Ballina Aktualitet Kosovë Gjermania: Persiatjet për ndryshim të kufijve në Ballkan janë tejet të rrezikshme

Gjermania: Persiatjet për ndryshim të kufijve në Ballkan janë tejet të rrezikshme

Gjermania vazhdon të kundërshtojë idenë e ndryshimit të kufirit midis Kosovës e Serbisë. Ajo vlerëson se përpjekjet për ndryshim të kufijve në Ballkanin Perëndimor janë “tejet të rrezikshme”

Këtë qëndrim e ka shprehur edhe ministri gjerman i shtetit, Michael Roth, në një intervistë për Radio Deutsche Welle.

Roth ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të zgjidhin me dialog të gjitha çështjet teknike që janë ende të hapura.

“Integriteti territorial i vendeve të Ballkanit Perëndimor është i rëndësishëm për ne. Përpjekja për zhvendosje kufijsh ka shkaktuar vuajtje të pafundme në të kaluarën. Prandaj, sipas meje, këto përsiatje, jo vetëm që nuk premtojnë shumë sukses, por janë edhe tejet të rrezikshme. Çfarë na nevojitet, është një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila i rregullon përfundimisht marrëdhëniet, i mundëson Serbisë dhe Kosovës të anëtarësohen në BE dhe i zgjidh me marrëveshje të gjitha çështjet teknike që janë ende të hapura”, ka thënë ai.

“Qëndrimi ynë është se një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë duhet ta rrisë stabilitetin në të dyja vendet dhe në rajon. Unë nuk shoh se si mund të arrihet kjo me ndryshime kufijsh. Përkundrazi. Ballkani Perëndimor nuk do të binte në qetësi. Nga vendet fqinje dëgjoj vazhdimisht se ata janë të shqetësuar për këtë diskutim, sepse shohin rrezikun e efektit domino”, ka shtuar ministri gjerman i shtetit.

Roth është pyetur edhe për qëndrimin e Shqipërisë zyrtare lidhur me idenë për ndryshim kufijsh në rajon. Ai ka theksuar se në interes të Shqipërisë është parandalimi me çdo kusht i destabilizimit të rajonit, i cili do të shkaktohej nga ndryshimi i kufijve.

“Nga Shqipëria ne presim që kjo ta përdorë në mënyrë konstruktive ndikimin e saj politik dhe të vazhdojë të angazhohet në mënyrë konstruktive për stabilitet në të gjithë rajonin. Kjo vlen veçanërisht për çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mund të jetë vetëm në interes të Shqipërisë, si pjesë e rajonit, që të parandalojë me çdo kusht një destabilizim të ri të Ballkanit Perëndimor, gjë që detyrimisht do të vijonte nga ndryshimi i kufijve”, është shprehur Roth. (r.m.)