Përmes gazifikimit dhe subvencionimit për kyçjen e amvisërive në rrjet, Qeveria do të tentojë të ulë nivelin e ajrit të ndotur.
Në një intervistë për Alsat, ministri i ambientit Sadulla Duraku tha se ngrohja me dru mbetet shkaktari kryesor i ndotjes së ajrit. Rezultatet e para nga masat e Qeverisë kundër ndotjes së ajrit, Duraku i pret në vitin 2020.
Ai tha se i mirëpret vërejtjet e OJQ-ve por kërkon mirëkuptim nga ana e tyre, pasi siç tha dikasteri që drejton punon për uljen e nivelit të ajrit të ndotur.
Ndërkohë, shoqata “Shoqëri kancerogjene” pas një jave, sërish organizoi protestë para Kuvendit të Republikës së Maqedonisë për t’i bërë apel kompetentëve për ajrin e ndotur, shumë të rrezikshëm dhe për pasojat prej tij. Nga Shoqata kërkojnë që Qeveria të caktojë një seancë urgjente, dhe nëse kjo nuk bëhet do të radikalizohen protestat dhe do të bllokohen rrugët nëpër të gjithë vendin.(koha.mk)