Ballina Aktualitet Opinione Kakistokracia

Kakistokracia

Puna është se Grupi i të Devijuarve kanë treguar që kanë rrënjë të thella, të cilat gjarpërojnë kudo në shoqërinë tonë! Të huajt, ata që janë sa larg dhe afër gadishullit tonë, do ishin pastruesit më të mirë të kësaj pune, që të marrim frymë lirisht, që të largohet rreziku i Kakistokracisë që nuk do na kushtojë vetëm ne, por do i kushtojë edhe botës, sidomos asaj pjese të botës që na do!

Nga dr.Arben TARAVARI

Në ditët e shkurtra të politikës, dinamika e të cilave zhvillohet nga Brukseli në Gostivar, dhe nga ky i fundit në Washington, një nga gjërat që më të dashura dhe po kaq të domosdoshme është: Reflektimi! Është një lloj analize në fund të ditës, nga ato që predikohen nga fetë, ose nga ato që edukojnë disa prindër, një lloj psiko-analize që më pas mund të përkthehet në psiko-terapi.

Do ishte mirë që çdo njeri ta kishte këtë orë vetjake, të cilën e kalon duke medituar, duke bërë bilancin e çfarë bëri mirë dhe çfarë keq, gjatë ditës. Në natyrën ballkanike është e vështirë dhe madje gati e pamundur që njerëzit të gjejnë fajet e tyre, aq sa është e lehtë dhe e nxituar Shpallja e Virtyteve Personale! Këtë e them sepse sipas meje ka ardhur koha, që të themelohet një institucion i ri, që kontrollon dhe menaxhon sjelljet e politikanëve, që kujdeset për ta në rast nevojë, dhe besoni që një pjesë jo e vogël e politikanëve që njoh janë potencial absolut për të qenë pacientët e mi, por këtu nuk ka ndonjë çudi, pasi sipas një thënie, në këtë botë nuk ka të shëruar, por ka thjesht të pakontrolluar.

Gjithçka që duhet me urgjencë të shikohet, është pastrimi i aradheve politike nga individë që kanë veshur një kostum të qepur me vota të vjedhura, të shantazhuara, të blera (të gjitha mënyra kriminale).

Këta individë që Zoti i ka sjellë në jetë me qëllime të tjera fisnike, kanë hipur në kalin e gabuar dhe rrezikojnë t’a helmojnë deri në ngordhje! Njerëz të lindur për të qenë zdrukthëtarë të ndershëm, bujq të mirë, shoferë të këndshëm apo zanatçinj që të kënaqin me mjeshtërinë e tyre, nuk janë bindur vullnetit të Zotit, por nëpërmjet mashtrimit, kanë gënjyer veten dhe të tjerët se mund të jenë politikan! Për këtë lloj, që unë i kam quajtur “Të Devijuarit”, ora e reflektimit nuk ekziston si koncept!

Këta nuk kanë arritur të stabilizojnë me veten një raport sipëror intelektual, sepse këta janë të hutuar nga kuajt që ngasin, pasi ata duhet të ishin në punishte, furrë apo fusha të blerta duke bërë detyrat që janë caktuar nga i Plotfuqishmi! Kolegët e tyre, ata që bëjnë si politikanë (dhe kjo nënkupton njerëz të aftë, të ndershëm, e mbi të gjitha me vizion të saktë e të mirë për komunitetin), këta pra, të cilët nuk mungojnë në qeveri, ka prej tyre, por këta të fundit nuk kanë asnjë kompetencë apo aftësi si ajo e policit, avokatit, psikologut dhe psikiatrit, pasi duhet një ushtri e tërë për të çuar në vendin e duhur grupin e të “Devijuarëve”!

Duke jetuar në kufi të krimit, këta individë kanë sjellë një model kaq vulgar dhe kriminal të politikanit, sa tashmë të vjen dhe një lloj ndrojtje të thuash që je politikan. Anëtarët e të “Devijuarëve”, ata pra që e kanë injoruar vullnetin e të Gjithpushtetshmit dhe janë ngatërruar me politikë, sillen si një Vëllazëri me zell françeskan (priftër katolik), ata janë të përkushtuar ndaj llojit të tyre, duke shkelur shtypur dhe kundërshtuar me çdo mjet, pengesat potenciale që mund t’ju dalin rrugës! Pengesa për ta janë të ardhurat për frymë në Maqedoni, pasi çdo denar i shtuar në xhepat e qytetarëve, përkthehet në një më pak në xhepat e tyre kryesisht elektronik!

Dhe natyrisht që ata egërsohen, paratë janë të tyret, jo të popullit, mendojnë ata! Ata e dinë se sa shumë kanë sakrifikuar për të qenë aty, ata e dinë se sa dhe si i ther në zemër kur kujtojnë pasionet e tyre të hershme për drunjtë, për fushat, për kafshët, por ishin vetëm ata që patën guximin epik për të shkuar në një terren tjetër, në një tokë që ka shumë para, si e perceptojnë ata domenin politik! Kështu ata, popullin e kanë armik, sepse populli kërkon të jetojë me paratë që u takojnë atyre!

Sa kohë do vazhdojmë ne të mbajmë këtë grup të rrezikshëm?! Këtë që nuk po e heq dot askush nga sistemi, këtë që po metastazon deri në atë pikë sa rrezikon që të eliminojë dhe ata politikanë të mirë, dhe ta kthejë vendin nën udhëheqje Kakistokrake, që historia e njeh si triumf i të këqijve, unë meqë më ka stërvitur profesioni nuk shprehem ashtu, unë them triumf i të “Devijuarëve”! Le të ngrihet një komision, apo institut, si të dojë le të quhet, mjafton që të pastrojë klasën politike nga të “Devijuarit” dhe si rrjedhojë – të shpëtojë popullin! Ky organ kurrsesi nuk duhet të jetë me anëtarë vendas, dhe jo se nuk ka njerëz të ndershëm në këtë vend, jo se nuk ka njerëz të ndershëm qoftë edhe politikanë, qoftë edhe qeveritarë, ka, falë Zotit ka!

Por puna është se Grupi i të Devijuarve kanë treguar që kanë rrënjë të thella, të cilat gjarpërojnë kudo në shoqërinë tonë! Të huajt, ata që janë sa larg dhe afër gadishullit tonë, do ishin pastruesit më të mirë të kësaj pune, që të marrim frymë lirisht, që të largohet rreziku i Kakistokracisë që nuk do na kushtojë vetëm ne, por do i kushtojë edhe botës, sidomos asaj pjese të botës që na do!

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)

@tn.lajmelokale
@tetovanews