me përsëritjen e lëndës është Gjykata Supreme”- tha Lidija Ilievska , zëdhënëse dhe gjykatëse në Gjykatën e Tetovës.
Shkelje të ligjit në rastin e largimit të Arieta Veliut nga vendi i punës ka konstatuar edhe Inspektorati i Arsimit dhe Inspektorati i Punës.Besian Leka-Alsat