Lajmi për lindjen e Air Albania në Shqipëri entuziazmoi shumë njerëz. Kjo për shkak se çmimet e fluturimeve nga aeroporti i Rinasit janë shumë të kripura.
Kompania do ngrihej me ndihmën e Turkish Airlines dhe një Airbus 319 mbërriti me shumë bujë në Shqipëri. Madje u pagëzua me emrin ‘Lasgushi’.
Por këto foto të Airport Haber, një portal turk i specializuar për avionët dhe aeroportet, tregojnë ‘Lasgushin’ e ‘menduar’ në Stamboll.
Avioni është parkuar dhe mediat shkruajnë se fati i kompanisë Air Albania është vënë plotësisht në dyshim. Në fakt ky portal turk pati paralajmëruar se kompania Air Albania nuk do e ketë jetën e gjatë, pasi mund të jetë një dështim i Turkish Airlines si me Air Bosna.
Turkish Airlines do investonte 30 milionë dollarë në Air Albania. Por përse u tërhoqën ata?
Agjencia ‘Independent Balkan News Agency’ hedh dyshime se vendimi është marrë nga presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan.
“Mediat turke thonë se Erdogan po hakmarret ndaj qeverisë së Ramës, duke u tërhequr nga Air Albania dhe Aeroporti i Vlorës,” shkruan IBNA.
Për ironi ky lajm vjen pikërisht kur të enjten, deputetët socialistë kanë bërë thirrje që të ulen çmimet e fluturimeve nga Rinas.